E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasësja seriale braktiset nga avokati

Vasilis Tsausis u tërhoq dje nga mbrojtja e Evangjelia Zhangës. Hetuesit: Kishte 13 bashkëpunëtorë

Jep dorëheqjen avokati i Evangjelia Zhangës, gruas me origjinë greke, e cila ka lindur në Dhivër të Sarandës dhe akuzohet për vrasjen e të paktën dy burrave në shtetin fqinj.

Avokati i Zhangës, Vasilis Tsausis, është shfaqur dje paradite në televizionet greke, për të mbrojtur klientin e tij. Por në mbrëmje është mësuar se ai kishte dhënë dorëheqjen nga çështja, pa dhënë ndonjë sqarim bindës për arsyet e vendimit. Avokati Tsausis e kishte ngritur strategjinë e mbrojtjes mbi argumentin e mungesës ekstreme të korrektesës nga ana e partnerëve të Evangjelia Zhangës në biznese e sipërmarrje të ndryshme. Sipas tij, rrengjet që i kanë punuar partnerët në biznes e kanë nxitur gruan të kryejë veprime ekstreme. Avokati është përpjekur të zbehë deri në mohim prirjen natyrale të klientes së tij për të qenë vrasëse, duke thënë se instinkti i vrasësit nuk mund të jetojë në shpirtin e një gruaje të bukur. Por dje në mbrëmje është përhapur lajmi se avokati e ka braktisur “gruan e bukur” që kishte marrë përsipër të mbronte. Avokati nuk ka dhënë sqarime lidhur me dorëheqjen, por mediat greke kanë aluduar se ai mund të jetë tronditur edhe nga makabriteti i krimeve të Evangjelias, e cila u pagëzua si “gruaja merimangë” për shkak të sjelljes së ngjashme me merimangën e vogël me emrin “vejusha e zezë”, që vret mashkullin pas çiftimit.

13 bashkëpunëtorë

Transmetimet maratonë të televizioneve greke rreth historisë së vrasëses seriale nga Dhivri i Sarandës kanë vijuar me po të njëjtin intensitet edhe dje.

E reja që u është shtuar dje informacioneve mbi këtë ngjarje lidhet me viktimën e fundit të Evangelia Zhangës. Bëhet fjalë për 40-vjeçarin Tasos Tcagaropulos, biznesmeni që u muros pas ekzekutimit poshtë pllakës së dushit në bodrumin e shtëpisë, ku banonte me qira. Hetuesit kanë mundur të shkëpusin dje nga goja e “merimangës” së arrestuar pohimin se ishin mosmarrëveshjet ekonomike me Tcagaropulos, që e shtynë atë ta ftojë në shtëpi me paramendimin dhe skenarin e menduar se si do ta zhdukte. Kjo ka qenë e lehtë për 54-vjeçaren, të cilën biznesmeni e shfrytëzonte prej vitesh për seks kundrejt pagesës.

Hetimi i është kthyer edhe një herë në mënyrë publike dje përmes kanaleve televizive idesë së nënvizuar dhe të përforcuar nga prova të reja, se gruaja monstër nuk vepronte e vetme. Rrezja e vënies nën hetim e në vëzhgim e njerëzve të tjerë rreth saj po zgjerohet me shpejtësi. Bëhet fjalë për të paktën 13 persona që mendohet se kanë qenë në shërbim të saj dhe bashkautorë të krimeve që kanë si autore kryesore Evangjelia Zhangën.

“Konkurrencë” me Botërorin

I dërguari i kanalit “ANT1” në Janinë, gazetari Vasilis Hitos, tha për gazetën “Shqip” se shikueshmëria e kanaleve më të mëdha kombëtare greke, që kanë hedhur dritë mbi episodet dhe teknikat e vrasjeve të realizuara nga e mbiquajtura “grua merimangë”, ka shënuar shifra të krahasueshme me ato të Kampionatit Botëror. “Aq më tepër pas marrjes së valixheve të skuadrës sonë kombëtare nga Botërori”, thotë ai.

Reporteri i “ANT1” në terren shton se tema e thrillerit të gruas vrasëse nga Shqipëria ka ngjallur po aq interes për grekët, sa edhe debati i hapur për kufirin e ri të moshës për daljen në pension, i cili nga trojka europiane kërkohet të jetë 65 vjeç, ndërsa nga qeveria greke 60 vjeç”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›