E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE - Rusi,bisedime për krizën e gazit

Bashkimi Europian dhe Rusia kanë mbajtur bisedimet e para të niveleve të larta që pas përfundimit të krizës së gazit. Presidenti rus Dimitri Medvedev priti në Kremlin kreun e Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso. Medvedev tha se mekanizma të reja ligjore nevojiten për parandalimin e ripërsëritjes së krizës. "Ka shumë cështje për të cilat ne duhet të shkëmbejmë mendimet tona, por në vecanti është ajo e sigurisë energjitike. Kriza e fundit e gazit tregoi se gjërat nuk janë ashtu sic duhet të ishin", deklaroi Medvedev. Ndërsa Barroso theksoi se kriza nuk duhet të kishte ndodhur kurrë, por se mirëpriste rolin e Medvedev në zgjidhjen e cështjes. "Është e një rëndësie të vecantë që të krijohen kushte që kjo krizë të mos përsëritet sërish. Ne besojmë se siguria energjitike është shumë e rëndësishme në sferën e interesave të Rusisë dhe BE-së", tha Barroso. Më pas Barroso u takua edhe me kryeministrin Vladimir Putin. Ata diskutuan për të drejtat e njeriut, si dhe për rajonet separatiste në Gjeorgji. "Vizita ime në Moskë vjen në mesin e krizës ekonomike globale dhe në një kohë kur marrëdhëniet mes BE-së dhe Rusisë po testohen në shumë fusha", nënvizoi Barroso në konferencën për shtyp pas bisedimeve. Lidhjet mes Bashkimit Europian dhe Moskës janë ftohur pas luftës së Rusisë në Gjeorgji vitin e kaluar. Kryeministri Putin ka hequr një paralele me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë vitin e kaluar me gjithë kundërshtimin e Rusisë. "Në qoftë se veprohet njëanëshmërisht me Kosovën në Europë, ne duhet të veprojmë po kështu edhe në pjesë të tjera të globit. Rregullat duhet të jenë njësoj për të gjithë dhe kjo është shumë e rëndësishme", u shpreh Putin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›