SHENIM/ Dy koalicione opozitare, strategji që shton gjasat për rizgjedhjen e Berishës
Gazeta Shqip kishte sot një artikull të gjatë, bazuar në informacione nga burime në selinë rozë, në të cilin shtjellohej me hollësi strategjia elektorale e PS-së për zgjedhjet e ardhshme. Po bëj disa citime të drejtpërdrejta nga artikulli i Shqip-it dhe në fund do të bëj një koment të shkurtër, me presupozimin se burimet e Shqip-it janë të mirinformuara.
Burime në selinë rozë bëjnë të ditur se, edhe pse është herët për të vënë piketat e strategjisë elektorale, gjasat e një rreshtimi elektoral në zgjedhjet parlamentare është që opozita të garojë me dy koalicione të ndara; aleanca e majtë, nën drejtimin e Partisë Socialiste dhe koalicioni i qendrës së djathtë, që do të ketë në përbërje Frymën e re Demokratike dhe Aleancën Kuqezi, por edhe disa grupime të së djathtës, ku ka gjasa që të jenë demokristianët e bashkuar me Ndokën e Lesin, por edhe disa grupime nacionaliste të tjera si Partia Konservatore apo edhe shoqata e ish të përndjekurve, si dhe ajo e ish-pronarëve.
Ajo që mund ti lidhë dy koalicionet në një grupim opozitar, do të jetë kujdestaria e PS-së për të gjitha forcat opozitare në administratën zgjedhore, ku vetëm PS-ja dhe PBDNJ-ja mund të arrijnë të sigurojnë pjesëmarrjen në Komisionet Zonale, Grupet e Numërimit dhe natyrisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Burime në PS, theksojnë se ky model i një opozite të diversifikuar mund të shtojë votat nga të dy palët, duke sjellë si shembull zgjedhjet e fundit në Greqi, ku si Demokracia e Re, si Siriza arritën të triumfonin mbi partinë në qeveri PASOK, duke sjellë si rezultat rrudhjen dramatike të Lëvizjes Socialiste Panhelenike të Evangelos Venizellos.
Koment: Modeli me dy koalicione opozitare mund të funksionojë në sistemin zgjedhor grek (proporcional kombëtar me prim), por jo në sistemin zgjedhor shqiptar (proporcional rajonal). Berisha mund të fitojë mandate ekstra në disa qarqe vetëm nga ndarja e votës opozitare.
Shembull: Në vitin 2009, opozita u fut e ndarë në garën me trenin e gjatë 16-vagonësh të Berishës. Si rezultat, Berisha arriti të sigurojë 70 mandate. Në qoftë se opozita do të kishte garuar si një koalicion i vetëm, Berisha do të merrte vetëm 68 mandate me votat që i njohu zyrtarisht KQZ-ja e Ristanit
