E Hënë, 2 Nëntor 2026

“E djathta gjermane”, timoniere e sukseseve historike

Cikli historiko-politik mbi të djathtën europiane

Cila është historia e konservatorizmit modern gjerman dhe cilat janë rrymat më të spikatura të skenës së djathtë politike? – Çfarë i dallon dhe cfarë përfaqësojnë idetë e tyre? – Me cilët hyjnë në koalicion demokratët dhe socialistët kristianë dhe kush janë figurat që kanë kryesuar qeveritë dhe koalicionet më të suksesshme pas Luftës së Dytë? 

Në vazhdim të ciklit tonë mbi të djathtën europiane, pas trajtimit të pjeshëm të profileve të partive politike në Suedi, Portugali e Holandë dhe trajtimit të gjerësishëm të pikëpamjeve, fraksioneve dhe ideologjisë që përfaqësojnë konservatorët britanikë, sigurisht se radha do i vinte shumë shpejt partnerëve ideologjikë të tyre në brendësi të kontinentit. Më të rëndëishmit në këtë aspekt, janë francezët, gjermanët, spanjollët dhe italianët. Në këtë numër do të trajtojmë të djathtën gjermane, ose më saktësisht elementë të evoluimit historiko-politik të kristiandemokratëve dhe kristiansocialqëve gjermanë.

* * *
Unioni Kristian-Demokrat (CDU) në aleancë me simotrën bavareze, Unionin Kristian- Social (CSU) përbëjnë sot dhe grupimin më të sukseshëm politik në Gjermaninë e Pasluftës, duke nxjerrë nga gjiri i tyre edhe numrin më të madh të kancelarëve e figurave kryesore udhëheqëse politike në vend. Kështu, emra si Konrad Adenauer, Ludvig Erhardt apo Helmut Kohl, duke pasuar me Kancelaren aktuale, Angela Merkel, janë tashmë për secilin gjerman ikona të suksesit; si “kujdestar” politik kombëtar dhe aktorë të rëndësishëm të urave lidhëse në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Pas rrënimit të vendit dhe ngjarjeve që sollën edhe ndarjen e gjatë të kombit gjerman, zgjedhësit në ish-Gjermaninë Perëndimore i gjetën idhtarët kryesisht tek figurat e partive së qendrës së djathtë, që ishin me karakter demokratik kristian. Interesant është fakti se “Kristiane“ quhen të dyja partitë në emërtimin e tyre, por në aspektin e trajtimit të ideologjisë që përfaqësojnë në spektrin politik kombëtar, ata shihen si thjesht „konservatore“.
Ata bazohen tradicionalisht në vlerat religjoze kristiane, ato kombëtare dhe përshkruhen nga përkrahja për ekonominë e lirë të tregut dhe solidaritetin social për shtresat në nevojë. Si dy parti popullore që tentojnë rrëmbimin e zgjedhësve nga të gjitha shtresat e popullsisë, të dyja partitë në fjalë kërkojnë të gjejnë konsensus sa më të gjerë në popull. Përsa i përket preferencave për t’u angazhuar në koalicione politike para apo paszgjedhore, ata, përveç njëra-tjetrës, kanë zgjedhur shpesh pranë vetes Partinë Liberale Demokrate (FDP). Por përvoja politike ka treguar se në mëse një rast, për hir të nevojës, ata kanë marrë pjesë edhe në të ashtuquajturat „koalicione të mëdha“ (siç është ai aktual) me Partinë Socialdemokratike (SPD) të Gjermanisë. Praktikisht ky fenomen i rrallë ka ndodhur një herë në fund të viteve ‘60-të dhe një herë në kohët e sotme, pas zgjedhjeve të vitit 2005.

