SHENIM/ Rrëfimi i Ina Ramës, injoranca e Blendi Fevziut dhe avokatët e Metës
Kryeprokurorja Ina Rama kishte zgjedhur ekranin më të zjarrtë të qeverisë, emisionin më pro- qeveritar në këtë vend, për tu përballur me akuzat më absurde që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri.
Që në fillim të intervistës, Blendi Fevziu, njeriu që drejton emisione politike në këtë vend që prej 15 vitesh, e pyeti menjëherë kryeprokuroren se a ka frikë nga televizioni për shkak se del rrallë përpara medias. Ishte një pyetje e kodoshit mediatik, që ishte përgatitur të gozhdonte Inën e ndrojtur, që rrallë shfaqet në ekrane. Diçka e tillë për sojin e Fevziut tregon se ajo është e paaftë për tu përballur me gjigantin e ekraneve. Por përgjigjet e zonjës Rama nxorën në pah injorancën e një drejtuesi që ka kaq shumë vite që nuk është bërë dot gazetar, por ka mbetur thjesht një shërbëtor pushteti. Pasi pa që u bë qesharak, nisi të mbrohej me frazën më absurde që kanë shpikur gazetarët dhe analistët në këtë vend: Nuk jam ekspert i fushës. Askush nuk kërkonte që Fevziu të ishte prokuror apo avokat aty, por ai duhej të ishte gazetar që pyet. Dhe ai nuk di të bëjë atë për të cilën paguhet në shifra stratosferike: të pyesë. Kujton se duhet të jesh prokuror që të gozhdosh një prokurore, kur një gazetar i mirë, i qartë dhe i informuar mund të gozhdojë një prokurore, madje pa u lodhur që të bëjë pyetje të komplikuara. Në vend të kësaj ai zgjodhi të pyeste kryeprokuroren bazuar vetëm në thashethemet e kryeministrit Sali Berisha, madje në shumë raste as nuk i referohej fare mazhorancës dhe Berishës për broçkullat që pyeste, por i nxirrte nga goja si fakte të vërteta. Aq shumë u shpërfaq injoranca e tij sa filloi ta quante si burim të së vërtetës… Ylli Manjanin. E meqë jemi tek LSI, besoj e vutë re sa shumë pyetje kishte nga avokatët e Metës, pyetje që vinin në celularin e Fevziut çdo sekondë. E tmerrshme! Po të ndjekësh trajektoren e daljeve të avokatëve të Metës gjatë gjyqit, pas mbarimit të tij dhe pyetjet e bëra në emision, e kupton se ata nuk kanë pasur aspak lidhje me çështjen në fjalë. Aq pa lidhje dhe aq trillime kishte në pyetjet e tyre ndaj kryeprokurores, sa e kupton që ata njerëz thjesht kanë bërë sekserin në atë gjyq dhe jo mbrojtësin ligjor.
Ndërkohë Ina Rama ishte e qetë. E befasoi Fevziun e mazhorancën kur u tha se nuk ka ndërmend të garojë për një mandat të dytë, ndryshe nga bishat meshkuj e femra të këtij pushteti që nuk dinë të ikin nga karrigia. I la me gojë hapur kur tha se i trembet vetëm ligjit. Pastaj ua rreshtoi të gjitha shkeljet më 21 janar e më gjerë. Tha se nuk besonte tek laboratorët e pushtetit, ia la çështjen e organizatorëve të protestës në dorë policisë, e cila kurrë nuk ofroi ndonjë provë. I tha kryeministrit se fliste broçkulla për zinxhir drejtues të gardës apo për sulm ndaj institucioneve. I la të kuptonte se institucioni dhe sulmi mbi të nuk është gurë e tulla dhe e mbylli duke thënë se Ndrea Prendi është në pikë të hallit, se asnjë plumb nuk ishte rikoshet dhe se akuza ndaj tij nuk ishte për vrasje ndaj një personi, por për vrasje të rrezikshme, pasi plumbat e tij mund të kishin bërë masakër mbi njerëzit që qëndronin jashtë kryeministrisë, në bulevard… aty ku ndodhi ngjarja.
