E Shtunë, 31 Tetor 2026

STUDENTI DHE VOTAT

Mesazhi i "politikës së re" e gjen shprehjen e vet edhe në fushën e arsimit, për të na bërë të vetëdijshëm se nuk janë nëpunësit e majtë a të djathtë ata që vlerësojnë politikat e modernizimit të institucionit, por duhet të jenë ata që jetojnë përtej politikave elektorale dhe që ndeshen përditë në mes të problemeve që ka shtruar për zgjidhje demokratizimi i jetës dhe modernizimi i arsimit. Ata janë jo vetëm stafi akademik, por edhe studentët, si ata studentë që kanë punuar për të fituar emrin e tyre, por edhe ata të tjerët që politika i fokuson si produkt elektoral, pasi e kanë fituar me vështirësi pozicionin e tyre, për arsye të rrethanave dhe kushteve të vështira që kalojnë familjet e tyre, shumica nga zonat rurale dhe të politikave jofrutdhënëse për nxjerrjen e shkollave të fshatit nga gjendja e ankthit që përjetojnë.

Fryma e re, përtej konvencioneve politike në të shkuarën, e sheh edukimin si "mision" dhe jo si "biznes" fitimprurës. Misioni i edukimit të brezit të ri shoqëror kërkon angazhimin e alternuar dhe të integruar të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve në transformimin modern të arsimit, duke përfaqësuar interesat e veta, familjes dhe shoqërisë. Ky efektivitet është tipar i një shoqërie moderne.

Fuqizimi i autonomisë së universiteteve dhe vlerësimi i studentëve si faktor i rëndësishëm në reformimin e arsimit të lartë është koncept demokratik europian i propozuar nga vetë studentët, nëpunësit e ministrive dhe akademikët në vendet e zhvilluara perëndimore (në takimin e Strasburgut 2003).

Ka ardhur koha që marrëdhëniet e autonomisë të bëhen institucionale, duke rritur autoritetin e pedagogëve dhe studentëve, larg vendimmarrjeve nepotike dhe klanore të politikave të majta e të djathta. Niveli social e shkencor i studentëve duhet të përcaktojë politikën reale në arsimin e lartë, po ashtu si edhe niveli profesional i pedagogëve, përtej "sinorëve shkencorë" të politikës. Sot ndjehet se nuk ka interesim për kontaktet e rregullta midis qeverisë, ministrisë dhe studentëve përfaqësues, nuk ka studentë përfaqësues në lidhje me konferencën e rektorëve ose në struktura ekuivalente si dekanati e departamenti. Nuk ka studentë ose trupa studentore që të kenë kontakte zyrtare e jozyrtare me Parlamentin e vendit, por edhe për bashkërendimin e forcës së përfaqësive studentore kombëtare me ato të institucioneve të arsimit të lartë, në komunikim me programet qeverisëse.

Diferencimi i stafit akademik mbi "parametra shkencorë" të politikave që vijnë në pushtet dhe gatishmëria e studentëve për t‘u tërhequr nga përgjegjësitë e tyre institucionale janë një shenjë e qartë e diktatit politik në jetën universitare. Në këtë mënyrë, pedagogët e studentët fillojnë të besojnë se s‘kanë asgjë brenda tyre për të thënë, ndaj edhe fillojnë të pranojnë "të nënshtruar", gjithçka që ju ofron politika, edhe pse e kuptojnë abuzimin e fshehur pas asaj politike, mjafton që ata të mos ndjehen të vetmuar as nga politikat e ngurta konservatore, as nga ato të nxituarat dhe liberale.

Reformimi i arsimit të lartë është koncept demokratik europian i cili kërkon plotësimin e tri standardeve: 1/ sigurimin e sasive të mjaftueshme dhe të vazhdueshme të burimeve materiale dhe përdorimin me efekt të tyre; 2/ zgjerimin e mundësive në kërkime shkencore dhe mësimdhënie, jo vetëm nëpërmjet network-ut; si dhe 3/ hapjen e shanseve universiteteve drejt një perspektive më të gjerë për rritjen e interesimit ndërkombëtar... Këto standarde shpesh gjejnë pengesa në mënyrën e administrimit dhe vlerësimit të disiplinave mësimore, ku shpesh hasim në opinione dhe mentalitete të "vjetruara" për lëndë "shkencore" dhe "joshkencore", të cilat deformojnë orientimin e të ardhurave financiare në drejtim të lëndëve "elitare", duke lënë në harresë lëndë të edukimit profesional e kulturor. Në raste të tilla, faktor balancues përballë konkurrencës së brendshme të stafit akademik janë edhe interesat e studentëve.

