Ambiguiteti kushtetues për lustracionin
E majta jonë, sido e përçarë, është e një mendjeje për ligjin e lustracionit, që nuk është vetëm një ligj shqiptar, por një ligj i Lindjes (për pastërtinë e elementëve në qëndrimin ndaj komunizmit), por edhe të Perëndimit (për pastërtinë e elementëve ndaj nazizmit). Ne, shqiptarët, në këtë detyrim ndërkombëtar jemi, madje, më të vonuarit. Këtu nuk do të merremi me shkaqet e vonesës. Por vonesa është një dukuri që nuk mohohet as nga e majta jonë, as nga e djathta. Vonesa është pranuar nga i gjithë spektri politik i ynë, hapur ose me gjysmëzëri. Thamë se nuk do të merremi me shkaqet. Por mund të thuhet, megjithatë, fare shkurtimisht, se shkaktare nuk është e djathta.
Tani le te vemi te kushtetuta, që është bashkësia e ligjeve themeltare të çdo shteti. Është e vërtetë se kushtetuta jonë nuk përmban ndonjë ligj specifik për lustracionin, në kuptimin e ngushtë të fjalës, për dënimin e figurave politike që janë përzier në krimet e makinerisë së përbindshme të terrorit komunist. “Makinistët” apo motoristët e kësaj makinerie, të ngjashme me thertoret më gjigante të rruzullit, doemos që kanë pasur kasapë të shumtë, që bënë kërdinë në mish njeriu .
Për rendimentin e një uzine në përpjesëtime të mëdha të sallameve dhe të prodhimeve të çfarëdo lloji të mishit, nuk e ka meritën vetëm projektuesi i makinerive për të përshpejtuar procesin e prodhimit, por ndihmojnë edhe manualët, njerëzit me thika të mprehta dhe me aftësi profesionale.
Veçse thertorja është në shërbim të ushqimit të njerëzve, kurse kasaphana komuniste i shërbente një regjimi totalitar të pashpirt, për të mbajtur në këmbë këtë pushtet, të quajtur paradoksalisht “popullor”, në synimet e tij shtypëse, gjer në ndarjen e vendit në dy kategori, të përligjura nga kriteret e luftës së klasave: në “tanët” dhe në “armiqtë”. Të parët duhet të ishin të shumtë, së paku gjysma e popullit. Prandaj ky term, “armiqtë”, s’ishte aspak e thënë që të përfshinte fajtorët. Édhe ata që e luftuan fashizmin, - por që nuk pajtoheshin me ideologjinë komuniste, - mund të shpalleshin kolaboracionistë, domethënë armiq. Por edhe familjarët e një personi i cili, me trastën në qafë, kalonte kufirin, merrnin damkën e armiqve. Madje edhe atje ku toka nuk nxirrte naftë, mund të kërkohej fantazma e sabotimit kundër pushtetit popullor, domethënë armiku i klasës, që duhej të përgjigjej për këtë dështim.
Në një plenum për liberalizmin duhej të ndëshkoheshin konservatorët. Në tjetrin për konservatorizmin, e kishin radhën e fajësisë liberalët. Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami u dënuan për liberalizëm. R. Alia ishte shefi i tyre. Qëndrimi i dënueshëm i shfaqjeve të huaja nuk mund të ishte klandestin. Ai manifestohej kryesisht në Radiotelevizion, në teatër, në ngrehinat muzikore dhe në faqet e gazetave dhe të veprave letrare. Këto kishin drejtuesit e tyre, veçse këta të gjithë kishin shef Ramiz Alinë, që drejtonte propagandën në K.Q. të P.P.Sh.-së. Si pasojë, ai që duhej dënuar i pari, do të duhej të ishte vetë R. Alia. T.Lubonja dhe F. Paçrami ishin vartësit e tij. Dhe, meqë është fjala për fajësira, këto nuk mund t’u takojnë vartësve, para se të përgjigjej shefi. Por, meqë gjykatësi suprem ishte Enver Hoxha, as që mund të bëhet fjalë se cili është fajtori kryesor dhe kush është i dorës së dytë.
