E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, Jahjaga dhe Nikolic nuk i japin dorën njëri-tjetrit

PRISHTINË– Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, nuk i kanë shtrënguar dorën njëri- tjetrit në darkën tradicionale të shtruar të hënën mbrëma nga presidenti amerikan, Barack Obama, për kryetarët e të gjitha shteteve që marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Koha Ditore” bën të ditur se Jahjaga e Nikolic, sikur edhe të gjithë përfaqësuesit e shteteve tjera pjesëmarrëse në darkë, të vetmen paraqitje para mediave e kanë pasur veç e veç, teksa kanë shtrënguar duart me presidentin amerikan dhe zonjën e tij, ndërkohë që zhvillimet brenda në sallën ku kanë qëndruar liderët botërorë kanë qenë të mbyllura për mediat.

Burime të gazetës brenda delegacionit kosovar kanë konfirmuar se Jahjaga e Nikolic nuk i kanë zgjatur dorën njëri-tjetrit, për shkak të mospranisë së mediave, por edhe për shkak se “nuk ka pasur ndonjë kërkesë të veçantë nga diplomatët ndërkombëtarë”.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Nikolic, në një deklaratë dhënë agjencisë serbe B92 ka thënë se nuk e ndjente të nevojshme që të bëntë një veprim të tillë, madje ka vlerësuar se një gjest të tillë nuk do ja falnin as populli serb.

“Kur të arrijmë diçka me të cilën të gjithë do të jemi të kënaqur mund edhe t’ia zgjasim dorën njëri-tjetrit. Thaçit me të vërtetë nuk kam arsye t’ia zgjas dorën ndonjëherë”, ka thënë presidenti serb, Nikolic.

Presidenti i Serbisë pritet që të enjten të takojë përfaqësuesen e lartë të BE-së, Catherine Ashton, e cila po e përgatit nisjen e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë. Ashton ka takuar të hënën kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›