E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHÇBA drejt shkrirjes, kthehet në agjenci inteligjence

Komisioni i Ligjeve mori në administrim projektligjin për shkrirjen e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe ankesat pranë Ministrisë së Brendshme dhe krijimit të një institucioni të ri, Agjencinë për Mbikëqyrjen Policore. Në prezantimin e projektligjit, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi theksoi se me krijimin e Agjencisë së re, tashmë uniformat blu, Garda e Republikës dhe shërbimi zjarrfikës mund të përgjohen nga kjo strukturë. Një nga detyrat e reja që do të ketë Agjencia janë edhe vettingu dhe certifikatat e sigurisë.

“Në radhë të parë është zgjeruar fusha e përgjegjësisë. Tashmë ajo që sot quhet SHÇBA, por që pas miratimit të ligjit do të quhet Agjenci, në fushën e përgjegjësisë do të shtohen edhe subjekte të tjera siç është Garda e Republikës apo edhe Shërbimi Zjarrfikës, përveç policisë së shtetit që është deri tani. Edhe ndryshimi i emrit ka kuptimin e vet. Kërkohet reformimi i shërbimit edhe në emërimin e tij. Pra qytetari do të dijë ku të drejtojë ankesat apo pretendimet e tij. Një risi tjetër është kalimi në një strukturë civile, pra zhveshja nga gradat dhe krijimi i kësaj strukture civile me një zhvillim të qartë karriere dhe duke shmangur konfliktin interesit me subjektet që mbikëqyr. Ne gjykojmë se kalimi i personelit në strukture civile duke ruajtur kapacitetin aktuale e bën atë më të hapur më të qëndrueshme. Gjithashtu unifikon punonjësit në të drejtat dhe detyrime, gjë e cila në legjislacionin aktual nuk e gjen një rregull të tillë, pasi disa të drejta i përfitojnë vetëm punonjësit me gradë. Një risi tjetër është sepse ky projektligj përcakton detyrimet që rrjedhin nga aktet ligjore si ai për vlerësimin kalimtar dhe periodik të subjekteve mbikëqyrëse. Në ligjin përkatës të vlerësimit kalimtar të punonjësve, gardës apo SHCBA kjo strukturë ka marrë funksione të reja që duhet të përfshihen në ligjin organik të kësaj agjencie. Risi tjetër është veprimtaria verifikuese për pajisjen me certifikata të sigurimit të personelit të subjektit. Aktualisht veprimtaria e pajisjes me certifikate ndiqet nga policia e shtetit dhe SHCBA. Ndjekja e këtij procesi ka ndikuar në krijimin e hapësirave abuzuese kur nuk respektohet doktrina e nevojës për njohje. Gjithashtu nga inspektimet e bëra nga vetë SHCBA në Policinë e Shtetit ka evidentuar një sërë problemesh që kërkojnë përfshirjen e sektorit të certifikimit që është në policinë e shtetit në një strukturë të posaçme për trajtimin e kësaj përgjegjësie pikërisht në agjenci apo në SHCBA e sotme”

Opozita e cilësoi nismën delikate dhe kërkoi që në sallë të jetë i pranishëm edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, pasi varësit e tij janë subjekt direkt i nismës. 

“Ne duhet të jemi në komoditetin maksimal për të vendosur ndërmjet përndjekësit që është Ministri dhe të përndjekurit që është policia e shtetit”, u shpreh Alibeaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›