E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHQIPERIA, PERSERI GETO E BALLKANIT

Getoja përkufizohet si hapësirë e një qyteti, e ndarë shpesh edhe me mur, ku jeton i izoluar një komunitet i përbuzur njerëzish. Nëpër geto kanë jetuar në Europë jo pak komunitete izraelite përgjatë Mesjetës. Nazistët e ripërtërinë edhe më kriminalisht këtë diskriminim kolektiv. Europa triumfoi mbi nazizmin, e megjithatë fenomeni geto nuk u zhduk. Madje geto-ja ka marrë sot përmasat e shtetit. Një i tillë, geto-shtet, është edhe Shqipëria. Pasi qëndruan gati gjysmë shekulli të izoluar kafshërisht nga një regjim i hekurt, shqiptarët vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të mos gëzojnë lirinë e lëvizjes. Dhe duket do të vazhdojë kështu edhe për kushedi sa kohë, pas njoftimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, që ndryshe nga ç‘ndodhi me Serbinë dhe Maqedoninë, e klasifikoi përsëri Shqipërinë si të padenjë për të fituar lëvizjen e lirë pa viza. Kështu, ndërsa deri dje kishin 40 vjet që arratiseshin nga diktatura, sot shqiptarët kanë rreth 20 vjet që detyrohen të arratisen nga "demokracia", duke rënë jo pak herë edhe pre e trafiqeve mafioze. Dhe si dje, nën diktaturë, edhe sot, në demokraci, fajtorët e vërtetë janë qeverisjet e dështuara, që korrupsioni dhe epshi i pafund për pushtet e pasuri i bën të tradhtojnë lirinë e lëvizjes së shtetasve të vet.

***

Sikur nga viti 2006 e këtej qeveria shqiptare të kish ndërmarrë sa dhe si duhet reformat që e mbrojnë vetë Shqipërinë dhe BE-në nga krimi i organizuar dhe imigrimi ilegal, sot shqiptarët do të kishin fituar të drejtën për të lëvizur pa viza në Europë. Por mjerisht qeveria nuk ka bërë ende pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, me pasaporta biometrike, nuk i ka bërë kufijtë të sigurt nga trafiku i qenieve njerëzore e të drogës. Departamenti i Shtetit i SHBA-së sapo ka deklaruar se "Shqipëria është një vendburim për burra, gra dhe fëmijë të trafikuar, për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe të punës së detyruar, përfshirë lypjen e detyruar".

Vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së për të mos përfshirë Shqipërinë në "listën e bardhë të Shengenit", bazohet pikërisht në këto mosarritje të qeverisë shqiptare. Prandaj është qesharake, dhe e dhimbshme njëherazi, kur dëgjon ministrin e Jashtëm, Luzim Basha, ta paraqesë dështimin e radhës si sukses të radhës. Sipas Bashës: "Këshilli përshëndeti progresin e qartë të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në realizmin e standardeve të përcaktuara në udhërrëfyesit mbi liberalizmin e vizave, si dhe inkurajoi Komisionin Europian të paraqesë sa më parë një propozim, me qëllim që në rastin më të mirë, deri nga fundi i vitit 2009, të realizohet një regjim pa viza me ato vende që do të kenë plotësuar të gjitha standardet".

Deklarata është e mbushur me të pavërteta. Sepse ndryshe nga ajo që thotë ministri Basha, Këshilli konstatoi progresin jo të mjaftueshëm të bërë nga Shqipëria në plotësimin e standardeve për liberalizimin e vizave. Prandaj dhe nuk na klasifikoi me Serbinë dhe Maqedoninë, që kanë bërë progres më të dukshëm dhe pritet që nga vjeshta e këtij viti të fitojnë lëvizjen e lirë pa viza. Pra, është e vërtetë se nga fundi i vitit 2009 "do të realizohet një regjim pa viza me ato vende që do të kenë plotësuar të gjitha standardet". Por nuk është fare fjala për Shqipërinë, qeveria e së cilës nuk i ka realizuar standardet e kërkuara. Për shkak të këtij dështimi të qeverisë, shqiptarët duhet t‘u drejtohen përsëri sporteleve të ambasadave.

