Çmimet pas vdekjes...
Pak ditë më parë vdiq shkrimtatri i shquar uruguajan Mario Benedetti, i cili kishte lindur në vitin 1920 ne Paso de los Toros. Ai pat një rini të vështirë dhe u shtrëngua të bëjë punë të ndryshm, si dasktilografist, shitës, librar, gazetar e nëpunës. Shkoi për punë në Buenos Aires, ku botoi edhe librin e parë me poezi:” Pragu që nuk harrohet”(1945). Po aty botoi disa libra, mes të cilëve librin me tregime “Ky mëngjes” dhe romanin “Armëpushimi” (1960), një nga librat e tij më të mirë.
Gjatë bredhjeve të tij, shkoi në Paris ku punoi per radion franceze dhe si përkthyes pranë Uneskos. Pas grushtit të shtetit i vitit 1973, kur nderkohë ishte kthyer në Uruguai, Mario mori prapë rrugët e mërgimit. Ne fillim shkoi në Argjentinë, pastaj në Peru dhe më pas në Madrid. Këtu qendroi dymbëdhjetë vjet. Në atë kohe botoi shumë libra më poezi, prozë e dramën “Pedroja dhe kapiteni”. Më vonë botoi romanin tjetër të njohur: “Falemnderit per zjarrin”. Si u kthye sërish në Uruguaj, vijoi të shkruante e të botonte deri në ditët e fundit të jetës. Ai ka fituar shumë çime letrare, është dekoruar me shumë urdhëra dhe medalje.
Kam pasur fatin e nderin të njihem me Mario Benedetti-n pas një shfaqjeje, ku ai lexoi plot pasion poezitë e tiji shoqëruar nga një kitarist. Shkrimtari shprehu simpati për vendin tonë dhe vlerësoi lart veprën letrare të Kadaresë. Në bibliotekën time ruaj librin “Faleminderit për zjarrin”, që ma nënshkroi më një kushtim mjaft shprehës.
Mario Benedetti mbetet një autor i shquar, ai është ndër zërat më origjinalë e të fuqishëm të letërsisë jo vetëm uruguajane, por edhe hispano-amerikane në përgjithësi.
Gjergj Vlashi
Mario BENEDETTI
Pesë ëndrra
Pashë pesë ëndrra bashkë me Edmundo Belmonten, një tip thatim rreth të dyzetave, me sy të shëmtuar, të cilin s´donin ta shihnin në mjedise të ndryshme, por që e zinin me gojë në të gjithë tryezat e nëpunësve e të gazetarëve.
Në ëndrrën e parë, Belmonte diskutonte gjatë e ashpërsisht me mua. Nuk më kujtohet mirë për çfarë po diskutonim, por më bie ndërmend se ai përsëriste me zë përtallës: “Ju jeni i pafytyrë dhe trilloni krime që ua vishni të tjerëve”, dhe nganjëherë shtonte: ”Ju më padisni mua, kurse e dini mirëfilli se të gjitha sa thoni janë gënjeshtra.” Unë i paraqisja dokumenta komprometuese, ai i merrte dhe i shqyente. Tamam në mes të kësaj shamate, zgjohesha.
Në ëndrrën e dytë ai më fliste me “ti” dhe buzëqeshte me ironi. Përqeshja e tij lidhej me thinjat e mia të parakohshme. Zakonisht, hoka perfundonte me një qeshje zhurmëtare dhe kjo ma nxirrte gjumin.
Në ëndrrën e tretë rrija ulur në një stol të sheshit Kagança, duke lexuar Svevon e ndërkohë ai më afrohej, ulej ndanë meje dhe niste e rrëfente arsyet e ngatërruara për të cilat ne vitin 95 kishte plagosur për vdekje një komentator futbolli Unë e pyesja se si ishte e mundur që tashti ecte me kokën lart, si të ishte zot i rrugës ; ai qeshte me ironi e thoshte: “A don të të tregoj të fshehtën e kësaj sjelljeje?” Por pikërisht atë çast më dilte gjumi.
