Mullinjtë që presin
Betim MUÇO
Nga larg, ata dukeshin si ca flutura të mëdha që janë nisur të vijnë drejt teje e s’mbërrijnë kurrë. Kur afroheshe edhe më, të ngjanin si helika gjigande avionësh dhe rrotullimi i tyrë monoton në erë ngjallte idenë e lëvizjes së pareshtur të botës, të gjithësisë, të hapësirës. Dukej sikur s’frynte erë, por era ishte për ta, mullinjtë modernë të Travemundës, që prodhon energji elektrike me ndihmën e së cilës njerëzit në shtëpitë e ngrohta lexonin nën dritën e abazhurëve përsëri e përsëri aventurat tragji-komike të Kalorësit të Mesjetës.
Dita ishte gri si një muzg i zgjatur. Tej në det, Balltiku ngjante sikur ngjitej përpjetë qiellit dhe njëherësh qielli ngjante sikur zhytej thellë në det. Klithmat e pulëbardhave endeshin pezull me një shqetësim të pakuptimtë në tymnajën e ngrirë të atij qielladeti. Dhe mullinjtë me krahët e mëdhenj valavitës, që jepnin e merrnin shenja me thellësirat e asaj grije rrethuese, dukeshin si të shtangur e në pritje të diçkaje. Krahët e tyre silleshin rrotull monontonisht e prapë ata ngjanin të ngurosur në palëvizshmërinë e tyre. Sepse e gjithë hapësira dukej sikur rrotullohej bashkë me ata krahë, ku bënte fole era.
U afrova më pranë. ǒprisni ju në kohën tuaj të rrafshtë që s’ka as ditë, as natë, as vite, as orë e sekonda?, pyeta.
Ne presim kalorësin e Mançës, thanë ata me zërat e tyre fëshfëritës, sikur të fliste era. Presim atë të shfaqet në horizont me kalin e tij legjendar, i irnosur nga zemërimi dhe i tërbuar nga padrejtësitë, të ngrejë ushtën e madhe dhe të vërtitet drejt nesh si gur hobeje me britmën kastiguese ndaj pushtetit e shumëllojshmërisë së Merlinit, dhe ta ngulë atë heshtë në krahët tanë që e presin krahëhapur e të vërtitet bashkë me to në një botë ëndrre e paqtimi.
Po kjo është absurde, thashë unë dhe qesha. Ju prisni absurdin.
Ata qeshën me mua dhe ajri rrotull meje u trondit valë-valë, si nga fluturimi i një shpendi të madh.
Absurdi i shtyn më tej kufijtë e botës, miku ynë, thanë ata. Pa të, jeta vërtitet monotone dhe e përgjumur në kotësinë e vet. Absurdi është dallga, pa të cilën oqeani i tërë kthehet në moçal, është era pa të cilën atmosfera kthehet në grazhd të qelbur. Ne jemi të vjetër këtu, edhe pse dërrasat e krahëve na i kanë zëvendësuar me plastikë e duralumin. Kemi parë gjakun që skuqte lumenjtë e detin nëpër luftëra dhe raketat që niseshin me fishkëllima nga njerëz, për të vrarë të tjerë, njerëz përtej detit. Merlini s’është legjendë, o miku ynë naiv. Ai është i bërë njësh me botën, është edhe tek ne, edhe tek ti, është kudo që të hedhësh sytë. Është ai që bën antiligjin mbi dhé në mënyrën më të ligjshme e më komode. Vetëm ai, Kalorësi ynë, e njeh atë në çdo formë e shfaqje. Ai e sulmon dhe e ndjek pareshtur çap pas çapi dhe këtë nuk e bën as për të fituar nder e pasuri, po vetëm në emër të mirësisë njerëzore, që atij i shfaqet e i mishërohet në një fshatarkë të thjeshtë nga Toboza. Është absurde vërtet, prej tij Merlini i shumëllojshëm as preket e as cënohet. Ne dëgjojmë të ngrysur gajasjen e tij në erën që na rreh krahët, të qeshurën e tij të shfrenuar që zhvlerëson ekzistencën e gjërave. Por ne ndiejmë gjithashtu frikën e tij nën atë gajasje të lemerishme, frikë që sa vjen e rritet më tepër në të. Po, ai ka frikë nga kalorësi i absurdit. Sepse ky kalorës e ndjek pareshtur dhe ka vetinë ta shquajë atë në çdo shfaqje të shumëllojshmërisë së tij të pafundme. Siguria e masës dhe e pavlefshmërisë së sulmeve të tij, nuk e sigurojnë e qetësojnë magjistarin e së keqes. Arma e drejtuar ndaj teje të tremb, edhe kur e di që ajo është bosh. Është ai kalorës që ia ka bërë jetën skëterrë Merlinit të gjithëpushtetshëm. Pasi, edhe pse nuk cënohet prej tij në ekzistencën e vet, ai kërcënohet e ndiqet paprerë. Dhe një kërcënim i përjetshëm është tmerronjës më tepër se një goditje fatale vdekjeprurëse. Nga ana tjetër, frika e Merlinit e ka rrënjën në atë që ai nuk ka ç’t’i bëjë atij kalorësi. Ai nuk ka as famlje, as pasuri, as komb, as atdhe, as racë, as kohë. Ai është mishërim i absurdit dhe absurdi vetë ka lindur bashkë me Merlinin. Në këtë jetë të zymtë, ku veshët tanë janë mësuar me trokëllitjen monotone të kohës dhe sytë tanë e shohin botën tek rrotullohet me mund, si një rrotë e baltosur, e vetmja gjë që na mban gjallë e na bën të përcjellim çastet, është ardhja dhe sulmi i atij kalorësi me energji të pashterura. Ju qeshni, talleni, zbaviteni e përqeshni atë. Shpesh herë të qeshurit tuaj bashkohet me gajasjen e çmeritur të Merlinit, me të cilin ju përpiqeni të bashkëjetoni, me të cilin për vetëmbrojtje i bëni fli shumë nga dashuritë tuaja. Kurse Kalorësi ynë nuk pajtohet me të. Dyluftimi i tij është i vetmi dyluftim në këtë botë të arsyeshme të kompromisit e përuljes, ku bën ligjin antiligji i Merlinit. Përderisa nga e e arsyeshmja nuk ke asnjë dobi, a nuk është më i vlefshëm absurdi, që së paku kënaq ëndrrën? Ja pse ne presim atë, miku ynë i ri. Edhe pse në heshtën e tij nuk është fitorja, atje është gjithmonë shpresa për fitoren që s’arrihet kurrë.
Tek dëgjoja këto fjalë, që qenë sikur vinin nga thellësia e asaj hapësire gri, ndieja një nevojë më të thellë se ajo jetike, për t’u varur në krahët rrotullues të atyre mullinjve të Travemundes e për të jetuar bashkë me ta ëndrrën e tyre.
8 Qershor 2009