E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrepëtijnë rrufe nga inati…



Stefan MARTIKO

FISHKËLLIMË E NJË SHIGJETE

Duhet një drejtësi sa më e drejtë
në pamundësi të jetë e tëra
fishkëllimë e një shigjete që po
të ngulet drejt e në zemër. Një
drejtësi që unë si fajtor ta gjykoj
helmin që pi si pije të
ëmbël. Por bota bota - them përherë
që na përfshinë e s'na le të
dalim nga rrethi. Duhet të
jenë ndezur mbi tokë tërë furrat
e diellit por ka kaq shumë
re dhe mjegull sa shkrepëtin
rrufe nga inati. Dhe kërrkund
s'ka njeri të shkojë në
shtëpi të flejë i qetë
se ka sjellë aq tepër
mikrobe me vete dhe
tani nga brenda zhvillohet
lufta me të keqen

MIRËBËRËS

Unë jam mirëbërës duke qënë
vetë sakat me një dorë a
një këmbë krijoj shoqata
për gjetjen e pjesëve të
këputura nga trupi. Ky
gjymtym i njeriut ku në vend
të lules mbin një këmbë tjetër
prej druri. Unë jam mirëbërës
sepse e kam futur thikën te
vetja aq herë sa te te tjerët kam
degjuar klithmën e
tyre të dhimbjes

HARTA E SHKRETËTIRËS

Ç'kërkon ashtu gjarpri në bar? Ia
pi vesën dhe lëngun. Kush vjen pas le
të shoh veprën e tij. Etja e të
tjerëve do të jetë ndryshe. Ai e
gjen dhe të ardhmen tjetër rrugës
dhe s'ka pse ta mbartë me vete
Shkretëtira nuk erdhi e tëra në një ditë
Kronikanët së pari panë
antenat që u zhvokshën lart
pa burime uji në qiell. Atje ku shkretëtira u bë
hartë mbinë qeparizat si
mbi një varrezë të madhe
e vërteta u mësua prej skeleteve mbi rërë

NJË MAL ME MBETURINA

Pastrimin në total nuk
e kuptoj si një mijë vagona pas
nesh që jemi lokomotiva por një
gjë më të thjeshtë pas së cilës
ne për çast ndahemi me
dhimbje. Jo varreza të bardha që
janë përherë pengu ynë si thembra
e pambrojtur e Akilit por diçka
më thellë që ne prej vetes
s'kemi si e nxjerrim ndryshe përveçse
si një mal me mbeturina

LUTJE PERËNDISË

Kur kam nevojë për këshillë thërras
një filozof dhe ai thërret një tjetër
që nuk është bashkëkohës bëhen dy
dhe unë i treti i përunjur që tani
kam bër te perëndia një lutje
sepse mençuria ime nuk qe aq
e fisme me shkolla agronomie për t'u
bërë bujqër. Kur thirri tjetrin i
dyti unë s'dija ku të futesha sepse
po i shkonte fajit tim te rrënjët
U bë një trup gjykatësish
të tërë i veshën togat e zeza
dhe shkaku i pushkatimit tim
u bë vetë padija ime

KUMINGS

Kur thua një dopjo mendon përherë
se janë më tepër se dy gjysma
Dhe kur thua dy shuplaka të vogla
mendon se ato nuk e përmbajnë
një grusht të fortë brenda
Kur thua një kiloton ti mendon
se te ky njësh i vogël nuk janë
thjesht dy gjysma. Pra ideja se moti
nuk do të sjellë kudo shira
ti ikën e strehohesh te një
furtunë tjetër. Ideja lehtësuese
që të thotë se njëshi nuk
mund të përmbajë
më tepër se dy gjysma

NË ÇDO VEND E KOHË

Nuk duken fare këto vogëlsira që
pas një çasti mund të na urdhërojnë
me tytën e tyre të hollë
para saj të përkulemi. Siç
ndodh para se dy fise të vjetër
në dyluftim jeta te doreza e shpatës
dhe vdekja te maja. Atë askush nuk
e kishte parë dhe të tërë në valle
me këmbë e kishin shkelur. Pastaj
dyluftimi i lartë vuri helmin në
majë të shpatës. Njeri fis vdiq
i tëri prej tjetrit dhe kjo nuk është
histori e thjeshtë ballkanike. Kjo ka ndodhur
kudo në çdo vend e kohë dhe unë ruaj
në përfytyrim një njeri që vrapon
me shpatën e ngulur pas shpine

DUKE DALË NGA GËRMADHAT

Të dy qajnë në gjoks të njëri-tjetrit
pasi e kanë pushtuar
po këmbejnë atë
që më parë e grabitën dhe po e nxjerrin si
kësulkuqe nga dhëmbët. Nuk
doja të të vrisja - tha dhe s'dua
të shkoj më vullnetar nëpër
luftëra.Të dy qanin duke dalë
prej gërmadhave sikur
të ishin duke parë një ëndërr

LUMI SJELL…

Unë jam një Kishë përherë duke
ikur nga vendet e shenjta. Si të
ishte shtëpia ime të cilën kurrë
s'munda ta marrë me vete
Nuk pranoj qindarka por
mijëra qirinjë që ndezin udhës
nëpër shi njëri-tjetrin. Unë pres
pak sa ç'më lejojnë semaforët. Kam
mbërritur aty para policisë rrugore dhe
para meje gjeta Nënë Terezën që i bënte
ampulat e fundit të
dashurisë urrejtjes. Nëna ime e
ruajti kondismën e saj jo si shenjë
besimi por për të pritur lumin
që sillte të mbytur njeriun tjetër

NATË E BARDHË

Ishte e bardhë nata kur e
pashë si një pëlhurë të një mijë
shtëpive ngritur si skena
që ende nuk po shfaqnin
ç'kishin brenda. Qe
dëbora. Ajo i kish ngrirë
kuriozët në sallat e mbyllura
të çdo shtëpie. Ne nuk kemi
tani në duar as timonë por jemi
të varur të gjithë te një
pikë e vetme ngrirjeje

8 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›