E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA,plan për blerjen e aseteve toksike

Sekretari amerikan i Thesarit, Timoti Geitner ka bërë publik një plan për blerjen e aseteve toksike duke shfrytëzuar fondet e qeverisë dhe të Bankës Qendrore, në mënyrë që të joshet kapitali privat. Sipas "Programit Publik dhe Privat të Investimeve", do të blihen borxhet e këqija, të cilat ishin rrënja e krizës financiare. Plani i hartuar nga Sekretari amerikan për Thesarin Geitner, ka si qëllim të çlirojë bankat prej më shumë se një trilionë borxhesh të këqija me qëllim që ato të fillojnë të japin përsëri hua. Në bazë të planit, Thesari amerikan do të mund të kontribuojë me deri në 100 miliardë dollarë nga paratë e taksapaguesve që ishin destinuar për të shpëtuar bankat. Duke njoftuar programin publik-privat të investimeve, sekretari Geitner tha se plani do të përfshinte sektorin privat, i cili do të ndante me taksapaguesin, risqet dhe fitimet. Ndërkohë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama e ka vlerësuar pozitivisht planin për blerjen e aseteve toksike nga fondet e qeverisë dhe Banka Qendrore. Presidenti Obama u shpreh se ky program është një hap në drejtimin e duhur. "Ne besojmë se ky është edhe një element që do të jetë absolutisht kritik në rifillimin e kreditimit. Kjo nuk do të ndodhë brenda natës. Ende ka brishtësi në sistemin financiar, por ne mendojmë se gjërat po shkojnë në drejtim të mirë", tha Obama. Investitorët e kanë mirëpritur lajmin, i cili u pasua me rritjen e vlerës së aksioneve në Europë dhe Azi. Ky njoftim vjen në një kohë kur në SHBA është rritur zemërimi publik lidhur me bonuset e dhëna nga institucionet financiare që janë ndihmuar nga shteti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›