Janë pikërisht këto tri objektiva që nxitin bindjen te studentët dhe një pjesë e ndërgjegjësuar pedagogësh se ata, studentët, janë faktor në plotësimin e këtyre standardeve, duke u angazhuar gjerësisht në përcaktimin e kurrikulave, vlerave etike e sociale për respektimin e qëllimit të arsimit të lartë mbi bazën e vlerave të njohurive në lidhje me tregun e punës. Studentët duhet të jenë vlerësues të cilësisë arsimore dhe të demokratizimit të marrëdhënieve njerëzore, pasi ata janë aktorët kryesorë në arsimimin e lartë.

Studentët janë më reformatorë se sa grupet e tjera të interesit (administrata dhe pedagogët) dhe ata mund të jenë një forcë lëvizëse që ndjekin dhe mbështesin politikat e domosdoshme të ndryshimit në institucionet e arsimit të lartë. Sepse ata zotërojnë informacionin e duhur mbi edukimin arsimor të përparuar, por janë dhe përfaqësues për kushtet dhe rrethanat ku jetojnë e punojnë, ndaj duhet të konsiderohen si partnerë të barabartë në komunitetin universitar dhe institucionet e arsimit të lartë. Studentët janë të aftë për të qenë mbikëqyrës kryesorë të institucioneve dhe vlerësojnë si vendimtare shprehjen e mendimeve dhe ideve të reja, të rëndësishme dhe të paanshme, duke na shtytur drejt sfidave të reformës, që mundëson zgjerimin e demokracisë brenda institucioneve.

Studentët e ndjejnë se e drejta për të votuar dhe për të folur në struktura të ndryshme arsimore, ofron frymën demokratike të kontrollit, duke ju mundësuar të ndikojnë në problemet e buxhetit financiar për fakultetin dhe aprovimin e programit mësimor, në diskutime të gjera me pedagogët e tyre, duke vlerësuar dhe respektuar standardin kombëtar të edukimit.

Kjo frymë demokratike realizohet vetëm mbi baza të argumentuara logjike e koherente dhe jo duke u mjaftuar thjesht me forcimin e bazës ligjore në favor të pjesëmarrjes së studentëve, por duke shtuar raportin e vendeve të rezervuara në favor të studentëve në strukturat qeverisëse, nëpërmjet shtimit të numrit të studentëve dhe forcimit të zërit të tyre si pjesë e Parlamentit (Senatit), Këshillit Fakultetit, Departamentit, Këshillit të Administrimit, si dhe të përfshirjes së fletë-anketimeve të studentëve me synimin për të vlerësuar mësimin dhe lektorët (pedagogët). Kjo do të ofronte tiparet e funksionimit të demokracisë nëpërmjet zhvillimit të transparencës (mosfshehja e problemeve dhe shpenzimeve) nga drejtuesit në procedurat qeverisëse.

Zgjerimi i angazhimit të studentëve në zgjidhjen e problemeve dhe shtrirjen e reformave në institucionet e arsimit të lartë, buron nga fryma e kontributeve që ofron shoqëria civile, por edhe nga respektimi i të drejtave të njeriut. Një fokusim i tillë e zhvendos studentin dhe vetë pedagogun përtej politikave publike elektorale, përtej të majtës e të djathtës, të cilat shpesh na kanë ofruar qeverisje me politikanëbërës që ushtrojnë pushtet joinstitucional dhe të dobësuar prej korrupsionit, grindjeve dhe molepsjes morale.

Përtej trajtimit elektoral, studentëve dhe stafit akademik duhet t‘ju krijohet mundësia për të ndikuar në axhendën e punës së strukturave qeverisëse në arsimin e lartë dhe për krijimin e një këshilli kombëtar të arsimit për anketimin e studentëve, lidhur me problemet reale se si janë raportet etike student-pedagog, niveli profesional i njohurive, mënyra e mësimdhënies, kushtet e mësimit, vlerësimi i tyre etj...

Kjo dëshmon se është momenti që roli i studentit nën autoritetin e pedagogut të jetë vendimtar nëpërmjet votës së tij objektive për vlerësimin e etikës, moralit dhe vërtetësinë e punës shkencore në punën e gjithsecilit brenda stafit akademik. Dhe ajo që është më e rëndësishme, të aplikohen alternativat për zgjerimin e rolit të studentëve në qeverisjen e universiteteve, si eksperienca e parë reale në drejtimin e institucioneve të shtetit shqiptar. Studentët nuk mund të jenë objekt përfitimi, ata duhet të jenë e nesërmja e shëndetshme e shoqërisë demokratike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›