Në ëndrrën e katërt me rrëfente me hollësira të shumta se dashuria e madhe e jetës së tij të trazuar kishte qenë një prostitutë e mrekullueshme në Pire. Mirëpo, pas pesë vitesh të një dashurie plot shpërthime erotike, kishte qenë i detyruar t´ia përdridhte qafën, mbasi ajo e kishte tradhtuar më një shqiptar pa farë vlere. Prapë ngulmova dhe e pyeta se si ishte puna që ishte i lirë. “Falë narkotrafikut, mor plak, narkotrafikut.” Habia ime qe aq e madhe, sa u zgjova.
Tekembramja, në ëndrrën e fundit, Belmonte i çuditshëm u shfaq në studion time si projektist me një qendrim shumë agresiv, sa u dridha e shtrëngova dhëmbët.
“Përse më shite, mor budallla, - ia nisi. - E mban veten më të rregullt e të ndershëm? Të kam lajmëruar kushedi sa herë se me ne nuk do të të ecë. Ti, si njeri i trashë që je, deshe të luash, prandaj mos u habit nga kjo që do të pësosh tashti.”
Hapi vrulltazi çantën dhe nxori nëe revolver të ri fringo. Brofa më këmbë, po para se të mund të thoja ndonjë fjalë, ai më shprazi dy plumba. Një në kokë e tjetrin në krahëror. Për çudi, ende nuk jam zgjuar nga ëndrra e fundit.
Të ëndërrosh me zë të lartë
Luçiano nuk takohej shpesh me të atin. Përkundrazi, me të ëmën takohej më dendur, më shumë nga ndjenja e përgjegjësisë sesa nga dashuria. Si çdo fëmijë prinderish të shkunorëzuar, Luçiano e ndjente veten disi jetim. Pak nga pak u bë i pavarur dhe, pas një fejese normale aspak të zgjatur, ishte martuar me Çeçilen.
Një të shtunë në drekë u takua me të atin dhe ky e grishi të hynin në një kafe te qendrës.
“Po përfitoj nga ky takim i rastit për të të bërë një pyetje jo aq të rastit.”
“Fol.”
“Përse je ndarë nga mamaja?”
“Nuk është kaq e lehtë t’ia tregoj dikujt që nuk e ka jetuar vetë. Nënën tënde gjithmonë e kam dashur. Nuk mund të them se e doja me pasion, po prapë e dashuroja. Besoja se edhe ajo ndjente per mua po ashtu. Një natë, për arsyë pune, u ktheva në shtëpi shumë vonë. Ajo po flinte, bënte gjumë të thellë. Papritmas, dëgjova që po fliste në gjumë. Munda të shquaja një emër. Anselmo, Anselmo. Ai ishte një fqinji me të cilin kishim marrëdhënie të mira. Të nesermen në mengjes, ndërsa po hanim sillen, e pyeta si qëndronte puna me Anselmon. Shpërtheu në vaj dhe nuk pati guxim të më shihte në sy, por e pranoi se ishte dashnori i saj. Ky qe fundi.”
Disa muaj më vonë, Luçiano i bëri së ëmës po atë pyetje:
“Përse jeni ndarë? Kurrë s´ta kam zënë me gojë, pasi e kam menduae si çështje private.”
“Me babain tënd kisha tetëmbëdhetë vjet e martuar. E pranoj se nuk ishim të dashuruasr, po i duronim ndryshimet tona dhe bisedat e shpeshta e bënin më të shkueshme marrëdhënien tonë. Një pasdiite, në kohn e pushimit të drekës (ai flinte gjithnjë, unë kurrë), nisi të flasë gjatë gjumit duke thënë emrin Ines, Ines. E thoshte në një mënyrë aq të ëmbël, sa kurrë s’e kishte përdorur me mua. Inesi ishte nje shoqe e studios sime. Ajo drekonte e darkonte shpesh me ne. Ishte e mirë dhe e bukur. Kur babai yt u zgjua, i bëra pyetjen e domosdopshme: Kaq me dashuri e sheh Inesin në ëndërr? Siç e prisja, ai më rrefeu se prej dy vjetësh kishin marrëdhënie dashurie. Kjo i dha fund gjithçkaje.”
Mbas ketyre pohimeve (Cila nga të dyja ishte i vertetë? A thua të dy bashkë?), Luçiano e ndjeu veten më jetim se kurrë. Dy-tri orë u suall rrugëve plot njerëz si fantazëm, duke shpresuar se njerëzit e shumtë mund t´ia largonin trishtimin.
Tekembramje, vendosi të shkonte në shtëpine e vet. Ishte vonë dhe Çeçilja po flinte. Në gjumë, ajo u rrotullua në shtrat dhe shtrëngoi nenkresën. Pastaj dy herë me radhë tha: Luciano, Luciano! Ajo e ndjente veten krenare dhe të kënaqur.
E la të flinte në qetësi dhe shkoi ne kuzhinë te piqte një kafe. E piu me qejf dhe, teksa po lante filxhanin, iu ndez llampa. Dreq o punë, ai kishte një kushëri që quhej Luçiano. Ai ishte Luçiano Giomez, kurse kushëriri quhej Luçiano Estevez. Athua ishte e mundur? Nuk donte ta besonte, por dyshimi ia gërryu zemrën.
Pak a shumë i mërzitur, vajti në dhomën e gjumit. Çeçílja vijonte të përqafonte nënkresen dhe të shqiptonte kthjelltas emrin Luçiano, Luçiano.
Ai u kthye nga muri dhe u mendoi: Përse gratë nuk ëndërrojnë edhe me mbiemra?
U T O P I
Padashje u gjeta në një shtëpi
E s’munda më të dal;
Shkova drejt qiellit, detit e malit
E s’munda më të dal;
Utopia fluturonte notonte e vraponte
Ajo për vete ishte një rrozullim
Kurse unë prapë s’munda të dal
Në mes të natës utopia
U shndërrua e u bë fat
E bëri kujtesën
Një lagje varfanjake
E unë prapë s’munda të dal.
Kur tekembramja (s´e di sesi)
Dola nga ajo ëndërr
Utopia magjistare s’ndodhej aty
Kurse bota më falte
Vetëm mërzi edhe braktisje.
D O L L I
Ngre dolli për ata që u shfaqën
E për ata që u zhdukën.
Ngre dolli për të dashurën kur zhvishet
Për dimrin e shallat e tij.
Për fëminitë e largta të pleqve
Dhe për pleqëritë e ardhme të fëmijëve.
Ngre dolli për currat e angushtisë
Për arkipelagun e gazmendit
Ngre dolli për poetët e rinj
Që njohin monedhat edhe rrokjet
E së fundi ngre dolli për dollinë
Dhe për verën që na japin të ngremë dolli.
T U F Ë H A J K U
Çmimet pas vdekjes
Nuk jepen me dëshirë
Po për mëshirë.
Në fund të fundit
Dhe vdekja na dëshmon
Se pati jetë.
Flutura e di
Dhe do ta kujtoj përherë
Se dje qe krimb.
Po s´u larguan
Duhet pasë kujdes
Dhe për fantazmat.
N’se më merren mendët
Mundet që më ka dehur
Shikimi yt.
Kur sytë e mi
Hapen e mbyllen
Gjithçka ndryshoi.
N´baule të re
I kam ruajtur gjithë ndjenjat
Po humba çelësin
Valë pas vale
Deti gjithçka e di
Por e harron.
Kur dashuria
Nuk ësht e plotë´dyshimi
Nis e hap derën
Sa shumë miq
Nga një dimër në tjetrin
Ikin, na lënë.
Përktheu Gjergj Vlashi
8 Qershor 2009