Shtyhen emërimet në Kushtetuese
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtetuese pritet të plotësohet me emrat e rinj vetëm në fund të shtatorit. Dhe pse i ka mbaruar mandati i kryetarit, gjyqtari Vladimir Kristo ka mbledhur pak ditë më parë të gjithë anëtarët e kësaj gjykate, për t’u kërkuar të marrin çështje të reja për shqyrtim. Kristos i mbaroi mandati më 7 qershor, por situata politike nuk ka bërë të mundur plotësimin e të gjitha vendeve vakante në këtë gjykatë, kur duhet të plotësohen dhe katër vende të tilla. Vetëm plotësimi i të gjithë vendeve vakante dhe mandati i plotë i gjyqtarëve do të bëjë të mundur zgjedhjen e kryetarit të ri të Kushtetueses nga radhët e saj. Por koha e plotësimit të të gjithë vendeve pritet të zgjasë e për këtë arsye kryetari në detyrë i saj, Vladimir Kristo mblodhi anëtarët e saj duke u komunikuar atyre dhe pamundësinë e plotësimit të të gjithë vendeve nga ana e Presidentit, para mbylljes së sesionit veror të Parlamentit. Kristo mësohet t’u ketë thënë gjyqtarëve se sipas informacioneve nga Presidenti, plotësimi i vendeve vakante pritet të bëhet menjëherë me nisjen e sesionit të ri të Parlamentit. Për këtë arsye ai u ka kërkuar, si gjyqtarëve të cilëve u ka mbaruar mandati, Sokol Sadushi, Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza, por dhe dy gjyqtarëve të rinj Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja, që të marrin për shqyrtim si relatorë çështjet e shumta që janë në pritje për t’u gjykuar. Por për gjyqtarët që pritet të largohen sapo të miratohen emrat e rinj, u janë dhënë çështje jo shumë të rëndësishme, të cilat nuk duan dhe shumë kohë studimi dhe gjykimi. Nëse për gjyqtarët e kësaj gjykate, ligji përcakton se me mbarimin e mandatit ata qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tij, për kryetarin e saj, nuk ka një përcaktim të tillë, pra ai lë menjëherë detyrën e kryetarit. Për kryetarin aktual, Kristo, sapo ka mbaruar mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ai vazhdon të jetë gjyqtar deri në fund të mandatit nëntë vjeçar. Përgjegjësia e kryetarit të kësaj gjykate është dhe administrative, pra ai drejton dhe aktivitetin e të gjithë gjykatës dhe jo vetëm procesin gjyqësor. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 12 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, “përgatit, thërret dhe drejton seancat plenare të kësaj gjykate, bashkërendon punën mes gjyqtarëve, përfaqëson gjykatën në marrëdhëniet me të tretët, si dhe nënshkruan aktet e saj, por dhe drejton punën e administratës së saj”. Por sipas po këtij ligji, Kristo ka të drejtë të rizgjidhet sërish në krye të këtij institucioni. Kristo mori mandatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2007 dhe në qershor të po atij viti u zgjodh kryetar i saj. Procedura e zgjedhjes së kryetarit të kësaj gjykate është e njëjtë me atë të zgjedhjes së anëtarit të saj, pra “Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh, me të drejtë riemërimi brenda mandatit të gjyqtarit”, përcaktohet në nenin 7 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Por koha e shkurtër, vetëm një javë e mandatit të kryetarit aktual, nuk premton një zëvendësim të tij në kohë, pasi ende nuk janë dekretuar katër anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe dhënia e pëlqimit për to nga ana e Parlamentit.
Gjyqtarët pa mandat
Kujtim Puto 01.04.2010
Fehmi Abdiu 27.04.2010
Sokol Sadushi 27.04.1010
Xhezair Zaganjori 21.05.2010
Petrit Plloci 21.05.2010
Admir Thanza 21.05.2010
U miratuan nga Parlamenti
Altina Xhoxhaj 21.05.2010
Bashkim Dedja 21.05.2010
U rrëzua nga maxhoranca
Vangjel Kosta 21.05.2010