SHËNIME PËR “SHËNIMET” E MITRUSH KUTELIT (II)
(vijon nga nr. i kaluar)
Nëse depërtohet në një tekst të tijin të rrallë, por të një peshe madhore në botëkuptimin e Kutelit mendimtar, situata kthjellohet edhe më. E kam fjalën për një libërth të panjohur si për jetëshkruesit e Kutelit, edhe për studiuesit e veprës së tij: A. C. Cuza ekonomist dhe doktrinar i nacionalizmit (Bukuresht 1937) me autorin që ka nënshkruar Dr. Dimitrie P. Pascu. I shkartisur mes një vargu veprash “ekonomike” të Dr. Paskos shkruar dhe botuar gjatë veprimtarisë së tij financiaro-bankare në Rumani në vitet ’30, - Mendime përmbi krizën bujqësore (Bukuresht 1931), Tri probleme në lidhje me Bankën Kombëtare të Shqipërisë (Konstancë 1932), Huatë e detyrueshme mbi qarkullimin monetar: dy përvoja monetare në Greqi (Bukuresht 1933), Sistemet e bankave të emetimit të vendeve ballkanike: Greqi, Turqi, Bullgari, Jugosllavi dhe Shqipëri (Bukuresht 1934), Bankat qendrore bujqësore të vendeve ballkanike (Bukuresht 1934), Ekonomi politike: dhjetë ligjërata mbi Monedhë, Kredit, Bankë, Shkëmbim (Bukuresht 1935), Banka Kombëtare e Shqipërisë (Bukuresht 1936), Kriza e kontrollit në shoqëritë mikste (Bukuresht 1936), Tri ente italiane për financimin e industrisë (Bukuresht 1939) etj., - libërthi që analizon doktrinën nacionaliste të A. C. Cuzas nuk ka të bëjë thjesht me interesat profesionalë financiaro-bankarë të “doktorit të ekonomisë”. Për këtë arsye, - por sidomos për arsye që do të vetëkuptohen më poshtë, - as në Shkurtimet e kujtimeve për veprimtarinë e vet në fushën e monedhës e të bankës ai atë nuk e ka zënë ngoje. Pa ngurrim do ta vlerësoja tekstin e këtij libërthi si dëshmi e formimit të botëkuptimit të Dhimitër Paskos/ Mitrush Kutelit.
Është fjala për formimin e një të riu që kaloi 22 vjet, pra gati gjysmën e jetës prej të rrituri, në “dhé të huaj”, sikurse e ka thënë. Krahas trajtimit të tij kombëtar duke përpirë vepra themelore të kulturës së atdheut larg të cilit ndodhej, - Bletën e Mitkos, Valët e Dines, Fjalorin e Kristoforidhit etj., - brenda asaj kulture në të cilën u shkollua ai pësoi edhe një pjesë jo të parëndësi të formimit të vet botëkuptimor. Dhe nuk mund të kuptohet ky formim jashtë rrethanave të veçanta, sociale, ekonomike dhe politike të vendit ku u shkollua dhe punoi. Ato lidhen posaçërisht me dështimet e atyshme të kapitalizmit dhe të demokracisë liberale, që nxitën si rrjedhojë zhvillimin e një lëvizjeje të tërë konservative e cila pati si përmasa të vetat më të spikatura jo vetëm nacionalizmin dhe misticizmin, por sidomos antikomunizmin dhe antisemitizmin. (Ndonjë shprehje e aty-këtushme e shkrimtarit, edhe në Shënimet letrare të tij, për “çifutërinë” nuk ka të bëjë me realitetin shqiptar; shprehje të atilla lidhen me përshkrimin e specifikave nacionaliste të veprës së poetit kombëtar rumun Mihail Eminescu (Poeti Mihail Eminescu, 1939) ose me ato të poetit kombëtar ukrainas Taras Shveçenko (Taras Shevçenko, 1943). Duke komentuar doktrinën e A. C. Cuzas, Dr. Pascu e ka quajtur të nevojshme të vërente: “Antisemitizmi nuk është veçse një aspekt i përkohshëm përkundrejt thelbit të idesë, nacionalizmit, i cili është i përhershëm e i përjetshëm” (f. 24). Më gjerë Volovici: Nationalist Ideology and Anti-Semitism: The Case of Romanian Intellectuals in the 1930s, New York 1991).
Profesori i ekonomisë politike në Universitetin e Jashit Alexandru C. Cuza (1857-1947), akademik dhe politikan, - themelues së toku me Jorgën i Partisë Nacionaliste Demokrate (1901), mandej së bashku me Pavelescun i Bashkimit Nacional Kristian (1923), për t’u shkrirë më mbas me Partinë Nacionale Agrare të Gogas në Partinë Nacionale Kristiane (1935), - mund të thuhet se zotëroi jetën mendore të Rumanisë me mendimin e tij ekonomiko-politik që përbëri doktrinë më vete. “Nacionalizmi ekonomik”: kjo shkollë e re e ekonomisë politike e ka joshur Dr. Pascun në doktrinën e A. C. Cuzas, në kohë e sipër që në vetë atdheun e doktrinarit idetë e tij priteshin gjithë befasim ose përfilleshin si “subversive”; veçan, brenda doktrinës së tij, teza kritike ndaj komunizmit se “kur lufta e klasave hyn në një shoqëri, ajo përbën sëmundje të rrezikshme që e shpie një komb drejt shkatërrimit”. (Akuzat që idetë e A. C. Cuzas, me bazën e tyre konservative, t’i kenë shërbyer si themel “ideologjisë fashiste rumune”, si dhe paraqitja e tij si “avangarda mendore e Gardës së Hekurt”, si “arkitekti intelektual i antisemitizmit modern rumun” etj., janë zmadhime të agjit-propit komunist në rrethanat e njohura të përfundimit të Luftës së Dytë botërore. Për po atë agjit-prop edhe vepra e poetit kombëtar Mihai Eminescu (1850-1889) ka frymëzuar “idetë protofashiste rumune”, “hipernacionalizmin fashist rumun” etj. Një akuzë prej këtij konteksti duket të ketë synuar të përpunonte edhe Shuteriqi kur e klasifikonte M. Kutelin ndër “shkrimtarët fashistë”. Shuteriqi: Letërsia e re shqipe, Tiranë 1950, 153, 154.) Duke lëvizur mes ekonomisë dhe politikës doktrina e A. C. Cuzas i mëshonte rëndësisë së ekonomisë politike në rrethanat specifike nëpër të cilat përshkohej Europa moderne; kjo zhvendosje peshe do të bëjë pjesë në mendimin ekonomiko-politik të Dhimitër Paskos, e pasuruar edhe më, për sa kohë ai do ta ketë mundësinë të ndërhyjë në problemet ekonomike dhe politike të Shqipërisë. Nga shkrimi Fakti politik dhe fakti ekonomik (1944): “Kundrejt faktit politik, që e patmë cilësuar si fakt relativ ose thashethemesh, është fakti ekonomik, i cili është fakt absolut ose fakt realitetesh. Me shumë të drejtë nënëvijon André Lichtenberger në Enciklopedinë Larousse se tani politika është dyke kaluar në një plan të dytë e dyke i lënë vendin ekonomisë, e cila merret me ligjet e prodhimeve, të qarkullimit dhe konsumit të mallrave, pra me mundësitë e jetesës. Pa ngritur materializmin në të vetmin motor të veprimtarisë njerëzore si dhe të vetmin determinant historik, duhet t’i njohim këtij një rol tepër të math në zhvillimin e ngjarjeve e sidomos të luftërave midis popujve edhe brenda tyre midis kategorive të ndryshme” (Fakti politik dhe fakti ekonomik, në “Bashkimi i Kombit”, 8 korrik 1944).
Në apologjinë e tij Dr. Pascu e vlerëson A. C. Cuzan si produkt pikësëpari të teorisë së Sismondit, i cili i ishte kundërvënë konceptimit plutokratist të ekonomisë politike duke zhvendosur nga rrafshi i parë i saj pasurinë dhe duke vendosur aty njeriun. E konceptuar kësisoji, si shkencë etike, ekonomia politike shndërrohej në një dije vërtet morale, që ka si synim “mirëqenien dhe lumturinë e më të shumtëve” (f. 9). Së këndejmi zinte rrugë edhe doktrina e A. C. Cuzas, simbas së cilës shteti, politikisht, lypset të preokupohet jo për konservimin dhe shumëzimin e individëve në përgjithësi, por të atyre që përbëjnë elementin etnik të dalluar i cili formëson shtetin (f. 12). Një tezë e këtillë e detyronte doktrinarin t’i bënte ripërkufizim konceptit të kombit. “Kombi është tërësia e individëve të të njëjtit gjak, të vendosur në një tokë të caktuar, si bazë e domosdoshme e ekzistimit të tyre, duke pasur të njëjtën gjuhë, që e kanë formuar, të njëjtët interesa të larmishëm, të njëjtat aspirata për të ardhmen, dhe duke përbërë, si organizëm, të njëjtën fuqi kulture të përveçme e energjike”: kështu e ka përmbledhur Dr. Pascu pjesën e doktrinës së A. C. Cuzës që e ka tërhequr në mënyrë të veçantë (f. 21). Posaçërisht e ka ngashënjyer atë teza të cilën e ka nënvizuar: “Mund të mësosh kinezçe, por me këtë nuk bëhesh kinez: kombësia nuk mësohet” (f. 22).
Antipodi i idesë së kombësisë është për “doktorin” tonë cuzean kozmopolitizmi. Ndërsa për A. C. Cuzan kozmopolitizmi është një “konstruksion kriminal”, Dr. Pascu nuk e përshkruan atë veçse si një “konstruksion abstrakt” të njerëzve, madje të një kategorie njerëzish vënë në lëvizje, të shumtën e herëve, prej interesash të përkohshëm, subjektivë. Nëse ideja e kombësisë zë një vend në hapësirë dhe në kohë, ideja e kozmopolitizmit është abstraksion spekulativ, pa bazë reale. Duke aplikuar parimin e kombësisë jo vetëm në fushat ekonomike e politike, por edhe në atë kulturore, doktrina së cilës i shpallet ndjekës Dr. Pascu mbërrin në disa ligjësi, ose përfundime, që i japin autorit të saj titullin “doktrinar i nacionalizmit” (f. 23). Duke konstatuar nga studimi i fakteve se nuk ekziston tjetër kulturë - përkatësisht tjetër art dhe tjetër letërsi - përveç kulturës kombëtare si shprehje e gjenisë së çdo kombi, duke pasur çdonjëra vetitë e veta specifike, Dr. Pascu nënvizon se si doktrinari i tij vendos një ligjësi të kombësisë të kumtuar kësisoji: “Kombësia është fuqia krijuese e kulturës njerëzore - kultura është fuqia krijuese e kombësisë” (f. 22). Dhe këtu, më se një herë, nënvizohet prej “doktorit” tonë njëri prej parimeve më të rëndësishme që prej doktrinës cuzeane rrjedhin: “Huajësimi në fushën e ekonomisë shpie, në mënyrë fatale, në huajësimin në fushën e kulturës” (f. 23 dhe vij.). Nëse vihet re kjo tezë, atëherë të dy palë Shënimet, ato letrare dhe ato ekonomike, të botuara të dyja në vitin përçud 1944, do të funksiononin si vëllezërit siamezë duke reflektuar të njëjtin botëkuptim në dy fusha të ndryshme.
“Mitrushi i përrallave”? “Mitrushi i tregimeve të moçme”? Sa janë gabuar ata që kanë kënaqur xhelozitë e veta duke e quajtur kështu! Dhe sa smirë duket t’i ketë pasur pikërisht Shënimet e tij një akuzator mendjezi i partisë, si Dh. S. Shuteriqi, që t’i quante ato “budallallëqe”, ndërsa autorin e tyre: “fjalamani M. Kuteli”, Shuteriqi: Andon Zako Çajupi, në “Literatura jonë”, nr. 7, Tiranë 1950, 45-46! (Mendja e zezë e Shuteriqit do të përkujdesej ta sharzhonte publikisht edhe si “anëtar i Rojës së Hekurt të fashizmit rumun”! - sharzh që nuk gjendet kandar ta ngrejë në kohë e sipër që shkrimtari ishte i sapodalë nga burgu. Shpifja rezulton ahistorike. Çfarë Shuteriqi falsifikator nuk dinte, ose nuk donte ta dinte, ishte se në kohën kur Dr. Pascu shkruante apologjinë për doktrinën e A. C. Cuzas “Komandanti” gjysmëmitik i Gardës së Hekurt, Corneliu Z. Codreanu, ishte ndarë përfundimisht prej Cuzas dhe adeptëve të tij. Shkaku kishte qenë parimor: A. C. Cuza dhe adeptët nuk pranuan përmasën militariste që “Komandanti” donte t’ia shtonte Lëvizjes Legjionare [“Legjionarët e Kryeengjëllit Mikail”], por ngulmonin që Lëvizja të vijonte ta zhvillonte luftën për marrjen e pushtetit vetëm në rrafshet ideologjike e politike. Atëherë “Komandanti” bëri apelin për shpërndarjen e Lëvizjes, thirri ndjekësit e tij në armë dhe u lind Garda e Hekurt. Më gjerë Ronnett: Romanian Nationalism: The Legionary Movement, Chicago 1995). Kuteli (Dr. D. Pascu) ka mbetur qartazi idhtar i doktrinës nacionaliste të Lëvizjes dhe pa kurrfarë lidhjeje me Gardën e organizuar në konflikt me të.
Edhe vetëm analiza dhe komentet që i bën Dr. Pascu doktrinës dhe veprimtarisë politike të A. C. Cuzas - sepse doktrina cuzeane përbënte edhe bazën e një programi politik për realizimin e të cilit vetë Cuza zhvillonte prej dhjetëvjeçarësh një luftë intranzigjente - hapin fusha të gjera hulumtimi për të gjetur pjesën e ndihmës që i takon të ketë dhënë Mitrush Kuteli në mendimin shqiptar në përgjithësi dhe jo vetëm në atë të viteve ’30-’40, një “Siberi mendore”, siç e quante Nirvana.
Por të kufizojmë këtu në mendimin e tij kritik-letrar.
A nuk depërtohet, me këtë çelës leximi, përthellë botëkuptimit të Kutelit mendimtar, gjithnjë më pranë thelbit të mendimit të tij? T’i lexojmë atëherë me një sy të ri Shënimet letrare të tij: Cila është, për të, merita e meritave e Naimit poet? “Që pat gatuar brumin e parë të ndërgjegjësisë kombëtare”. Po ajo e Konicës? Para së gjithave: “vepëronjës i palodhur për lirinë e kombit”. Fishta? Ai është për Kutelin “Bardi kombëtar”. Dhe përse Kuteli ia kthen kujtesës së lexuesve “therorin me rroba të zeza” Papa Kristo Negovani? Sepse “ka qarë me lot të zjarrtë vetëvrasjen e kombit tonë në librën Prishja e Hormovës prej Ali Pashë Tepelenës...”. Arsyeja parësore për të cilën ngulmon në rivlerësimin e veprës së Asdrenit? “Sepse vepra e Asdrenit ka frymëzuar gjeneratën veterane pikërisht kur shpirti i kombit kish etje të pasosur për fjalën e shqipes”. “Ky kalorës i virtyteve të kombit” e emërton ai Asdrenin dhe ndërkaq saktëson: “Poezia e Asdrenit është Shqipëri, domethënë element i pandarë prej tokës, prej frymës dhe aspiracioneve të kombit”. Po poezinë e harruar të Sakolit (Hilë Mosi) përse ndien detyrë ta ringjallë nën pendën e vet? “Sepse Sakoli, si dhe gjithë shkrimtarët e tjerë të gjeneratës së vjetër, kanë vënë artin, vullnetin dhe gjithë veprimin e tyre lëndor dhe shpirtëror në shërbimin e shënjtë të çlirimit të kombit”. Fundja më në fund, ç’është për të tradita dhe, përkatësisht, studimi i traditës? “Do të gjunjëzojmë midis palave të kohës dhe me shpirtin plot respekt për vepra pozitive të mëdha të krijuara prej gjeniut të pavdekur të kombit, do të përpiqemi të shkundim pak nga pluhuri i harrimit të padrejtë që endet në këtë periudhë depresioni shpirtëror” (Një poet rustik: A. Z. Çajupi). Dhe, përsëri, poezia e Çajupit i jep rastin të shfaqë një brengë që zor se do t’i reshtet përgjatë jetës: “Ne nuk kemi kultin e kombit, i cili manifestohet me mirënjohjen për ata që kanë punuar në një kohë të hapin vraga drite nëpër errësirën që zotëronte një herë”.
Mund të vijohet, gjithnjë me këtë çelës leximi, edhe në letërsinë bashkëkohore të tijën, d.m.th. në letërsinë moderne shqipe. Në “vështrimin panoramik” të tij, tanimë klasik, Poeti Fan S. Noli kryet e vendit në analizë e zë ajo e “idealit shoqëror-kombëtar, gjithmonë shoqëror e gjithmonë kombëtar” të poetit. “Ushëtin brenda vjershës së Fan S. Nolit, këtij demiurgu të shqipes, si në vrulle rrëkesh që derdhen tatëpjetë, shpirti gjithmonë i ri i kombit”. Dhe një vit më vonë: “Pushoi vallë, tani, për letrat e shqipes ky burim uji të gjallë që gurgulloi kaqe vjet rrjesht, dhe me të cilin vaditet sot gjithë shpirti i kombit?” Po poeti i tij i paradashur Lasgush Poradeci? “Vargjet e Valles së Dherit edhe vargjet e Zemrës së Dherit përmbledhin përshkrimin e këndimin e Atdheut fizik dhe metafizik, vëndin e kombin të cilët Zogu i Qíejve i pat ngjatjetuar me brithmë e gas që midis fletëve të junapit”. Dhe ja ku, pikërisht në rastin e poetit Lasgush Poradeci, shfaqet koncepti i “gjeniut të kombit”: “Atdheu metafizik është Shqipëria tjatër, Shqipëria shpirtërore: gjuha shqipe me thesaret e stolitë e saj të paçmuarshme të gatuara prej mijëra brezash që u ngritnë e sbritnë në tokën shqiptare si ngrihen e sbresin valët e detit; këngët e lashta me atë njomësi e thellësi pa shoq - prodhimi i gjeniut të kombit; - heronjtë e pavdekur të cilët me dritën e mendimit, me zjarrin e shpirtit e me fuqinë e krahut kanë mprojtur e naltësuar Shqipërinë; përvojtjet, lotët e gjakun e kombit; trimëritë, bujaritë e virtytet e tij; eshtrat e etërve, gjyshërve e stërgjyshërve; koha e kaluar e mvrejtur dhe koha e arthme e kthjelltë...”. Te Lasgushi, si vijues modern i Naimit, zbulon Kuteli vijimësinë e kultit të gjuhës: “Gjuha, ky ekspresion i parë e tipik i kombësisë, është një motiv i kënduar fort dendur. Vjersha Naim Frashërit është që në fillim e gjer në mbarim një himn i shqipes - i shqipes së lashtë e pleqërishte - të cilën e quan “frymë e gojës stërgjyshore” dhe “shpirt i shent’ i kombit”.” Më së fundi, të lexohet edhe një herë ai dialog i kritikut me poetin Izedin Jashar Kutrulija, në të vërtetë monolog me njërën nga vetjet e tij letrare, ku “Dr. Pas”-i e qorton Izedin Jasharin se qenkësh “i vrazhdët”. “Jo, - foli Izedin Jashari. - Unë vetë nuk bëj përveç se të këndoj. Dhe doemos, të këndoj kombin tim, vojtjet e vrullet e racës. Dhe luftën e këndoj. Luftën si mbrojtje të jetës së kombit, të së drejtës së përhershme”. Nëse do t’i kthenim edhe një herë doktrinës cuzeane të pëlqyer qysh në të ri prej Kutelit, do të vihej re se, pikërisht duke folur për veprimet profilaktike në mbrojtjen legjitime të entitetit kombëtar të rrezikuar, nën mësymje, mbërrinte A. C. Cuza te koncepti i “nacionalizmit në mbrojtje”.