Dënim i i Todit dhe vuajtjet shtatëmbëdhjetëvjeçare të familjes janë përshkruar në mënyrë mbresëlënëse dhe me stil letrar të spikatur në librin e kujtimeve të Liri Lubonjës, “Larg dhe mes njerëzve”. Në këtë vepër kujtimesh tregohet mizoria ndaj të ashtuquajturve fajtorë për lëshimet ndaj shfaqjeve të huaja: Bashkëshorti dhe djali i madh u dënuan me burg, pas një hetuesie si ato të sistemit enverist. E shoqja, djali tjetër, nusja dhe vajza e vogël, Ana, kanë hequr të zit e ullirit nëpër kampe internimesh, - që pasonin njëri-tjetrin, - në punë krahu në ndërtim, dhe në punëra poshtëruese, ku duhet të duronin edhe shpirtligësitë e ithtarëve të regjimit. Duke filluar që nga Ana e vockël e kopshteve, e cila duhej të izolohej edhe ajo, si armike. Armiku s’kishte moshë! Përshkruhet mjeshtërisht kalvari i udhëtimeve më këmbë e me makina që të zbrisnin në rrugë, nga shpirtzinj si Apostoli, i cili i thoshte shoferit që të mos transportonte armiqtë në Burrel, me ato trastat e shkreta me ushqime, të sajuara me njëqind flijime. . .
Dhe, për shoqërim idesh, nuk më rrihet pa e përmendur këtë farë Apostoli, që na qenka bërë anëtar i kryesisë së shoqatës së hebrenjve, e na vete në Jerusalem (pa vënë dorën në xhep, natyrisht!) për t’u treguar izraelitëve sesa popull heroik është populli shqiptar, që nuk i ka lënë çifutët të bien në dorë të gjermanëve dhe në kampet e tyre të shfarosjeve. Është heroik, vërtet, por nuk do të ishte i tillë sikur mos të kishte mbështetjen e Regjencës, që i pajisi me pasaporta shqiptare me mbiemra myslimanë, hebrenjtë dhe nuk i pranoi listat gjermane për të vënë në dorë çifutët në vendin tonë. A e di ky historian bolshevik sesi u dënuan ata që e mbajtën edhe për një drekë Lef Nosin, (shpëtuesin e çifutëve), për fajësinë e strehimit vetëm për disa orë, të një kolaboracionisti? E bija e Mihal Zallarit (edhe ky shpëtues i çifutëve), ia tregoi të vërtetën në sy në një panel televiziv këtij hipokriti me emrin Apostol. Sikur një njeri i afërt i këtij Apostoli t’i arratisej, e di vetë ai se ç’e gjente, sado që do të shpërthente me hipokrizi se ishte i gatshëm që ta vriste me dorën e tij(!), édhe po të ishte e ëma apo i ati! (Në f. 7 të librit të Lirisë, e kemi edhe portretin e këtij butaku (njeriu pa shtyllë kurrizore).
Në f. 282: Kur të burgosurit politikë dhe të internuarit ishin duke u liruar (nga halli, jo nga malli), familja “armike” ishte me shpresa, por të pa realizuara endé. Disa fshatarë zemërmirë, i jepnin kurajë autores së veprës dhe dukeshin vërtet të gëzuar për mbarimin e vuajtjeve. E lajmëronin se erdhi makina e degës dhe titullari mund të sillte aktin e lirimit. “Erdhi lajmi”- i thoshin. Veçse të internuarit shihnin se ata vinin për të blerë ndonjë bostan të mirë me çmim të lirë, që i prodhonte fshati. Por e internuara po e himbiste besimin, gjë që e shohim në këtë frazë që po citojmë: “ E çfarë mund të shpresonim nga ata, kur asnjë tjetër, përfshi edhe kryetarin e Presidiumit të Kuvendit (R. Alisë), nuk na kishin zgjidhur asgjë”. Madje Ramizi nuk i kishte dhënë as përgjigje një letre që i kishte dërguar për disa halle, pension etj. Vetëm kaq, për Ramizin. Ishte e drejta e saj që të argumentonte se Todi dhe Fadili u bënë kurbanët e parë të Ramizit! (Ramizi duhej ta pësonte me atë akuzë, pastaj dilnin ata si fajtorë dytësorë!).
