Komisioni miraton paketën për financimin e partive

Komisioni i Reformës Zgjedhore ka miratuar sot me unanimitet paketën e amendamenteve për kapacitetet e financimit të fushatës elektorale, të subjekteve politike.
Në mbledhjen e sotme, Komisioni i Reformës Zgjedhore, pasi mori në shqyrtim amendamentet e propozuara nga ekspertët në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it miratoi më pas paketën e finacimit për fushatën elektorale të partive.
Këto amendamente kanë të bëjnë me kapacitetet e financimit të fushatës elektorale, të subjekteve politike. Amendamentet konsistojnë në reformimin e parimeve dhe kritereve të financimit të fushatës elektorale si dhe të burimeve publike dhe private të saj.
Në mbledhje morën pjesë dhe ekspertët e huaj të ngarkuar nga OSBE/ODIHR, për të asistuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në veprimtarinë e tij, z. Jessie Pilgrim dhe z. Richard Lappin.