Kosova, një KURBAN për pushtetin Berishist?
Kryeministri Berisha duket se në planet e tij për tu jetëgjatësuar pafundësisht në pushtet, ka edhe një ndarje të mundshme te territoreve të Kosovës mes Tiranës dhe Beogradit. Ky është një nga përfundimet që Andrea Stefani ka nxjerrë në librin e tij Komploti kundër Lirisë që po i servilet këto ditë lexuesit shqiptar nga shtëpia botuese Onufri në panairin e librit. Përfundimi për këtë rrezik të mundshëm është nxjerrë nga autori nëpërmjet shqyrtimit të vëmendshëm të diplomacisë berishiane, por edhe të disa dokumenteve diplomatike të publikuara më së fundi nga Wikileaks. Po i japim lexuesit të Temës fragmentin e librit ku autori trajton këtë shqetësim:
Plane për Copëtimin e Kosovës?
Ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë është i vetmi opsion realist.- Ivica Daçiç
Mbështetja e verbër për autokratin Berisha mund ti ketë rrënjët jo pak edhe në interesat gjeostrategjike të Perëndimit në gadishullin e Ballkanit. Në vitin 2009 Berisha bëri një vizitë në Kosovë ku u dekorua nga Hashim Thaçi me urdhrin e lirisë. Ishte ironike dhe e dhimbshme që këtij autokrati ti jepej urdhri i lirisë nga një ish luftëtar i UÇK-së të cilin, policia e Berishës e kish arrestuar dikur, ndërsa vepronte në Tiranë në interes të UÇK-së. Propaganda qeveritare në të dy shtetet bëri kujdes ta paraqiste Berishën si lideri i të gjithë shqiptarëve. Të krijohej përshtypja se, me atë vizitë, Berisha donte ti tregonte SHBA-ve dhe BE-së se nuk ishte lider vetëm i Shqipërisë por, në një kuptim, edhe i Kosovës dhe se largimi i tij nga pushteti, mund të kishte pasoja negative deri edhe rajonale. Ca vite më vonë, në korrik të vitit 2011 gazeta Koha Ditore do botonte një dokument të Ëikileaks ku shprehej brengosja e Hashim Thaçit, për ndikimin e Berishës në Kosovë. Sipas dokumentit, në fakt një kabllogram i Ambasadës amerikane në Prishtinë drejtuar Departamentit të Shtetit, rezulton se në një bisedë private me zyrtarë të ambasadës amerikane në Prishtinë, më 13 gusht 2009, Thaçi ishte shprehur i brengosur nga përzierja në politikën e Kosovës që sipas tij bën kryeministri i Shqipërisë:
Për më tepër, Thaçi kishte ishte shprehur se përzierja nga Shqipëria në politikën kosovare paraqiste kërcënim për Kosovën, ndërsa ka kërkuar ndërhyrje amerikane te Berisha, duke theksuar se Kosova është një shtet i pavarur, dhe jo krahinë e ShqipërisëThaçi tha se përfshirja shqiptare në politikën në Kosovë paraqet një kërcënim për Kosovën dhe kërkoi nga Ambasada që të kundërshtojë një përfshirje të tillë, thuhet në kabllon diplomatike. Ai po ashtu kërkoi nga Qeveria e SHBA-së që, përmes Ambasadës në Tiranë, të peshojë me Berishën dhe të kërkojë nga ai të përmbahet nga deklarimet apo veprimet që ngritin frikë në rajon nga panshqiptarizmi.
Por ndryshe nga çkërkonte Thaçi, ndërkombëtarët vazhdimisht kanë ndjerë nevojën që Tirana të ndërhyjë kohë pas kohe për të qetësuar ujërat mes Kosovës dhe Serbisë. Berisha ka bërë gjithçka për të dëshmuar se është lideri që e ka ekskluzivitet tutorializmin mbi liderët shqiptarë në rajon. Është ndihur edhe nga fakti se jo pak kosovarë, për shkak të një tendence lokaliste të fortë, e perceptojnë atë si të tyrin. Simpati që nuk e kanë shfaqur kurrë as për Fatos Nanon dhe as për ndonjë politikan tjetër në Tiranë. Si për shembull, për Pandeli Majkon, që kur ishte kryeministër, ka bërë për kosovarët shumë më tepër se Berisha në momentet e eksodit të tyre biblik. Por Berisha është nga Tropoja, një krahinë malore në Veri të Shqipërisë, thuajse pjesë e Kosovës në pikëpamje gjeografike dhe që ndan shumë tradita lokale me të. Ndryshe ska si shpjegohet kjo simpati për një lider që kur ja ka dashur interesi i pushtetit, ka bërë dukshëm gjëra jo në përputhje me interesin e Kosovës. Këtu hyjnë jo vetëm kontrabanda e naftës me regjimin e Millosheviçit apo sugjerimi për mosnënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë, por deri edhe përndjekjet e figurave të UÇK.