Por e habitshme është se kur Ramizi u fut në burg (nga i cili doli me gjithë “dëmshpërblimin” si i pafajshëm(!), pas një dënimi të shkurtër, Todi i vajti në sallë të gjyqit. Kur shikuesi në TV kujtonte se ky do ta bënte fajtor, në cilësinë e dëshmitarit, për atë dënim që duhet ta vuante ai, në radhë të parë, u dëgjuan fjalët inkurajuese, pas dhënies së dorës: - Mbahu, Ramiz, mos u ligështo!
Mazokizëm?
*
Tani le të shkojmë në një pikë tjetër të kushtetutës, ku flitet për paprekshmërinë e të drejtave elementare njerëzore të personave, të shprehuara edhe në Kartën e Helsinkit e në dokumente të tjera. Drafti i ligjit për lustracionin ka të drejtën juridike për t’u dalë për zot këtyre të drejtave të përdhunuara në mënyrë tragjike nga diktatura, jo për t’i nëpërkëmbur ato, me mëtimet se cenohen të drejta kriminelësh. Ky ligj është më i lehtë dhe më i vonuar se të gjitha ligjet analoge të vendeve të tjera që kanë pësuar terrorin komunist. Është efektiv vetëm për pesë vjet. Është edhe me të drejtë ankimore rekursi. Përse, atëherë, e gjitha kjo zhurmë? Mos kërkohet edhe këtë herë që të mbarset mali e të pjellë një mi? Që të dalë diktatura pëllumb i bardhë?
Zamir Shtylla nuk bëri dorëheqjen se u përfol padrejtësisht. Bedri Blloshmi foli në vetë të parë. Ai u dënua padrejtësisht. Vëllai i tij, Vilson Blloshmi, poet i talentuar, u ekzekutua pa asnjë faj. Po ashtu edhe poeti tjetër, poeti i shquar Genc Leka, u ekzekutua së bashku me Vilsonin. Zamir Shtylla dha dorëheqje të parevokueshme, sepse u ndodh përpara akuzash të tilla konkrete. Por pastaj tha: - Po të më riemërojmë, unë jam dakord! Kjo quhet e parevokueshme?
Kjo të duket si një provokim. Mund të vihej fare mirë për hetime të rëndësishme një prokuror që s’është implikuar në krimet e diktaturës. Por Jo! Le të vëmë një mëkatar. Dhe të themi, pastaj, se ai kërkohet të hiqet jo në bazë të ligjit të lustracionit, por sepse kishte në dorë një hetuesí të rëndësishme!
Kjo solli një uragan ulërimash nga ana e atyre që duan ta shpërfytyrojnë ligjin për lustracionin. Ose ta shndërrojnë atë në një siluetë.
Shakara të tilla nuk ndodhin në Gjermaninë, që i ka dhënë fund njëherë e mirë nostalgjisë për nazizmin. Atje ligji është veprues, qoftë édhe për një gjest të vogël simpatie për nazizmin. Te ne kemi shembullin e përkundërt.
Diplomati i shquar amerikan, Sekretari i Shtetit Kordell Hall, ka vërtetuar në një libër të tij të bujshëm, se spiunë të KGB-së, të caktuar nga Kominterni, kanë bërë lojën e Stalinit në Jaltë! Gjer tani asnjë nuk e ka përgënjeshtruar këtë libër të dokumentuar.
Poramerikanët e vërtetë janë ata që kanë vuajtur nga totalitarizmi enverist. Shumë ndër antiamerikanët enveristë, të molepsur në krimet e diktaturës, na janë bërë si proamerikanë! As Amerika demokratike, as vendi ynë, nuk kanë për të pasur hajër nga këta kameleonë...