SHBA,papunësia,më e larta nga 1974

Shifrat e papunësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shkojnë në stratosferë, me rreth 600 mijë vende pune të humbura vetëm për muajin janar. Sipas të dhënave më të fundit të qeverisë amerikane, norma e papunësisë në vend ka kapur vlerën 7.6 përqind. Kjo është shifra më e madhe e numrit të vendeve të humbura të punës që nga dhjetori i vitit 1974. Numri i të papunëve në SHBA ka kapur shifrën alarmante 1.8 milionë në vetëm tre muajt e fundit, ndërsa që nga fillimi i vitit 2008, 3.6 milionë amerikanë kanë humbur vendet e punës. Humbja e vendeve të punës për muajin janar ishte më keq nga ç'kishin paralajmëruar ekspertët e ekonomisë, sipas të cilëve do të shkurtoheshin vetëm 540 mijë vende. Pavarësisht shifrave më të reja të papunësisë në Shtetet e Bashkuara, kjo është vetëm një pjesë e historisë së amerikanëve që janë duke luftuar për gjetjen e një pune. Raporti i së premtes tregon se 2.6 milionë persona kanë humbur punën këto gjashtë muajt e fundit, që është shifra më e lartë që nga viti 1983. Dhe ky është numri vetëm i atyre që po kërkojnë akoma për një vend pune. E ashtuquajtura normë e papunësisë, që përfshin ata që nuk kërkojnë më për një vend pune dhe personat që punojnë part-time e që kërkojnë një pune me kohë të plotë, ka kapur vlerën 13.9 përqind nga 13.5 që ishte në dhjetor. Sipas Departamentit amerikan të Punës, kjo është norma më e lartë e papunësisë në 34 vitet e fundit. Janari ishte muaji më i keq për ekonominë amerikane. Sektori i industrisë shkurtoi 207 mijë vende pune, industria e ndërtimit 111 mijë, ndërsa bizneset dhe kompanitë e shërbimeve profesionale humbën 121 mijë punonjës, etj. Ekspertët thonë se shifrat e papunësisë natyrisht që do të përdoren nga presidenti Obama si prova të mëtejshme për të inkurajuar Kongresin Amerikan që të përshpejtojë debatin mbi paketën e qeverisë që ka masa për stimulimin e ekonomisë amerikane.