USA TODAY: Në një vend pa gjykata e qeveri, mbizotëron Kanuni

Toni, Mara dhe Liza, te izoluar nga frika e vrasjes
Gazeta e njohur amerikane, USA TODAY, i ka kushtuar një reportazh çështjes së Kanunit në Shqipëri. Gjakmarrja akoma zien në Shqipëri, titullon shkrimin e saj gazeta e madhe.
Në shkrim theksohet se familje të tëra janë izoluar në vend, ndërsa përmendet rasti i fundit i Marie Qukajt, 17 vjeçares së vrarë në Shkodër.
I respektuar gjerësisht në mbarë vendin, teksti i Kanunit u ndalua si ligj kur komunistët qeverisën vendin. Në vitet e fundit, në demokraci, Kanuni i rigjallërua, më së shumti në veri të Shqipëri.
Në një vend pa gjykata efektive dhe me një qeveri të parë gjerësisht si të korruptuar, Kanuni vazhdon të shërbejë për shumëkënd si një kushtetutë jozyrtare, shkruan gazeta.
Pasi eksploron disa raste të familjeve të izoluara, siç janë këta fëmijë në foto, gazeta thotë se sipas të dhënave të Këshillit Kombëtar për Pajtimin, pas vitit 1990 në vend janë shfaqur 10 mijë raste gjakmarrje. Në total janë 1600 familje të izoluara.
Në fund të shkrimit gazeta thotë se edhe pse zyrtarisht Bashkimi Europian nuk e përmend Kanunin si arsye për refuzimin e statusit kandidat të vendit, mungesat në zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut kanë qenë arsyeja kryesore pse vendit i është mohuar statusi i kandidatit.