SKANDALI/ Zv/shefi i qarkullimit rrugor merr 200 mijë lekë për të kthyer patentën e emigrantit
Ndërkohë polici që shërbeu si sekser për këtë skandal është ndëshkuar nga Hysni Burgaj, duke u pezulluar nga detyra dhe duke nisur hetimi ndaj tij
Fiks Fare i dha përgjigje pyetjes që shtroi një ditë më parë, nëse ishin marrë apo jo paratë për kthimin e patentës së emigrantit nga policët e qarkullimit rrugor të Tiranës dhe kush i kishte marrë.
Pas sorollatjes nëpër sportelet e komisariatit të qarkullimit rrugor të Tiranës, emigranti shqiptar nga Italia më në fund ka rimarrë lejen e tij të drejtimit të automjetit të lëshuar nga autoritetet italiane.
Patentën ai e ka rimarrë, por pa kaluar në komision dhe pa u ndëshkuar.
Gazetarët e Fiks Fare treguan sesi bllokohet patenta e një emigranti dhe sesi i kthehet atij duke paguar 20 mijë lekë të reja në zyrën e një prej drejtuesve të komisariatit të qarkullimit rrugor, në atë të zv/shefit të këtij komisariati, zotit Baftar Hadushaj.
Investigimi i Fiks Fare ka vazhduar pas premtimit që punonjësi i policisë, anëtar i komisionit të patentave, i bëri emigrantit për rimarrjen e patentës pa dalë në komision e pa u ndëshkuar.
Për të mos i dërguar dokumentet në Ministrinë italiane të Transporteve, dhe që të mos penalizohet në shtetin ku ai jeton, polici shqiptar i propozoi një rrugë tjetër zgjidhjeje, atë të ryshfetit.
Kundrejt një pagese që do të ishte më e lartë sesa gjoba, ai i del garant që ti nxjerrë patentën nga dosja ku është futur.
Takimi i lënë për ditën e nesërme është zhvilluar në zyrën e zëvendësshefit të qarkullimit rrugor të Tiranës, zotit Baftjar Hadushaj.
Ai e ka pritur vetë emigrantin në oborrin e komisariatit dhe e ka shoqëruar për në zyrën e tij.
Pikërisht në zyrë ai ka marrë prej emigrantit shumën prej 20 mijë lekësh të reja.
Pasi ka bërë një shënim për rimarrjen e patentës, i ka thënë emigrantit që mund ta tërhiqte tashmë patentën në sportel.
Më pas emigranti është kthyer në sportelin ku ndodhej efektivi i policisë, anëtari i komisionit të patentave, z.Agim Kamberi, i cili një ditë më parë i kishte treguar sesi mund ta nxirrte patentën nga dosja pa u penalizuar, por duke paguar.
Ai e ka pyetur nëse kishte mundur të rimerrte patentën. Emigranti i është përgjigjur se patentën e kishte marrë pasi kishte paguar 20 mijë lekë dhe në fund të bisedës i lë edhe atij një bakshish prej dy mijë lekësh.
Ndërkohë menjëherë pas videos së parë të publikuar nga emisioni investigativ Fiks Fare, ku një emigranti i bëhej presion nga policia shqiptare për të marrë ryshfet, ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Ai ka përjashtuar nga detyra policin Agim Kamberi, me gradë nënkomisar, me detyrë polic pranë Drejtorisë së Policisë Rrugore me akuzën e shkeljes së Kodit të Etikës
Makthi i një emigranti që iu drejtua për ndihmë emisionit Fiks fare nisi kur policia i bllokoi dokumentet e qarkullimit rrugor vetëm pse nuk kishte ndezur dritat.
Emigranti kërkoi rikthimin e shpejtë të dokumenteve pasi do ikte në Itali dhe efektivi i policisë, Kamberi i ofron ndihmë përkundrejt ryshfetit.
Gjatë bisedës së tij për të bindur emigrantin për kryerjen e pagesës efektivi i policisë, Kamberi shprehet se shteti dhe policia është shkrehur tani përpara ardhjes së qeverisë së re, duke theksuar se më pas nuk do ketë më allishverishe.



