Vrasja në Yzberisht, grabitësi studioi disa ditë marketin
Gruaja e viktimës, përballje me 200 fytyrat e personave, kontingjent për grabitje
Fotot
Shpërblimi
Policia ka publikuar disa foto të vrasësit, duke ofruar edhe 10 mijë euro shpërblim për personin që mund ta njohë
Dëshmia
Bashkëshortja
Policia do të marrë në pyetje bashkëshorten e viktimës, pasi ajo ndodhej përballë grabitësit dhe mund ta njohë atë
Policia dhe familja kanë hedhur poshtë versionin e vrasjes së pronarit të marketit në Yzberisht për konflikte, duke u përqendruar në një grabitës, i cili endet i lirë nëpër rrugët e Tiranës, ndërkohë që mund të jetë edhe përdorues droge. Grupi hetimor dyshon se ai e ka vëzhguar disa ditë marketin, duke planifikuar momentin e grabitjes, kështu që do të studiohen edhe pamjet e tjera të kamerave të sigurisë, të marra gjatë ditëve para vrasjes së Petrit Kurtit, i cili sipas përllogaritjeve të grabitësit, por edhe dëshmive të tjera të marra nga policia, nuk duhej të ishte në market në ato momente tragjike. Nga ana tjetër, policia pritet të marrë në pyetje bashkëshorten e Kurtit, e cila ndodhej vetëm pak metra larg vrasësit të burrit të saj dhe mund të ketë fiksuar fytyrën e tij. Ajo do të përballet me foto të ndryshme të kontingjentit kriminal, që policia e kryeqytetit ka për ngjarje të tilla, me shpresën se mund të njohë ekzekutuesin e të shoqit 53-vjeçar. Madje, për ti ardhur në ndihmë hetimit, grupi hetimor ka publikuar edhe fotot e nxjerra nga filmimet e kamerave të sigurisë, ku duket fytyra e grabitësit, ndërkohë që gjatë dy ditëve, policia ka shoqëruar mbi 30 veta si të dyshuar për këtë krim të rëndë.
Gruaja e viktimës dhe kontingjenti
Megjithatë, hetimet kryesore janë përqendruar në organizimin që ka bërë autori i vrasjes për grabitjen e marketit. Ai mendohet se disa ditë radhazi ka qëndruar pranë marketit, mund të ketë hyrë edhe brenda për të blerë, me qëllim për të studiuar të gjithë terrenin para se të grabiste. Ky dyshim është ngritur edhe nga dëshmitë e mbledhura prej grupit hetimor, ndërkohë që pritet të hedhë dritë më shumë te kjo pistë edhe bashkëshortja e viktimës, e cila mund ta ketë njohur autorin e vrasjes. Por, grupi hetimor do të studiojë të gjitha pamjet e ditëve të fundit të regjistruara, duke studiuar si lëvizjet, ashtu edhe tiparet e njerëzve që kanë hyrë në market, apo kanë qëndruar jashtë tij, e më pas do i krahasojnë me karakteristikat e grabitësit. Ndërsa gruaja e viktimës do të japë një dëshmi të detajuar mbi këtë krim të rëndë edhe për bisedat e zhvilluara me autorin e krimit, i cili ka qëndruar për disa çaste në dyqan. Policia ka nxjerrë mbi 200 foto të kontingjentit kriminal, që përputhen me gjatësinë dhe karakteristikat e tjera të grabitësit, të cilat do të shikohen nga bashkëshortja nëse arrihet të identifikohet ndonjë prej tyre.
Shoqërimet dhe fshehja e autorit
Nga ana tjetër, agjentët e antikrimit, që nga momenti i krimit e deri dje në mbrëmje, kanë shoqëruar mbi 30 të dyshuar për krime të ndryshme në kryeqytet, kryesisht në fushën e vjedhjeve. Ata janë pyetur në cilësinë e personave nën hetim, por asnjë prej tyre nuk është ndaluar, pasi nuk ka prova plotësuese për ngjarjen. Sipas të dhënave nga oficerët e kriminalistikës, autori i ngjarjes së rëndë, mund të jetë edhe ndonjë përdorues droge, i cili mund të jetë mbyllur brenda në shtëpi, pasi kontrollet në zonë kanë qenë të shumta dhe nuk është parë ndonjë person i dyshuar. Gjithashtu, dyshimet për përdorues droge janë shtuar edhe për shkak të lëvizjeve të studiuara që kryente ai në momentin e krimit, ku në kokë mbante një kapele të kuqe, ndërkohë që kishte veshur xhins blu dhe një bluze blu me vija të bardha në krahë. Për këtë, policia ka publikuar dje edhe disa foto të grabitësit, me qëllim që komuniteti ti vijë në ndihmë policisë për zbardhjen e këtij krimi të rëndë, pasi provat janë shumë të pakta.
Gushti, dy vrasje nga grabitësit
Kjo grabitje, me pasojë vdekjen e tregtarit, e rëndon edhe më shumë situatën kriminale në Tiranë, pasi rezulton e dyta e të njëjtit lloj brenda një muaji në Tiranë. Madje, policia ka përsëritur dje se ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh për kapjen e autorit të vrasjes. Në ngjarjen e parë, u vra me thikë një grua për grabitje, ndërsa kësaj here u ekzekutua me dy plumba pronari i një marketi. Për ngjarjen e parë, bëhet fjalë për grabitjen te Fusha e Aviacionit, ku humbi jetën Fatbardha Tafaj, për ekzekutimin e së cilës është arrestuar Aldo Hoxha. Edhe për këtë vrasje, Policia e Tiranës vuri në dispozicion 10 mijë euro për informatorët, por deri më sot, provat për zbulimin dhe dokumentimin e plotë të saj mbeten në dyshim, pasi është arrestuar vetëm një autor dhe, ende nuk ka asnjë provë për identifikimin e bashkëpunëtorit të tij.
Hetimet
Grupi hetimor i krimeve të rënda dyshon se autori është përdorues droge dhe për disa ditë ka studiuar marketin për ta grabitur
Vrasja në Yzberisht, grabitësi studioi disa ditë marketin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip



