SHISH dhe negociatat përplasin sot PD-në me PS-në

Seanca e sotme parlamentare, që është edhe e fundit e këtij sesioni parlamentar, pritet të shoqërohet me debate të shumta mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, nisur nga çështjet e mprehta që pritet të diskutohen. Palët pritet të diskutojnë ashpër dhe të mbajnë qëndrime të kundërta për ndryshimet në ligjin e shumëpërfolur të Shërbimit Informativ Shtetëror, pas gjasave të vogla të tërheqjes së demokratëve nga kjo nismë. Nga ana tjetër pritet që debatet të mos mungojnë edhe për sa i përket dështimit të negociatave të treta mes PD-së dhe PS-së, për ngritjen e një komisioni parlamentar, që do të hetonte zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të shkuar. Miratimi nen për nen i buxhetit të reduktuar për gjysmën e vitit 2010 pritet të rikthejë në sallë edhe debatin ekonomik, i cili ka qenë në këto kohë i pranishëm mes palëve.
SHISH-iDebatet më të zjarrta dhe kundërshtitë pritet të jenë sot në sallën e Parlamentit për sa i përket një rikthimi me shumë gjasa të ndryshimeve të ligjit të SHISH-it. Paralajmërimi i bërë nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, se PD nuk do të hiqte dorë nga nisma e ndërmarrë për kufizimin e mandatit të kreut të SHISH-it dhe konfirmimi që Kryeministri Berisha i bëri këtij qëndrimi, do të rihapë sot debate të shumta për këtë nismë. Kjo për shkak të vendosmërisë së socialistëve, për të mos e pranuar nismës. Situata pritet të komplikohet edhe për shkak se aleatët e afërt të PD-së në qeverisje, Lëvizja Socialiste për Integrim kanë marrë qëndrim kundërshtues ndaj nismës që kërkohet të ndërmerret sot nga demokratët. Parlamenti pritet të përballet sot me kërkesën e demokratëve për të kufizuar mandatin e kreut të SHISH-it me pesë vjet. Po kështu, sipas tyre, kreu i aktual i SHISH-it mund të qëndrojë edhe gjashtë muaj të tjerë në detyrë, përpara se t’ia kalojë stafetën zëvendësuesit të tij. Ajo që është e sigurt për seancën e sotme lidhet me faktin se demokratët janë tërhequr nga nisma e tyre, për të bërë ndryshime të mëtejshme në ligjin e SHISH-it, që lidhen me funksionimin e brendshëm të këtij institucioni me rëndësi të veçantë.
NegociatatDeputetët e mazhorancës dhe të opozitës nuk do të lënë pa prekur në seancën e sotme edhe dështimin e negociatave të treta mes PD-së dhe PS-së për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Fundi i negociatave, sipas një marrëveshjeje paraprake, do të ishte fundi i muajit korrik, nisur dhe nga fakti se kjo kohë përkon edhe me seancën e sotme parlamentare. Por mosgjetja e një zgjidhjeje për “fatin” e fletëve të votimit, bënë që sot, në seancë, të mos ketë asnjë draft të përbashkët kompromisi, mbi të cilin palët të mund të votojnë. Dështimi i negociatave të radhës pritet të ketë kosto të madha politike për sa i përket integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prej kohësh, përfaqësuesit e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare kanë theksuar se gjetja e një kompromisi mes palëve për krizën politike, që po vazhdon prej një viti, është kusht i rëndësishëm për vazhdimin e rrugës së Shqipërisë drejt integrimit. Pritet që muaji shtator, në të cilin do të çelet dhe sesioni i ri parlamentar, të jetë një shans më tepër mes palëve, për të gjetur konsensus për këto çështje të mprehta.
#