Bllokohen 35 kg drogë në zonën e Freskut në Tiranë
Policia e Tiranës sekuestroi 35 kg kanabis, duke bërë të mundur edhe arrestimin e tre personave, posedues të saj. Policia e Tiranës njoftoi se lënda narkotike u gjet në automjetin e tipit Renault, me targë AA 914 EM, në afërsi të IKV, në zonën e Freskut, me të cilin udhëtonin shtetasit Elis Toçi, 21 vjeç, Agim Hoçia, 56 vjeç dhe Flogert Duka, 27 vjeç, të tre banues në Tiranë. Në momentin e ndalimit nga policia, në këtë mjet u konstatuan dy thasë me ngjyrë të bardhë, të futur në dy qese plastmasi, brenda të cilëve u gjet lënda narkotike e llojit kanabis, me një peshë totale prej 35 kg. Gjatë ecurisë së hetimit për këta persona, u konkludua se kjo sasi lënde narkotike dyshohet se kishte destinacion kryesisht shpërndarjen në zonat e Rrugës së Kavajës, te Zogu i Zi, rruga Myslym Shyri në Tiranë, si dhe trafikimin në vendet fqinje me Shqipërinë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia e bimës narkotike, tre telefona të markave të ndryshme, si edhe automjeti.
Bllokohen 35 kg drogë në zonën e Freskut në Tiranë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip