Berisha vetëzbulon skandalin për blerjen e fotos me Cameron
Shtetasja londineze Gemma Dewhurst është paguar nga qeveria shqiptare për të fiksuar një foto të Berishës me kryeministrin Cameron. Zyra e shtypit e kryeministrit Berisha ka nisur gabimisht me foton dhe pazaret e të ngarkuarit me punë Mal Berisha me agjencinë që i ka siguruar foton. E-maili mbërriti dhe në redaksinë e gazetës Shqiptarja.com, që bëri publik skandalin.
Agjencia i nisi një e-mail ambasadorit të Shqipërisë në Londër, Mal Berisha: I dashur Mal, të lutem gjej bashkëngjitur imazhin PA-14131607 që të kam premtuar. Do të lidhemi të hënën për të konfirmuar përdorimin dhe pagesën. Gjithë të mirat, Gemma.
Imazhi në fjalë është fotoja që fiksoi takimin mes kryeministrave dhe është një foto shumë e bukur. 11 orë më vonë, i ngarkuari me Punë në Londër, Mal Berisha i shkruan një email tjetër Emma Dewhurst me subjektin “konfirmimi”: “E dashur Gemma, të lutem në nis me e-mail foton që kemi porositur (ishte Joana Papakostandini që sapo foli me ju në emër të ambasadës shqiptare në Londër”. Unë jam i Ngarkuari me Punë i Shqipërisë. Të lutem nise menjëherë te adresa ime Berisham@gmail.com. Ne do t’ju paguajmë të hënën ashtu siç ratë dakord me zonjushën Papakostandini. Gjithë të mirat dhe faleminderit. Mal Berisha”.
Joana Papakostandini është sekretarja e tretë e ambasadës shqiptare, e cila pas dorëheqjes së ish-ambasadorit Zef Mazi, mëse një vit më parë ende nuk ka ambasador, por të ngarkuar me punë, zotin Mal Berisha, që shkoi atje me vendim të qeverisë në shkurt 2012.
Pas këtij letërkëmbimi online, fotoja është dërguar nga adresa e Mal Berishës te adresa e dhëndrit të kryeministrit, Jamarbër Malltezi dhe më pas në adresën e zëdhënëses së kryeministrit Berisha, Erla Mëhilli. Pas kësaj kryeministria e shpërndau mbrëmjen e të premtes, bashkë me lajmin për bisedën e gjatë mes kryeministrave Cameron dhe Berisha në pallatin mbretëror.
Shpresojmë që agjencia ta ketë dorën e lehtë pasi dihet që Berisha nuk kursehet në raste të tilla.