E Diel, 1 Nëntor 2026

SHENIM/ INSTAT në varësi të Berishës dhe një problem i madh me informacionin

Share

Një nga komisionet e Kuvendit ka miratuar sot propozimin që Instituti i Statistikave të kalojë në varësi direkte të kryeministrit Sali Berisha. Ndërsa Bashkimi Europian ka kohë që kërkon statistika të pavarura, kryeministri Sali Berisha ndërmerr këtë lëvizje. Por si e argumenton mazhoranca diçka të tillë? Sipas saj INSTAT nuk mund të jetë në varësi të qeverisë, ndaj u vendos që të ishte në varësi të … kryeministrit. Humor i zi.

Problemi i madh me të cilin përballet sot vendi ynë është se atij i mungon rëndshëm informacioni i përpunuar. D.m.th ai informacion që vjen i përgatitur nga qendra të specializuara. Për këtë arsye ky vend i ngjan një rrumpalle të madhe ku secili flet çfarë të dojë, thotë çfarë të dojë, pa e mbështetur kurrë në një analizë, në një statistikë, në një sondazh, në një punim a diçka të tillë. Natyrisht jemi një vend i vogël, por në këtë derexhe nuk ka vend tjetër në Europë. Aq rëndshëm jemi për statistika, sa merremi me ca raporte ndërkombëtare, ku më shumë krahasohemi me vendet e tjera të botës. Dhe kështu e kemi futur kryeministrin në një garë të çmendur me botën, duke parakaluar çdo vend. Kujtoni këtu se Berisha thotë se jemi të dytët në botë për gatishmërinë e rrjetit. Se çfarë do thotë kjo gjë, askush nuk e kupton. A ka më qesharake se një kryeministër, që zbulon në një raport ndërkombëtar (?!) se investimet e huaja në Shqipëri janë 4 miliard dollarë dhe bërtet tre herë në ditë për këto të dhëna?

Kjo rrumpallë i shërben vetëm qeverisë, pasi ne nuk dimë fare çmendojnë shqiptarët realisht, si është gjendja e tyre, cila është ekonomia e tyre etj. Me dhjetëra OJQ, qendra, institute, universitete-kioska nuk arrijnë të prodhojnë një informacion të besueshëm të përpunuar, duke bërë që edhe media të duket e vakët, e pabesueshme, bosh. Por të paktën do kemi humor, kur të dalë kryeministri e të na thotë se rritja ekonomike është dyshifrore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›