E Shtunë, 31 Tetor 2026

SI UJË I PËRDORUR…



Kujtim DASHI

Pyetën njëherë Prof. Gjon Shllakun, përkthyesin dhe studiuesin e shquar të gjuhëve dhe letërsisë antike, se cili ishte mendimi i tij për ata individë, të cilët ërkthejnë prej një gjuhe të dytë, pra jo nga origjinali:
- Kisha me thanë se ata lajnë tesha në një ujë, ku dikush tjetër ka la para tyne.

* * *

- Çfarë po shkruan? - e pyet një natë gruaja të shoqin.
- Po bëj librin e dytë me poezi… Kam një frymëzim që…
- Çfarë the?
- Librin e dytë, pra.
- Atëherë do bësh mirë të që më parë të kërkosh zgjerim në Bashki, se na ke zanë shtëpinë qysh me librin e parë!..

* * *
Në katin e parë të godinës së ish-komitetit të rinisë së Shkodrës, ku karikaturisti Tef Palushi kishte studion e tij, u pat hapë një bar-bufe për veteranët dhe shkrimtarët e artistët e këtij qyteti. Ditën e përurimit të lokalit, Tefa ishte ulë në tavolinë në shoqëri me njërin nga ish-drejtuesit e rinisë së rrethit dhe disa studentë, miq të tij letrarë të rinj, njëri prej të cilëve ishte nga Lezha.Te tavolina e tyre afrohet një tip, të cilin Tefa nuk e kishte qejf. Duke dashtë me ba gjoja humor, ky tipi i drejtohet Tefës:
- Urime për lokalin e ri që u hap për ju artistët! Tash ça po na qet? - vazhdoi tipi në të vetën, me demek se e kishte gjetë Tefën në lokalin “e vet” dhe i takonte atij ta qeraste.
- Besa, po të qes jashtë, - ia bëri Tefa.

* * *
F.H., një nga bixhozxhinjtë e njohur të Shkodrës, pas kthimit nga “Universiteti” i Zejmenit, ku ndenji i kyçur për katër vjet, qëndroi një natë te kushërinjtë e vet në Lezhë. Aty tregoi:
“Për ideal, qeshë tue dekë unit në ditët e para të burgut. Erdhi gruaja me më pa në burg herën e parë dhe më solli, e shkreta, pak gja, një strajcë të vogël sa me me mbajtë frymën gjallë. Po unë i kisha marrë me kohë masat për “universitetin” tim. Vjen gruaja herën tjetër për me më pa. Po gjatë takimit, polici s’luante vendit, si pilaf. Na i kishte ngulë sytë dhe i kishte ngritë veshët pipëz. Për të gjallë s’mujsha me i thanë një fjalë të vetme gruas, me i tregue se ku i kisha fshehë lekët për këto ditë të zeza. Kur qe, për idea, m’u kujtua. Papritur, i them gruas: “A e din se Lenini ka kenë udhëheqës i madh i proletariatit botëror?” “Fol, mor hut, për hallet tuaja e lene Leninin në punë të vet!”, më qortoi me të egër polici. S’desha me ba gjyq me të. Po unë doja me i hap horizontin sime shoqeje dhe ia përsërita konkluzionin tim, duke shtuar: “Herën tjetër kur të vish, dua me ditë edhe mendimin tand për Leninin, dakort? Atje në bibliotekë të shtëpisë e ke librin e tij, kqyre e lexoje mirë, faqe për faqe, kështu. Ti rusishten e di.”
“Eh, kur e pashë në takimin tjetër të radhës, e pashë që në oborr me dy trasta plot me ushqime, e mora vesh se e kishte gjetur dhe se ishte thelluar tepër në veprat e Leninit. I ndriste fytyra kësaj radhe. Në takim po ai polic, me të njëjtin qëndrim. “Hë, e lexove Leninin si të thashë, apo jo?”, e pyeta gruan dhe më vinte për të qeshë, se s’e mbaja mend a e kishte pa krye apo jo filloren. “Unë, besa, faqe për faqe dhe s’e kam hequr doret për pa e lexue krejt deri në fund. Paske pasë të drejtë vërtet, kishte pa qenë udhëheqës i madh i proletariatit botëror”, ia bëri gruaja. Që ta merrni vesh ju, në çdo faqe të veprës së Leninit kisha pasë fut nga një mijë lekësh të vjetër dhe, më thoni tash, si s’kishte me i thurë lavde gruaja Leninit të madh?!”

* * *
Dikush boton një roman. Ndër njerëzve të paktë, që ua dhuroi librin me dedikim, ishte dhe njëri nga shokët e ngushtë. Pas disa ditësh, autori shkoi në Lezhë dhe e pyeti:
- Hë, e lexove romanin?
- S’kam pasë kohë…
- Një roman shkrova dhe shoku i ngushtë më thotë se nuk kam kohë për ta lexuar. Çfarë pres prej të tjerëve unë?!
I prekur në sedër, tjetri ia ktheu:
- E di çfarë? A ma kthen romanin në gazetë, se unë vetëm gazetat lexoj? Mandej, kur të vish herën tjetër, të jap mendim për të.

8 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›