SHENIM/ Na urren të gjithëve
Vërtet nuk e komentoi largimin e Gazmend Oketës dhe qëndrimet e tij, por kryeministri Sali Berisha e reflektonte qartë se deklaratat e tij se mbledhjet e grupit të PD janë si ato të Byrosë Politike e kishin shqetësuar. E nisi mbledhjen e grupit duke mos iu drejtuar deputetëve të tij të pazë, por iu drejtua në emër shqiptarëve, si për të thënë se ja unë jam përpara të gjithëve e kjo nuk është mbledhje Byroje Politike. Pastaj si për ta shtuar akoma në shumë fyerjen për deputetët, tha se nuk po fliste për ta, se ata i dinin ato gjëra, por për shqiptarët. Në fakt nuk tha asnjë gjë të re as për deputetët dhe as për shqiptarët. Lëshoi një lumë të fortë akuzash ndaj opozitës se po bllokon ecjen e vendit përpara. Të ishte dikush që nuk e di për çfarë po flet ai, do mendonte se kushedi çfarë të zezash bën opozita në këtë vend. E vërteta është se opozita sipas Berishës po kërkon garanci për funksionimin demokratik të parlamentit dhe për votën e lirë. Aq shumë ka filluar të flasë atë që ndjen sa i parapriu zbatimit të kodit zgjedhor kur tha: Pa diskutim që duhet të ketë penalitete, por të mendosh ti të vesh dënime 7 e 8 vjet, nuk gjen gjykatës!? Se dhe gjykatësi, nuk dënon aty kur shikon se ligjvënësi shkruan marrëzira në ligj. Por si mund të dënosh tjetrin ti, për një fletë votimi 8 vjet burg!?
Sikur të mos mjaftonte kjo, disa herë përdori shprehjen e Faik Konicës se Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarët. Natyrisht sipas përdorimit edhe shprehja merr konotacione negative e raciste. Dhe Berisha e vërtetoi se më shumë e ka për racizëm kur e pranoi si të vërtetë një deklaratë të një eurodeputeti se Europën nuk e lidh gjë me shqiptarët se nuk kanë ujë e drita. Një gazetar, ndër më të shquarit, që ishte bërë më vonë deputet në Parlamentin Evropian u ngrit e tha në një seancë: Këta (shqiptarët) nuk kanë energji, jetojnë gjysmën e ditës pa drita, nuk kanë as ujë për tu larë. Çpunë kemi ne me këta? Çna lidh ne me këta? Dhe ky zotëri nuk është ndonjë nga ata që nuk i do shqiptarët sepse unë e njoh atë, por ky tha një të vërtetë, tha Berisha.
Njësoj si miku i tij Berluskoni, që kur ishte në prag të perëndimit, deklaronte se Italia nuk bëhet kurrë, se është një vend m…, edhe kryeministrit tonë i ka hipur mesa duket një zell racist. E bën për shkak se njësoj si Berluskonit, shqiptarët nuk ia pranojnë këtë realitetin virtual që ka shpikur, ku gjërat janë gjithmonë shkëlqyeshëm. Është shkëputur vërtet me tepri nga realiteti. Siç thotë një ish- mik i tij, Besnik Mustafaj.