E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rihapja e çështjes së “14 shtatorit”, akt me motive politike

Reagon PLL

TIRANE - Rihapja e procesit gjyqësor “Kryengritja e armatosur e 14 shtatorit 1998”, duket se këtë radhë ka prekur persona politikë, siç është rasti i deputetit të partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia. Për të sqaruar të vërtetën mbi thirrjen e deputetit Spahia si i pandehur në këtë proces gjyqësor ka reaguar sekretari politik i PLL-së, Sulejman Gjana, I cili në emër të kësaj partie e ka cilësuar këtë proces si një akt me motive të qarta politike dhe me synime të errëta për të goditur maxhorancën qeverisëse dhe PLL-në, duke çorientuar opinionin dhe asfiksuar organet e drejtësisë me procese gjyqësore që kanë për bazë akuza të fabrikuara. Për të sqaruar pozicionin e Spahia në këtë proces Sulejman Gjana, sekretar politik i PLL-së, tha në një deklaratë për shtyp se “kryetari i kësaj parti, Ekrem Spahiu, njëherazi zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është thirrur dje si i pandehur për t’u pyetur në çështjen penale, me akuzë për të ashtuquajturën “Kryengritje e Armatosur e 14 shtatorit 1998”.
Nisur nga ana procedurale, Gjana sqaroi se kjo thirrje është bërë në bazë të një kërkese të prokurorit Ylli Bedalli, për rifillimin e ndjekjes penale ndaj Ekrem Spahiut.
“Spahiu u hetua një herë dhe për një kohë të gjatë, përfshi dhe 19 muaj heqje lirie”.
Duke kujtuar hyrjen në fuqi të ligjit të dosjeve, si dhe duke vënë theksin tek figura e prokurorit të çështjes, Gjana vlerësoi se “PLL konsideron se është çudi e radhës dhe ironi e fatit që pas 18 vitesh demokraci dhe pikërisht një dite pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të larte të administratës dhe të zgjedhurve” një eksponent i organeve të drejtësisë të diktaturës komuniste, si Ylli Bedalli, merr guximin të provokojë e të kërkojë rihapjen e një gjyqi politik ndaj një personaliteti publik dhe kryetari të një partie nacionaliste dhe antikomuniste, përfaqësues i shtresës që prokurori Bedalli dhe sistemi i tij komunist persekutuan për 45 vjet rresht”.
Në deklaratën e tij të gjatë për mediat, Gjana bëri të ditur se gjatë gjithë këtij procesi politik, që zgjat prej më shumë se 10 vitesh, Kryetari i PLL-së Ekrem Spahiu, asnjëherë nuk është ndier i shqetësuar për ndonjë përgjegjësi të tij dhe as nuk ka pasur nevojë që të përdorë si mbrojtje imunitetin parlamentar.
Sekretari Politik i PLL-së, Sulejman Gjana nënvizoi se “Fakti se ky proces gjyqësor nisi që në fillim si një proces i montuar politik kundër opozitës së kohës dhe ku prokuroria gjatë gjithë këtyre 10 viteve nuk arriti të siguronte prova në mbështetje të akuzës së saj ndaj të gjithë të akuzuarve, qofshin këta me ose pa imunitet, tregon fare qartë se segmente të caktuara vazhdojnë akoma t’i shpërdorojnë institucionet e shtetit për qëllime politike. Duke aluduar më tej se ky proces bëhet për qëllime politike, Gjana tha se rihapja e këtij procesi në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit 2009 është tendencioze, pasi sipas tij, prokurori Bedalli i ka pasur të gjitha mundësitë dhe kohën e mjaftueshme për të ushtruar të gjitha kompetencat ligjore lidhur me këtë akuzë nga data 24 shtator 1998, kur e arrestua Ekrem Spahiu. Në këtë kontekst, Gjana shprehu si të arsyeshme nevojën e zbatimit sa më të shpejtë të ligjit “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”, pasi vetë prokurori në fjalë është në konflikt të plotë juridik dhe moral me këtë proces.
Gjykata e Shkallës së Parë për Çështjet Penale e rrethit të Tiranës, shtyu seancën gjyqësore për të ashtuquajturën “Kryengritje e Armatosur e 14 shtatorit 1998”.
Shkak i shtyrjes së seancës gjyqësore u bë mungesa e prokurorit të çështjes, Ylli Bedalli.
Trupi gjykues vendosi që seanca e radhës të zhvillohet në datën 13 shkurt.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›