E Diel, 1 Nëntor 2026

SHISH zbulon tri vajza me 8 kg heroinë

Gazeta Shqip

Dy motrat dhe një shoqe do të udhëtonin drejt Italisë me mjetin e tyre. Arrestohen në port

Shërbimi sekret ka zbuluar një linjë trafiku droge nga Durrësi drejt Italisë, por këtë herë autorët e narkotrafikut janë tri vajza të reja. Ato mendohet se janë paguar e përdorur nga trafikantë të ndryshëm shqiptarë në Itali për të çuar me mjetin e tyre 8 kg heroinë, por që sasia e konsiderueshme e drogës është sekuestruar në port. Shërbimi Informativ Shtetëror e ka ndjekur këtë operacion nga afër, që kur droga është fshehur në makinë nga punonjësit e një servisi në Durrës, para se vajzat të nisnin udhëtimin drejt Italisë. Gjatë këtij operacioni, tri vajzat janë ndaluar, ndërkohë asnjëra prej tyre nuk ka pranuar të ketë dijeni për drogën, që arrin një vlerë prej 160 mijë eurosh me çmim shumice, ndërkohë që nëse shitet me doza shkon më shumë se 450 mijë euro. Sipas të dhënave policore, fillimisht itinerari është ndjekur nga agjentët e SHISH-it, të cilët kanë njoftuar policinë kufitare, pasi tri vajzat, mes tyre dy janë motra, ishin nisur me mjetin tip Ford Fokus, me targa AA465DD, në drejtim të Italisë. Rreth orës 22:45, pasi automjeti ku udhëtonin tri femrat kishte hyrë në territorin e portit, u ndalua nga patrulla e policisë. Gjatë kontrollit fizik të mjetit të ushtruar nga shërbimi policor, në pjesën e kroskotit u gjetën dy pako të mbështjella me qese të bardhë, brenda së cilave ndodhej një sasi pluhuri, që për nga karakteristikat ngjasonte me lëndën narkotike heroinë. Policia ka nisur kontrollin e detajuar të mjetit dhe në depozitën e karburantit, qeni antidrogë ka gjetur me nuhatje edhe 8 pako të tjera me substancë të ngjashme me të mëparshmen. Nga peshimi rezultoi se në total bëhet fjalë për sasinë prej rreth 8 kg heroinë. Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar automjetin që transportonte lëndën, 5 aparate telefoni celularë bashku me kartat SIM dhe shumën prej 1850 euro. Grupi i gatshëm, që kishte informacionin nga SHISH, ka ndaluar makinën tip Ford Fokus për të kryer verifikimin e shtetaseve, por edhe kontrollin e mjetit, por fillimisht ka hasur në disa kundërshtime nga drejtuesja e automjetit Donika Dervishi, e cila ka refuzuar të zbresë nga makina dhe të lejojë uniformat blu të kryenin detyrën. Pas gjetjes së lëndës narkotike, patrulla e policisë së kufirit ka bërë arrestimin e drejtueses së automjetit, Donika Dervishi 27 vjeçe, motrës së saj, Migena Dervishi, 32 vjeçe, që janë nga Tirana dhe Sonila Popës, 31 vjeçe, banuese në lagjen nr. 8 në Durrës. Gjatë marrjes në pyetje, vajzat kanë deklaruar se nuk dinin asgjë për lëndën narkotike, duke pretenduar se makinën e tyre e kishin çuar në një servis, para se të merrnin rrugën për në Itali. Por, policia dyshon se ato janë transportuese të lëndës së fortë narkotike për ndonjë grup trafikantësh shqiptarë, që ushtrojnë aktivitetin e tyre kriminal në shtetin fqinj. Aktet procedurale të përpiluara lidhur me këtë praktikë për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike iu kaluan për ndjekje Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, ndërkohë që hetuesit e këtij organi akuze pritet të marrin sërish në pyetje tri femrat e ndaluara. Red. Akt.

SHISH zbulon tri vajza me 8 kg heroinë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›