*  *  *

Brenda spektrit të politikës moderne e demokratike gjermane, me termin e djathtë kuptohen më së shumti partitë e pozicionuara kah orientimit civil populist e më konkretisht, Unioni Kristian-Demokrat e simotra e saj Unioni Kristian-Social (Bavarez) si dhe pjesërisht Partia e Lirë (Liberale) Gjermane, ose siç njihet ndryshe atje me inicialet  “FDP”. Ata dallojnë qartësisht nga rivalët e tyre historikë Socialdemokratë, por edhe nga partitë apo rrymat  e tjera me orientim majtist tradicional apo modern në Gjermani.
Ekziston një problem i vogël përsa i përket përcaktimit të së djathtës në Gjermani, pasi ajo identifikohet shpesh me të djathtën ekstreme e kuptohet si e tillë, ndërkohë që partitë e sipërpërmendura (CDU/CSU apo FDP) më tepër konsiderohen si konservatore-liberale, duke njohur distancë nga partitë e mirëfillta të ekstremit të djathtë me orientim nacionalist, euroskeptik apo shpesh edhe antidemokratik. Këto të fundit, bëjnë që konotacioni të jetë pezhorativ e disorientuers për shumëkënd jashtë hapësirës gjermanofolëse sot, duke ngatërruar termat apo pozicionimet ideologjike e aktivitetin praktik të tyre.
Konservatorët gjermanë, për këtë arsye po marrin gjithnjë e më shumë distancë prej grupimeve të djathta ekstreme, duke tentuar prej kohësh rrugën e mesme, apo siç e njohin të majtët, “rruga e tretë”.
Por gjatë historisë moderne të konservatorizmit gjerman, kufizuar në kohë e hapësirë  (flasim gjithmonë për periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, dhe vetëm për ish-Gjermaninë Perëndimore) Franc Jozef Shtraus, një figurë politike e njohur mirë edhe për shqiptarët,  gjatë karrierës së tij të pasur si lider i CSU-së, si Kryeministër i Landit të Bavarisë, apo dhe disa herë si ministër në kabinetet federale, me ndërgjegje, preferonte vazhdimisht të zinte në skakierën politike gjermane gjithmonë krahun “e pastër” të djathtë demokratik, politik. Ai theksonte se “më djathtas se CSU-ja, nuk duhet të ekzistojë parti tjetër në spektrin politik demokratik gjerman”.

*  *  *
Jashtë pjesëmarrjes në Bundestagun Gjerman, skena politike gjermane lejon hapësirë për ekzistencën politike të krahëve ekstremistë, si të majtë ashtu dhe të djathtë, pavarësisht se për shumëkënd në Shqipëri apo kontinent, kjo mund të duket disi e çuditshme. Kështu, sidomos pas viteve nëntëdhjetë, janë forcuar ekstremistët apo radikalët e djathtë, ose ndryshe “grupimet ekstraparlamentare neonaziste”, të cilët për shkak të tendencave armiqësore ndaj kushtetutës, vihen shpesh nën vëzhgim, ose i nënshtrohen proceseve për reduktim të të drejtave apo për legjitimitet të ekzistencës së tyre politike.
Më konkretisht, të tilla parti janë DVU apo NPD, apo dhe të tjera të ngjashme që ushtrojnë aktivtetin në rrafsh rajonal apo federal.

*  *  *

Ndërkohë, “e djathta e re” apo në origjinal e njohur me emërtimin “die Neue Rechte”
përshkruan një drejtim politik heterogjen, që është hedhur në tregun e ideve politike si kundërmodel ndaj trendit të së majtës moderne “e majta e re” (die Neue Linke). Kjo rrymë synon një distancim nga teoritë dhe praktikat e nacionalsocializmit dhe tenton me mjete demokratike, ringritjen e një lloj “nacionalizmi popullor”.
Termi “e Djathta e re” hasej për herë të parë në Republikën Federale Gjermane në vitet ‘60 si sinonim ndaj grupimit “E djathta rinore“. Kështu e cilësonin veten asokohe të djathtët e rinj radikalë, ndërsa aderonin në familjen e tyre të re politike me inicialet NPD, themeluar në vitin 1964, e cila përbënte në vetvete një alternmativë ndaj lëvizjes studentore të viteve ‘60, por që distancohej qartë nga nacionalsocializmi, apo ata që ata i cilësonin si “e djathta e vjetër”.
Pas disa përpjekjesh të dështuara për të hyrë në Bundestag e për të bërë një jetë demokratike parlamentare në vitet 1969 e fillimvitet ‘70, çuditërisht idetë e synimet e tyre në shumë aspekte përkonin me ata të grupimeve radikale majtiste apo komuniste, të cilat kërkonin demilitarizim të dy Gjermanive dhe largimin e trupave aleate, duke synuar një ribashkim me kushte të papranueshme për kohën.
Prej tyre më pas dolën shumë grupime e organizta me orientime të skajshme, anarkiste apo dhe ekologjiste: ndërkoëh ata luftonin edhe për krijimin e një identiteti nacional dhe bënin thirrje për një “rrugë të tretë” mes kapitalizmit dhe komunizmit. Sot ata identifikohen në disa parti me orientim neonazist e ekstremist që kanë arritur suksese të pjesshme në skenën politike gjermane, duke fituar pas viteve nëntëdhjetë, disa vende në parlamentet e landeve, dmth në nivel rajonal e lokal.

*  *  *
CDU është sot partia me anëtarësinë më të madhe në Gjermani dhe së bashku me simotrën CSU, ajo është anëtare e Grupimit të Partive Popullore Europiane (EVP).
Kryetare e saj është kancelarja Angela Merkel dhe Sekretar i Përgjithshëm është Ronald Pofalla.

vijon numrin e ardhshëm

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›