Të lind dyshimi se rikthimi i Berishës nuk është i palidhur me panshqiptarizmin që përmend me shqetësim edhe Hashim Thaçi. Për çfarë panshqiptarizmi bëhet fjalë? Kjo mbetet të shihet. Por është fakt se një nga lajtmotivet e qeverisë Berisha pas vitit 2005 ka qenë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Për këtë qëllim, në vitin 2010, zëvendëskryeministri Ilir Meta, bëri edhe një vizitë në Beograd. Pas kësaj vizite, në pranverën e vitit 2011 nga politika serbe edhe me gojën e presidentit Tadiç, u lëshua teza se duhet të jenë Tirana dhe Beogradi ato që duhet të zgjidhin çështjen e Kosovës. Kjo do të thoshte të nxirrej jashtë loje jo vetëm Prishtina por edhe sovraniteti i Kosovës si shtet. Pse kjo preferencë e Beogradit për Tiranën, në fakt, për Berishën? Përse preferohej Berisha si palë dhe jo Prishtina? Në fakt Beogradi po e trajtonte Kosovën jo si shtet të pavarur por si krahinë të Shqipërisë. Pikërisht ashtu siç Thaçi ankohej se Berisha po sillej ndaj Kosovës. Në këtë pikë nuk mund të mos kujtojmë edhe akuzat e sipërcituara që gazetarë perëndimorë kanë publikuar lidhur me Berishën si politikan i mbështetur nga qarqe britanike proserbe.
Nën këtë optikë, Berisha na shfaqet edhe si një Kalë Troje i Serbisë, i gatshëm që në momentin e duhur dhe për interesa të përjetësimit në pushtet, të bëjë ato lëshime në kurriz të Kosovës që nuk do ti bënte dot asnjë politikan tjetër shqiptar. Dukuria nuk ka qenë një mëkat i panjohur për qeveritarët shqiptarë. Zogu kish shitur Shën Naumin dhe Vermoshin. Enver Hoxha, në ballafaqim me Titon, nuk kish këmbëngulur për respektimin e të drejtës së vetëvendosjes e Kosovës. Berisha, edhe sikundër shihet në kabllogramet e Ëikileaks, ishte koshient për padrejtësinë që i bëhej Shqipërisë, ka ofruar deri dhënien e ujërave detare Greqisë. Ai ka bërë me të huajt mjaft koncesione rrënuese për shtetin shqiptar. Tradicionalisht, pushtetarët shqiptarë kanë shitur shtetin dhe interesat e tij në emër të pushtetit. Tani kish ardhur koha që edhe Berisha të shiste kombin!
Nëse pranohet kjo hipotezë, mund të thuhet se edhe largimi i Fatos Nanos u mbështet ndoshta edhe për faktin se ai nuk e luante dot një rol të tillë. Ka mbetur ende mister se çfarë është biseduar mes Nanos dhe zëvendësdrejtorit të CIA-as që vizitoi Tiranën pak para zgjedhjeve të korrikut 2005. Pëshpëritet se Nanos i është thënë të largohet. Fakt është se Berisha u rikthye në pushtet duke patur ende më pak vota se e majta. Dhe që nga ajo kohë po qëndron në pushtet edhe më me pak vota se opozita. E gjitha bie erë e një skenari apo marrëveshjeje të fshehtë që ndoshta do të zbardhet ndonjë ditë. Po në këtë logjikë mund të komentohet edhe thashethemnaja se ndërkombëtarët nuk e duan Edi Ramën. Nëse këtu ka diçka të vërtetë, me shumë gjasa, ajo nuk ka të bëjë me veset e Ramës si politikan. Po të ish për vese, ndërkombëtarët duhet të kishin flakur me kohë autokratin dhe të korruptuarin Berisha. Ka më shumë të ngjarë që mungesa e mbështetjes nga ndërkombëtarët për ardhjen e Edi Ramës në pushtet, të ketë të bëjë pikërisht me faktin se ai, ndonëse ka një origjinë nga qyteti verior i Shkodrës, mendohet