E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bell: Buxheti 2012, parashikimet e qeverisë tepër optimiste

Nëse edhe Italia përfshihet në krizën e borxheve, ekonomia shqiptare do ta ketë shumë të vështirë të rezistojë”, - tha dje ish-shefi i Misionit të FMN-së, Gerëin Bell: Qeveria është treguar shumë optimiste me Buxhetin 2012

Ndërsa në Tiranë vazhdojnë debatet mes pozitës dhe opozitës për buxhetin e vitit të ardhshëm, Fondi Monetar thotë se parashikimet e qeverisë shqiptare janë tepër optimiste. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ish-drejtuesi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gerëin Bell, thotë se në kushtet e paqëndrueshmërisë ekonomike në Evropë, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë edhe më e ulët. Bell tha se deri tani ekonomia shqiptare nuk ka ecur keq dhe kjo është pjesë e fenomenit të ekonomive të reja. “Por tani po hyjmë në një fazë të re, të rrezikshme në Evropë. Sot pamë se interesi për bonot e Italisë arriti 7 për qind. Këto janë kohë shumë të vështira në tregjet financiare të gërshetuara me ngadalësimin e ekonomive”, - tha Bell. Fondi Monetar llogarit tani një rrezik të madh për recesion teknik në më shumë se një ekonomi të madhe evropiane. Kjo do të ketë pasoja për Shqipërinë patjetër dhe do të ndodhë pavarësisht nga çfarë ka arritur Shqipëria ekonomikisht. Për t’u dhënë një shembull, nëse kthehemi tre muaj pas, ne parashikuam se rritja ekonomike për Shqipërinë do të ishte 2.5 për qind këtë vit dhe 3.5 për qind për 2012-ën. Në bazë të zhvillimeve që po ndodhin tani, ne parashikojmë një rritje”. Po kështu Bell theksoi se parashikimet optimiste për buxhetin janë një problem, duke sjellë rishikimin e tij në mes të vitit. “Shqipëria ka forca dhe ne i theksojmë ato - sistemi solid bankar, një sistem që ndryshe nga sistemet bankare evropiane ende po jep kredi me një ritëm të lartë, - vijoi Bell. - Shohim një rritje të shëndetshme të kreditit në Shqipëri, që nuk e shohim në shumë vende të tjera. Në vend ka besim tek sistemi bankar dhe depozituesit janë të qetë të fusin paratë e tyre. Shohim disa pika të forta strukturore për një mjedis të favorshëm biznesi që jep nxitje për investimet e huaja direkte. Ne kemi shqetësime dhe i kemi theksuar. Ato kanë të bëjnë me borxhin publik”, - tha zyrtari i lartë i FMN-së. Buxheti që po diskutohet tani parashikon një rritje të shpenzimeve primare prej vetëm pak më shumë se 2 për qind dhe ky është një buxhet i vështirë, që do ta quaja ideal nëse borxhi publik do të ishte 30 apo 40 për qind e GDP-së. Por fatkeqësisht, borxhi publik është gati 60 për qind dhe në këtë mjedis edhe ai buxhet shumë i vogël ka rreziqe të mëdha”, - shtoi ai. Zyrtari i FMN-së tha se qeveria shqiptare ka dy përqasje ndaj borxhit. “Një është mbajtja nën kontroll e rritjes së shpenzimeve dhe këtë e kanë bërë. Tjetra është shpresa për një rritje më të mirë ekonomike. Por parashikimet tona kanë qenë të sakta gjatë tri viteve të fundit”, - shtoi ai. Sipas tij, nëse parashikimet e tyre realizohen, do të bëjnë përparim për pakësimin e borxhit. “Por pikëpamja jonë është se kjo është shumë e rrezikshme. Ne kemi rekomanduar shqyrtimin e të dy elementëve – për uljen e borxhit duhet të përmirësohen të ardhurat dhe të ulen shpenzimet. Mbajtja e shpenzimeve tek 2 përqindëshi është një objektiv ambicioz, nëse nuk parashikon ndryshime strukturore si pakësimi i shërbimeve sociale apo i shërbimeve publike. Nëse nuk i bën këto, është pothuajse e pamundur të mbash shpenzimet tek 2 përqindëshi. Nga ana tjetër është e vërtetë se, nëse rritja ekonomike do të jetë më e lartë, edhe të ardhurat do të ishin më të larta. Në këtë buxhet, sipas mendimit tonë, është llogaritur një rritje prej 8 për qind të të ardhurave, që është sigurisht shumë optimiste”.

B.Hoxha

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›