Basha: Brenda një kohe të shkurtër Shengen ballkanik
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, tha dje se synimi i Qeverisë shqiptare është vendosja sa më shpejt e Shengenit ballkanik, ku të gjithë qytetarët e rajonit të lëvizin pa vizë dhe pa tarifa në vendet fqinje. Këtë deklaratë Basha e bëri gjatë takimit të mbajtur dje në Tiranë të Iniciativës për Migracionin, Azilin dhe Refugjatët (MARRI). "Synimi ynë kryesor është të përcaktojmë brenda një kohe të shkurtër një kalendar realist për arritjen e Shengenit ballkanik, lëvizjes së lirë të qytetarëve të të gjithë vendeve tona pa barriera administrative, kufitare dhe tarifore. Prioritet madhor mbetet forcimi i kontrollit të kufijve për të siguruar një rajon me kufij të papenetrueshëm nga krimi transkufitar dhe transkombëtar, një rajon i cili eksporton vetëm siguri drejt vendeve të BE", tha Basha. Duke përmendur si prioritete të kësaj iniciative forcimin e kontrollit të kufijve dhe krijimin e një banke të dhënash të përbashkët mbi të gjitha fenomenet e migracionit me të cilat përballen vendet tona, Ministri Basha nënvizoi edhe rëndësinë e rajonalizimit të përvojës të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, e cila operon me sukses të plotë në Durrës. "Shpreh bindjen se hapat domethënës që janë hedhur në plotësimin e të gjitha kushteve, duke përfshirë edhe kushtet shtesë për liberalizimin e vizave do të konkretizojnë së shpejti lëvizjen e lirë edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës", tha Ministri Basha. Në të njëjtën kohë ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmuth Lohan, theksoi se objektivi për të vendosur Shengenin ballkanik është ambicioz. "Synimi i presidencës shqiptare të MARRI-t për të krijuar kushtet për hequr pengesat e lëvizjes së lirë në rajon, për të krijuar një zonë të Shengenit ballkanik padyshim që mund të duket ambicioz. Sigurisht që ekziston forcë logjike që shumë shpejt, shumë vende të rajonit do të përfitojnë udhëtim pa viza drejt vendeve Shengen dhe kjo përfshin sigurisht që të gjitha këto vende të përmbushin të njëjtat standarde,por jo vetëm ato standarde në fushat e sigurisë së dokumenteve dhe të kufijve. Në këtë mënyrë vendet e rajonit do të mund t'u japin njëri-tjetrit një votë", tha Lohan.