Kosovë,mirëpritet rezoluta e PE-së

Institucionet kosovare kanë mirëpritur Rezolutën e Parlamentit Europian në Strasburg, me të cilën ftohen edhe pesë vendet tjera të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Rezoluta e miratuar iu është prezantuar të premten në Prishtinë edhe udhëheqësve kosovarë nga një delegacion i Parlamentit Europian, që kryesohej nga Jost Lagendijk. Zyrtari europian tha se ishte i kënaqur me mbështetjen e gjerë që ka gjetur rezoluta në Parlamentin Europian për Republikën e Kosovës. Ai u shpreh se pret që kjo rezolutë të ketë efekte tek pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën. "Shpresoj dhe pres që kjo të jetë një nga presionet që këto qeveri ta njohin Kosovën, ndonëse e di se këto vende kanë arsye të brendshme politike që ende nuk e bërë një gjë të tillë", tha Lagendijk. Ai nënvizoi se parashikon edhe shumë sfida për institucionet e Kosovës. Në veçanti, Lagendijk kërkoi që qeveria e Kosovës të angazhohet më shumë në luftimin e dukurive negative, siç janë korrupsioni e krimi i organizuar, ndërkohë që ritheksoi mbështetjen që Parlamenti Europian i ka dhënë misionit të EULEX-it. Zyrtari i lartë tha se Parlamenti Europian, me këtë rezolutë ka dëshmuar se e mbështet edhe tërësinë territoriale të Kosovës, duke e përjashtuar ndarjen si opsion. Në anën tjetër, kryeministri kosovar Hashim Thaçi, deklaroi se kjo rezolutë dëshmon edhe një herë mbështetjen që ka Kosova tek numri më i madh i vendeve europiane. Thaçi, nënvizoise njëherësh, edhe ambiciet e Kosovës janë që një ditë të jetë pjesë e kësaj familjeje të integruar europiane. Kryeministri i Kosovës u zotua para delegacionit të parlamentarëve europianë se qeveria dhe ai personalisht do të kenë si prioritet të punës luftimin e dukurive negative, prioritete të cilat shprehen edhe në rezolutën e miratuar. Rezoluta i është dorëzuar edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.