Grabitësit që qëlluan policinë, gjendet bluza e njërit prej tyre
Nga hetimet rezulton se ata kanë kryer dy grabitje të tjera brenda asaj nate
Vlorë – Dy grabitësit, të cilët qëlluan patrullën e policisë, kanë kryer dy vjedhje të tjera me armë gjatë natës, kur grabitën edhe karburantin, ku u përplasën me uniformat blu. Faktet e reja vijnë prej hetimeve të kryera nga Policia e Vlorës, e cila shprehet se i ka identifikuar dy të dyshuarit, ndërkohë që ka gjetur edhe bluzën e hedhur të njërit prej tyre. Ndërkaq, policia ka sekuestruar edhe kamerat e dy karburanteve të grabitura, të cilat kanë fiksuar disa pamje nga dy grabitësit. Burimet policore nga Vlora bëjnë të ditur se ka filluar procedimi penal për dy persona të identifikuar dhe po punohet për kapjen e tyre, pasi kanë kryer tri vjedhje me armë dhe kanë qëlluar ndaj forcave të policisë. Sipas të dhënave, më datë 23 gusht, rreth orës 03:36, te një karburant në rrugën Trasballkanike, në lagjen Pavarësia, me administrator Andon Markun, 45 vjeç, banues në Vlorë, dy personat e identifikuar, me maska dhe me një armë automatik, kanë goditur me qytë punonjësin e karburantit Neritan Besnik Dervishaj, 27 vjeç, banues në Vlorë. Atij i kanë shkaktuar dëmtime të lehta dhe kanë vjedhur lekët e xhiros ditore. Në këtë moment, patrulla e përgjithshme e policisë, e cila përbëhej nga punonjësit Isuf L. dhe Besnik B., janë afruar me mjetin Policia 2256, por një nga personat e maskuar ka hapur zjarr në drejtim të tyre, duke e dëmtuar mjetin, pa lënduar asnjë punonjës të policisë. Sipas të dhënave policore, autorët e krimit, duke shfrytëzuar rrugicat dhe errësirën, kanë mundur të largohen me shpejtësi. Por, nga informacionet e mëtejshme, të mbledhura nga organi hetimor, ka rezultuar se rreth orës 01:50, në lagjen Rilindja, personi që ka pasur armën, i pamaskuar, nën kërcënimin e saj i ka marrë biçikletën shtetasit Viktor Petref Gjika, 33 vjeç, banues në lagjen 24 Maji. Ndërkaq, rreth orës 07:00 të mëngjesit të po kësaj date, shtetasi Lirjan Ramiz Rrapaj, 55 vjeç, banues në Vlorë, ka kallëzuar se rreth orës 01.30 është vjedhur me armë nga dy persona të maskuar në një tjetër karburant, në lagjen Partizani, me administrator shtetasin Ridvan Bardhyl Mersini, 51 vjeç, banues në Vlorë, ku janë marrë 20 mijë lekë, celulari i punonjësit dhe autorët janë larguar në rrugicat e lagjes, pa përdorur armën. Duke u bazuar në këto fakte, policia ka pasur prova të mjaftueshme për të identifikuar dy autorët, të cilët tashmë janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre. Në cilësinë e provës materiale janë bllokuar 10 gëzhoja automatiku, dy kamerat e karburanteve, biçikleta dhe një bluzë, që është gjetur në afërsi të banesës së të dyshuarve.
Grabitësit që qëlluan policinë, gjendet bluza e njërit prej tyre burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip