E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Kundërshtimi i hapjes së dosjeve, një prirje e rrezikshme jomorale

Është shumë e debatuar çështja, nëse ekzistojne lidhje midis politikës dhe moralit, a ka politika baza morale, a është morali një imperativ që duhet të zbatohet në marrjen e vendimve politike apo politika është përgjithësisht amorale, pra, pa moral. Referuar filozofisë politike të Greqisë së lashtë, midis politikës dhe moralit ekziston një lidhje e ngushtë. Referuar mendimit makiavelian, politika dhe morali janë krejtësisht të papranueshme për njëri-tjetrin dhe në një konflikt të përhershëm. Me termin politikë, në vija të përgjithshme kuptohet mjeshtëria dhe shkenca e qeverisjes ndërsa sipas një definicioni më të detajuar politika lidhet me praktikën e mjeshtërisë ose të shkencës së drejtimit dhe administrimit të shteteve apo të njësive të tjera politike. Morali perceptohet si një reflektim rreth vendimeve që ndërmerren në mënyrë të lirë dhe lidhet me atë nëse  një veprim cilësohet i mirë ose i keq, i vlefshëm ose i pavlefshem, i virtytshëm ose i pavirtytshëm. Në një kontekst më të gjerë, të moralshme quhen ato veprime të cilat bazohen tek një arsyetim objektiv dhe jo tek interesa të caktuara personale. Politikëbërja apo tërësia e procesit të qeverisjes konsiderohet si një derivat i kontratës midis të qeverisurve dhe qeverisësve. Respektimi i kësaj kontrate, përvec zbatimit të përkufizimeve të caktuara ligjore, kërkon edhe baza morale. Dhe nëse do të pranojmë tezën se politika duhet të ketë gjithmonë moral atëherë do të na duhet të shtrojmë pyetjen se sa e moralshme është politika shqiptare postkomuniste, ne kontekstin, sesa e moralshme është kërkesa për hapjen e dosjeve dhe sa moral ka kundërshtimi i kësaj iniciative?
Shqipëria për gati pesë dekada u shndërrua në një oaz dhune, terrori, frike dhe përndjekjeje. Partia Komuniste e cila drejtonte shtetin nuk ishte gjë tjetër veçse një bandë kriminelësh e cila e shndërroi fenomenin e vrasjes, ekzekutimit, dënimit në një fenomen normal. Studiues të ndryshëm kanë cituar se diktatura komuniste shqiptare kishte tipare të theksuara të modelit të “shtetit familjar” në kuptimin që disa familje me lidhje farefisnore midis tyre drejtonin institucionet shtetërore. Por sa e moralshme është që anëtarë të këtyre familjeve, ish-krerë të dikurshëm institucionesh apo edhe pinjollë të tyre të jenë në krye të institucioneve në një sistem politik demokratik, dhe veçanërisht në krye të institucioneve të drejtësisë? Aspak. Sepse nuk mund të japin drejtësi individë që u kanë shërbyer drejtpërsëdrejti strukturave politike komuniste, që kanë ushtruar pushtet dhe që kanë legjitimuar jo vetëm ligjërisht, por edhe moralisht, serialin e gjatë të vrasjeve, burgimeve e internimeve nga më ekstremet.
Të kërkosh hapjen e dosjeve është një detyrim moral ndaj shoqërisë shqiptare dhe kjo kërkesë nuk është në shërbim të asnjë interesi të caktuar personal, të asnjë ndjenje vetjake por përkundrazi është në shërbim të interesave të një kombi të tërë. Çdo arsye objektive do ta konsideronte këtë veprim si të mirëanalizuar dhe të drejtë, pra, të moralshëm. Por sa e moralshme është kërkesa për të mos i hapur këto dosje, sa e moralshme eshte heshtja ndaj krimeve të komunizmit, sa moral ka fshehja e së vërtetës, e akteve që mund të cilësohen terroriste, sa moral ka tentativa për t’u hedhur sërish hi syve qytetarëve shqiptarë? Të kundërshtosh hapjen e dosjeve, sigurisht që duhet të kesh një motivim të fortë personal dhe nëse i referohemi përkufizimit të sipërpërmendur sipas të cilit morali nuk bazohet tek interesi personal, atëherë është me vend të thuhet se kundërshtimi i hapjes së dosjeve është një veprim që nuk përmban aspak moral, pra është amoral. Për të shkuar edhe më tej, është madje një veprim imoral, pasi këta kundërshtarë me pretendimin për mos’hapjen e dosjeve jo vetëm që plotësojnë interesat e tyre në aspektin e evitimit të një gjykimi të mundshëm por në këtë rast e dëmtojnë interesin e përgjithshëm, pra atë të qytetarëve shqiptarë. Nqs regjimi komunist me një egërsi të paprecedentë dhe të papërsëritshme në asnjë vend tjetër e robëroi popullsinë shqiptare atëherë këta kundërshtarë të përbetuar po e dëmtojnë sërish. Duke qenë kundër hapjes së dosjeve jo vetëm që nuk po respektojnë viktimat e diktaturës por në të njëjtën kohë po ofendojnë dhe fyejnë kujtesën e hidhur të shqiptarëve, duke e detyruar të harrojë. Të mbrosh fajtorin ose të fshehesh veprën e tij, në bazë të së drejtës kushtetuese, je po aq fajtor sa i pandehuri. Në rastin shqiptar më tepër sesa në çdo vend tjetër ish-komunist, është e nevojshme hapja e dosjeve  jo vetëm për të larë një “ borxh” të vjetër ndaj viktimave të dikurshme por edhe për të mbrojtur qytetarët e sotëm. Për t’i mbrojtur ndaj xhelatëve gjyqtarë, avokatë, juristë apo edhe nënpunës që kanë firmosur sa e sa akte të cilat kanë pasur vetëm një finale, krimin ndaj individëve të pafajshëm. Dhe të gjithë këta sot, në një sistem demokratik dhe pluripartitist gëzojnë të njëjtat poste dhe marrin të njëjtat vendime duke dhënë drejtësi. Pikërisht këtu, lind kontradikta logjike, dilema e cila vërtitet në një rreth vicioz, sa moral kanë këta individë të dy kohërave dhe sistemeve ekstremisht të kundërta? Këta individë që kanë qenë vulonjësit e krimeve nga më të rënda nuk e kanë aspak  të vështirë  të deformojnë ligjet dhe dhënien e drejtësisë sot. Dhe natyrshëm lind pyetja tjetër, sa moral kanë kundërshtarët e hapjes së dosjeve për këta avokatë-xhelatë?
Kundërshtarët e hapjes së dosjeve nuk kanë moral dhe duke u përpjekur të realizojnë interesat e tyre duke mbrojtur dhe duke u mbrojtur, në të njëjtën kohë e detyrojnë shoqërinë shqiptare të harrojë mizorinë e gati 50 viteve diktaturë dhe errësirë. Thirrjet  se hapja e dosjeve do të sjellë vec kaos dhe asgjë pozitive, mbulimi shumëngjyrësh I nudizmit të mjerueshëm të infrastrukturës komuniste dhe të gjitha tentativat e tjera të pashpresa nuk e bëjnë dot një popull të harrojë. Pikërisht, këtu qëndron imoraliteti më I madh kundërshtarëve të hapjes së dosjeve , tek tendenca e rrezikshme e tyre për ta detyruar popullin të harrojë, kur dihet që harresa për një popull është tejet negative dhe vetëshkatërruese.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›