Që të kuptohemi mirë për ç’i përket “kultit të kombit” në mendimin e Kutelit: simbas tij shkrimtari nuk mund t’i shërbejë kombit veçse një gjë, me art të madh. E pohon këtë në mënyrë më se të shtjelluar, që të mos na mbetet pikë dyshimi: “Për t’u quajtur shkrimtar ose poet kombëtar nuk nevojitet medoemos shtijzë, dyfek a mitraloz. Mjafton të më shkruash bukur, në gjuhën e pastër të kombit, për vepra e ndjenja fisnike. Ndjenjë e punë fisnike mbi të cilat duhet shkruar është trimërija e flija për fisin e për tokën, kënga e bilbilit (e filomelës, do t`i theshin ata të lashtët), dashurija e trimit për vashën, e vashës për trimin; drita e hënës, valët e liqerit, pika e lotit që shkrep në beben e syrit”. Le të ballafaqohet ky parim me dobiçin e metodës së realizmit socialist: “karakterin kombëtar”, nga rus. nacionalnij harakter. Për parashtrimin e këtij parimi estetik eseja polemike Poetë dhe detraktorë (1944) mbetet një gur shndrize (fr. brillant) në mendimin e tij kritik (më gjerë Plasari: Kuteli midis të gjallëve dhe të vdekurve, pass.). Të tillë, prodhues arti të madh, i kërkonte ai edhe mes letërsisë botërore shkrimtarët e zemrës: Shevçenko, Eminescu, Gogol etj. Sado të duket rrallësi, edhe vetë natyra e tij njerëzore - e një polemisti parapëlqyes sulmesh dhe njëherësh poeti nazik tejmase të ndjeshëm - sikur mishëronte pikërisht këtë kontrastim: “Shpirt zambaku në kraharor hekuri” (rum. “Suflet de crin în piept de fier”) pati qenë formula transfizike e këngëtarit të Lëvizjes Legjionare Radu Gyr, që shkrimtari ynë duket ta kishte njohur dhe e ka renditur mes “poetëve me vlerë” të kohës së tij (Letërsija rumune, 1944).
Aspak për t’u befasuar që një këso mendimtari, i trajtuar me “kultin e kombit”, ta ketë pasur operim të vetvetishëm marrjen e dhënien me vlerat e kombeve të tjera, me emrat e mëdhenj të letërsive të tyre. Kështu vejevijnë në qerthullin e mendimit të tij kritik emra prej mbarë letërsisë botërore. Jo vetëm kur shkruan për ta dhe/ose për veprat e tyre, si për një Khajam, një Shakespeare, një Shevçenko, një Eminescu, një Gogol, një Poe, një Creanga, një Wilde, një Harriet Beecher-Stowe, një Pagnol, një Karaosmanoglu etj. Por edhe më shumë kur shkruan për letërsinë shqipe dhe shkrimtarët shqiptarë thuajse ngaherë në referim me emra si Cervantes, Goethe dhe Schiller, Pushkin dhe Lermontov, Dostojevski dhe Turgeniev, Hercen dhe Gonçarov, Hugo dhe Beranger, Alfred de Vigny dhe Alfred de Musset, Lenau dhe Heine, Flaubert dhe Verlaine, Chamisso dhe Rilke, Ibsen, Leopardi, Conrad, Istrati, Gorki (1943), Croce, Dhronisis etj. Pa ta, i izoluar syresh, Kuteli as mund ta gjykojë, as mund ta kuptojë letërsinë e vet. Të gjithë i ka pëlqyer barabar? Të gjithë i ka dashur njëlloj? Ta pret mendja që jo, as bëhet fjalë për këtë. Por të vihet re: si nuk e hodhi një copëz guri ndaj tyre?! Në qerthullin e mendimit të tij kritik ata vejevijnë kurdoherë nën respektin sovran të shkrimtarit për shkrimtarët.
Jo një herë ka ndodhur që ai të jetë bërë shkasi i introduktimit të tyre në tryezat shqiptare të debatit letrar: si për Elegjinë e robit të André Chenier-së, edhe për Demonin e Lermontovit, si për Baladën e Burgut të Readingut të Wilde-it, edhe për Vjollcat e natës të Bllokut, madje edhe për Tramvajin e arratisur të Gumiljovit, në mos po edhe për “poezinë e planifikuar” të Majakovskit me shokë (“jam kundër Majakovskit...”) (1944) etj.
(vijon në nr. e ardhshëm)