Katër persona kapen duke hedhur në treg 10 tonë detergjent fals

Provat e sekuestruara
TIRANE – Katër persona u arrestuan dje në flagrancë, pasi akuzohen se kanë falsifikuar produkte detergjentesh duke i hedhur në treg. Policia e Tiranës tha se në kuadër të operacionit policor të koduar Lenor është bërë sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme afro 10 tonë detergjent larës, i falsifikuar. Gjatë aksionit është bërë edhe sekuestrimi i një magazine në një banesë që shërbente për prodhimin e detergjenteve. Shtetasit Sotir Spiro, 49 vjeç, Besnik Ndoi, 26 vjeç, Gersijan Shehi, 22 vjeç dhe Vangjel Spiro, 53 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, kanë rënë në pranga me akuzat tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë, falsifikim i vulave dhe stampave, shkelje nga e drejta e patentës, ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë. Policia tha se të arrestuarit kanë arritur të kontrabandojnë në Shqipëri nga pikat e kalimit kufitar me vendet fqinje detergjent larës pa asnjë dokumentacion përkatës, pa pullë fiskale etj., me synim prodhimin në ambientet e një banese të ndodhur në afërsi të Burgut 313 në Tiranë. Pas një hetimi disamujor i realizuar në ngarkim të tyre, ka rezultuar se këta shtetas kanë prodhuar pa të drejtën e patentës detergjente larës të firmave të ndryshme, si: Ariel, Lenor, Teros etj. Me anë të pajisjeve, aparaturave ngjitëse tashmë të sekuestruara, kryenin përzierje detergjentesh të firmave Lanza, Bido, Acid, duke realizuar detergjente të falsifikuar Ariel, Lenor e të tjera detergjente. Katër personat janë vënë në pranga në flagrancë përgjatë momenteve të transportimit të mallrave detergjente në pika të ndryshme shumice e pakice në Tiranë, në automjetin tip furgon Wolkswagen me targa Tr. 6667 U. Vlera e mallit së bashku me pajisjet që shërbenin për prodhimin dhe përzierjen e detergjenteve, arrinin në vlerën prej 100 mijë eurosh.
PROVAT E HETIMIT
Policia e kryeqytetit gjatë arrestimit të katër personave, të akuzuar për falsifikim stampash e vulash, ka sekuestruar edhe një sërë provash materiale. Kështu mësohet se janë bllokuar pajisje detergjentesh larës, pajisje ngjitëse të ambalazhimit, peshore të ndryshme, karrocë e transportimit të mallrave detergjente dhe mbi 100 arka me detergjente dhe ilaçe të ndryshme larës.