Dhe sa më të shtrënguara të tregohen burokracitë e ambasadave dhe konsullatave, aq më shumë hallexhinj, njerëz në kërkim të punës dhe shpëtimit e lumturisë, do kenë prirjen fatale t‘i drejtohen tregut të zi të vizave, që vazhdon të lulëzojë në Tiranë, aq më shumë shqiptarë do e kërkojnë lirinë e penguar të lëvizjes, deri edhe trafikantët e qenieve njerëzore. Kështu, paaftësia e qeverisë dhe liria e munguar ushqen me mish njeriu trafiqet e paligjshme dhe një mafia që ka arritur të gjejë bashkëpunëtorë deri edhe brenda administratës shtetërore. Jo rastësisht Departamenti i Shtetit i SHBA-së nënvizon shqetësimin se qeveria nuk ka ndjekur penalisht dhe energjikisht edhe zyrtarë publikë, që morën pjesë apo lehtësuan trafikimin e qenieve njerëzore.

***

Vetëm me mungesën e vullnetit politik të qeverisë për t‘u investuar fort për lirinë e lëvizjes së shtetasve mund të shpjegohet dështimi i Shqipërisë për të fituar edhe këtë herë lëvizjen pa viza. Sepse paralajmërimet janë dhënë me kohë dhe detyrimet diheshin. Kur disa vite më parë Koalicioni Shqiptar Antikorrupsion zhvilloi lëvizjen "Shqipëria jo Geto", Kryeministri Berisha, i sapo ardhur në pushtet, deklaroi publikisht se është e lehtë të kritikosh europianët se po e shndërrojnë Shqipërinë në geto, por në radhë të parë duhen plotësuar standardet e dokumentacionit njerëzor (kartat, pasaportat biometrike) dhe siguruar kufijtë. Dhe këto standarde nuk pritej t‘i plotësonin qytetarët, por qeveria "Berisha".

Sot, rreth 3 vjet pas këtyre deklarimeve, shohim se njerëzit nuk janë pajisur as me karta identiteti e jo më me pasaporta biometrike dhe se kufijtë e Shqipërisë mbeten tepër të hapur për trafiqet e qenieve njerëzore. Çfarë ka bërë qeveria? Thuajse asgjë. Përse? Dinamika e gjërave, ose më saktë mungesa e dinamikës, të krijon idenë se kjo qeveri, dhe në radhë të parë Kryeministri i saj, e ka sakrifikuar lirinë e lëvizjes së shqiptarëve për qëllime pushteti. Sepse pajisja e të gjithë shqiptarëve me karta do ta minimizonte mundësinë e manipulimit në zgjedhjet e 28 qershorit, pra do të ishte një premisë për humbjen e një Berishe që nuk e kish mbështetjen e shumicës së shqiptarëve, as kur u ngjit në pushtet në korrik 2005. Berisha, sikundër e ka pohuar publikisht, ishte i ndërgjegjshëm për deficitin e mbështetjes. Dhe para pushtetit ai sakrifikon çdo gjë, pra edhe lirinë e lëvizjes së shqiptarëve. Kjo është lidhja më e drejtpërdrejtë shpjeguese e vullnetit të sëmurë për pushtet të Berishës, me atë zvarritje absurde të punëve për pajisjen e shqiptarëve me karta dhe pasaporta, në një kohë shumë më të shpejtë, ashtu edhe siç qe premtuar nga vetë Berisha që ditën e parë të ardhjes në pushtet.

Por ka edhe një shpjegim që lidhet me psikologjinë prej sundimtari të Berishës. Si të gjithë politikanët që nuk duan të qeverisin, por të sundojnë, edhe Berisha duket e ndjen se është shumë më e vështirë të sundosh, manipulosh, mashtrosh njerëz "të shëtitur". E ndjen se bashkë me lëvizjen e lirë do të vijë edhe mendësia, mendimi gjithnjë e më i lirë nga prangat e fanatizmit dhe kulteve, pranga që mbajnë ende të skllavëruar trutë e një pjese të elektoratit shqiptar, që vazhdon të votojë (si dikur Enverin) politikanë të stërvjetër si Berisha. Pushtetit të Berishës i duhet izolimi i shqiptarëve, i duhet që kulti i Berishës të mbetet "një thumb i ngulur në tru të njerëzisë". Prandaj ka preferuar që Shqipëria të mbetet një geto e Ballkanit. Vetëm në këtë kuptim, mospërfitimi i lëvizjes së lirë përbën për qeverinë (por jo për shqiptarët) një sukses. Vetëm në këtë kuptim mund të pranosh se ministri Basha ka të drejtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›