SHENIM/ Pisk e kemi me këtë Reganin tonë
Unë jam kardiolog, në politikë hyra pa asnjë njohuri përsa i përket politikave fiskale, por kam qenë një admirues i Ronald Reagan. Reagan ishte idhulli ynë në kohët komuniste, sepse ishte kampioni, që luftonte kundër komunizmit. Kur fituam lirinë, mora librat dhe tezat e tij, dhe kushdo që e ka lexuar, ai shkruan pothuajse në mënyrë holistike, mbi ekonominë, mbi reformat, dhe një prej postulateve të tij është se paraja në llogaritë e individëve privatë ka më shumë vlerë se në llogaritë e qeverisë, kështu u tha Berisha dje disa të rinjve nga Europa.
Është e qartë se ky kryeministër dëshiron të mbushë më shumë llogaritë e individëve sesa ato të qeverisë. Por vetëm të disa individëve, madje të shumë pak individëve.
Ndërsa kryeministri fliste para të rinjve, në ekranet e shumta që i bëjnë lavde atij, shfaqej një reklamë për ndeshjen finale për titullin kampione bote në shah. Vetëm se ishte pak ndryshe nga reklama fillestare. Në fakt për një person që ndjek politikën, ishte shumë ndryshe.
Në fillim kur u shfaq reklama, më shumë kuptohej se ky ishte një aktivitetet që zhvillohej nën kujdesin personal të Berishës, sesa ishte një ndeshje shahu. Emri i Berishës theksohej që në fillim dhe më pas thuhej se aktivitetin e organizon Taçi Oil. Në të vërtetë nëse sheh tek Federata Botërore e Shahut, numri dhe e-maili i kontaktit për aktivitetin janë të rafinerisë ARMO.
Por vetëm pak zgjati ky spot, sepse emri i Berishës si kujdestar personal i këtij aktiviteti u hoq. Jo se nuk ka dëshirë Berisha e Basha të jenë kujdestarë personalë të gjërave në këtë vend, por sepse ato ditë edhe gruaja e kryeministrit si për ters ishte ankuar se ca të rinj po përdornin emrin e saj për të kërkuar para. Nuk e dimë çfarë ka ndodhur dhe pse kryeministri Sali Berisha nuk është më kujdestar personal i ndeshjes, por nuk besojmë se e ka nga fakti se nuk i pëlqen shahu, apo se nuk e do emrin e tij në një aktivitet të përmasave botërore. Mbani mend se mori një çmim si vrapuesi i maleve kur në vend nisi para pak javësh Kampionati Botëror i Vrapimit në Mal. Edhe shahu si një sport i mendimit doemos ia ledhaton sedrën. Por nuk është kjo arsyeja që hoqi emrin.
Dhe meqë ra fjala, spoti i parë është një mënyrë se si mbushen ca llogari individësh privatë më shumë se llogaritë e shtetit.