E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA zbulon një komplot të Iranit

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara thonë se kanë shkatërruar një komplot, i cili dyshohet të jetë orkestruar nga Qeveria iraniane, për të vrarë ambasadorin e Arabisë Saudite në SHBA.

Në konferencën për gazetarë në Washington, prokurori i përgjithshëm, Eric Holder, tha se dy të akuzuarit janë Mansor Arbabsiar, shtetas amerikan, i cili mban dhe një pasaportë iraniane, si dhe Gholam Shakuri, anëtar i forcës Kuds, e cila është degë e Gardës Revolucionare të Iranit.

“Ankesa pretendon se ky konspiracion është konceptuar, sponsorizuar dhe drejtuar nga Irani. Kjo përbën shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe të Shteteve të Bashkuara, përfshirë konventën, e cila në mënyrë eksplicite mbron diplomatët nga të qenët të cenuar”, tha Holder.

Ky i fundit bëri të ditur se Arbabsiar është arrestuar më 29 shtator dhe se ka dhënë “informacione të vlefshme në lidhje me rolin e qeverisë iraniane në komplot”. Shakuri mbetet i lirë në Iran, tha Holder.

Dy personat në fjalë akuzohen për komplot për vrasjen e një zyrtari të huaj, kospiracion për të përdorur armë të shkatërrimit në masë dhe konsipracion për të kryer akt të terrorizmit ndërkombëtar.

Zyrtarët thonë se komploti i dyshuar përfshin vendosjen e bombës në restorantin ku qëndronte ambasadori saudit. Sipas të njëjtave burime, plani është zbuluar para se të ndërmerrej sulmi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›