SHISH raporton sot në Kuvend
Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Bahri Shaqiri do të raportojë sot në Kuvend mbi punën 1 vjeçare të institucionit që ai drejton. Deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare do të pyesin kreun e SHISH mbi veprimtarinë e këtij institucioni. Mësohet se kreu i SHISH ka dërguar vetëm një kopje raporti në Kuvend, madje ka kërkuar që ai të mos fotokopjohet më tej. Kopjen e vetme të raportit e disponon vetëm kreu i Komisionit Leonard Demi. Deputetët e tjerë do të pajisen sot me nga një kopje raporti por ata do të duhet ta dorëzojnë atë përsëri. Nga ana tjetër edhe mbledhja e komisionit mes deputetëve dhe kreut të SHISH do të bëhet me dyer të mbyllura. Media nuk do të mund të sigurojë informacion rreth këtij raporti, pasi SHISH kërkon zbatimin e ligjit për ruajtjen e sekreteve shtetërore.