Paralelja e Tadicit

Presidenti serb, Boris Tadic ka deklaruar se çdo marrëveshje lidhur me Kosovën duhet të mbështetet në realitetin në terren. Shqiptarët kurrë nuk do ta pranojnë sovranitetin e Serbisë, as serbët e Veriut kurrë nuk do të pranojnë sovranitetin e Prishtinës.
Në panelin e Forumit të Brukselit “Përafrimi i Ballkanit drejt Bashkimit Europian”, Tadic ka thënë se për shkak të realitetit të këtillë në Kosovë, dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës ka filluar me çështje teknike dhe praktike, të cilat do të duhej të lehtësojnë jetën e njerëzve, në mënyrë që pastaj, ndoshta të vijmë te çështjet e vështira.
Presidenti i Serbisë ka thënë se serbët në Kosovë nuk ndihen si kosovarë, por deklarohen si serbë. I pyetur se kur Beogradi bisedon me Prishtinën, a sheh përpara vetes Kosovën apo SHBA’në, Tadic është shprehur se “i sheh shqiptarët e Kosovës, por edhe ndikimet”.
“Qëllimi im është të zgjidhim konfliktin historik. Serbia po bën përpjekje që me kompromis të zgjidhë problemin historik mes serbëve dhe shqiptarëve që është i vjetër 100 vjet, në mënyrë që të mos ndodhë që njëra palë t’i fitojë të gjitha, e pala tjetër t’i humbasë të gjitha”, ka thënë Tadic.
Për Tadicin nuk është kontradiktore që Beogradi për çdo vit shënon përvjetorin e bombardimeve të NATO’s dhe që Qeveria e Serbisë mban mbledhje të përbashkëta me Qeverinë e Republikës Serbe. “Vendi ynë është bombarduar. Kanë vdekur edhe fëmijë. Çdo vend normal do ta shënonte këtë dhe ne do ta vazhdojmë këtë edhe në të ardhmen”.
Ndërkaq, lidhur me bashkëpunimin me serbët e Bosnjës, ai thotë se Serbia ka qasje në përputhje të plotë me Marrëveshjen e Daytonit.
“Të jeni të sigurt që Serbia nuk do të bëjë gjë që do të ndikonte negativisht në integritetin territorial të Bosnjës, ashtu si Kroacia. Ne jemi garantues të Marrëveshjes së Daytonit”, ka thënë ai.
Tadic ka theksuar se pajtimi është një nga kushtet themelore për përparim në Ballkan. Situata në rajon, sipas tij, është plotësisht ndryshe në krahasim me disa vjet më herët dhe se vizion i përbashkët i Ballkanit është Bashkimi Europian.
Kur është fjala për bashkëpunimin rajonal, Tadiq ka theksuar se pajtimi është një nga kushtet themelore për përparimin e Ballkanit, ndërsa situata në këtë pikëpamje sot është “shumë e mirë dhe tërësisht ndryshe se para disa vjetëve”.
“Kemi vizion të përbashkët të qartë si kristali, dhe ky është Bashkimi Evropian”, ka përfunduar ai.
Në forum ka folur edhe Kryeministri malazez, Igor Luksic, i cili është pajtuar se ekziston vizioni i përbashkët i rajonit për në BE. Ai ka theksuar se vendeve të Ballkanit, Bruskeli duhet dërguar edhe sinjale pozitive, e jo vetëm detyra.
Zëvendësdrejtori për Zgjerim i BE’së, Stefano Sannino, ka deklaruar se në Bashkimin Europian nuk ka lodhje nga zgjerimi i mëtejmë. Sipas tij, nëse aktualisht BE’ja ka prioritete të tjera, “nuk do të thotë se Brukseli e ka harruar rajonin”.
Pjesëmarrës në Forumin në Bruksel ka qenë edhe anëtari i Kongresit amerikan, republikani Michael Turner. Ai tha se krahasuar me situatën në vitin 1996, kur për herë të parë kishte vizituar Ballkanin, tani është arritur një përparim shumë i madh.
Kongresisti amerikan është shprehur se 15 vjet pas Daytonit, “ndoshta së pari duhet të zgjidhet çështja e Kosovës, e pastaj të zgjidhet edhe problemi i Bosnjës dhe të gjitha telashet e tjera në rajon”. Sipas tij, ndoshta do të duhej të organizohet Daytoni II, për zgjidhje të të gjitha problemeve të hapura, duke përfshirë Bosnjën dhe Kosovën.