E Shtunë, 31 Tetor 2026

SKANDALI i arrestimit të Fatos Skejës/ Policia e ndalon, prokuroria e lëshon në mirëbesim

Fatos Skeja

Fatos Skeja

Nga Lindita Çela

Ish- shoferi personal i Shkëlzen Berishës, Fatos Skeja ka mundur të dalë nga masa e ndalimit falë prokurores së çështjes, Elisabeta Marku, e cila ka kërkuar ndjekje në gjendje të lirë të tij.

Skeja, i cili u ndalua për shkak të një afere për vënie gjobe 100 mijë euro, ngjarje në të cilën është përfshirë dhe makina e ish- prokurorit të Kukësit, tashmë në Shkodër, Xh.L., duket se përfundoi si një vizitë tek zyra e drejtorit të Policisë së Qarkut të Tiranës, Bernard Çaushaj.

Ndërsa në mesditë u fol gjatë për arrestimin e ish- gardistit, i cili u bë i njohur pas presionit ndaj familjes së një prej protestuesve të vrarë me 21 janar, Hekuran Dedës, drejtoria e Policisë së Tiranës nuk ka dhënë asnjë sqarim për këtë ngjarje.

Burime të besueshme i thanë TemA-s se përgjatë dy orëve që ish- gardisti ka ndenjur në ambientet e Policisë së Tiranës, ai ka qëndruar në zyrën e Çaushajt.

Ndalimi i Skejës, policia i përplas makinën me dhunë

Fatos Skeja është arrestuar pas një operacioni të menduar policor, duke i ngushtuar rrugën makinës së tij derisa ia bllokuan kalimin.

Operacioni, i cili ishte një stimulim i një eskorte policie që shoqëronte lekë, bëri të mundur ndalimin e Skejës, i cili i rezistoi urdhrit të ndalimit.

Pas kësaj ai u shoqërua në mjediset e Policisë së Tiranës dhe aty filloi presioni mbi policinë për ta liruar nga prokurorja e çështjes, e cila njihet si njeri i afërt i Shkëlzen Berishës.  Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se prokurorja e çështjes mund të ndërrohet ditën e nesërme duke e lënë të paqartë të ardhmen e ndjekjes së çështjes.

Arsyetimi kryesor i prokurorisë është se Skeja është person i njohur prej tyre dhe mund të ndiqet në gjendje të lirë.

Viktima e të paditurit ka qenë emigrant shqiptar, të cilit i janë kërkuar 100 mijë euro.

Makina e përfshirë në ngjarje ka qenë një makinë e ish- prokurorit të Kukësit, tashmë në Shkodër.

Sipas burimeve të pakonfirmuar zyrtarisht, thuhet se Skeja është njoftuar dy ditë më parë për hapjen e një procesi hetimor ndaj tij për gjobëvënie, që sipas lajmeve të raportuara, kap vlerën e 100 mijë eurove.

Po ti çne që vjen vërdallë, ndaj teje ka një hetim për gjobëvënie, thuhet se persona të caktuar kanë informuar ish-gardistin.

Përplasja për 21 Janarin

Ish- gardisti ka qenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, jo vetëm për faktin se ai shërbente si shofer i djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, por edhe për shkak të përfshirjes së tij në biznese me njerëz, jo vetëm të përfolur në botën e krimit, por dhe me lidhje të afërta me krerët e qeverisë që shkoi.

Po kështu, Skeja u denoncua nga vëllai i Hekuran Dedës, se ka qenë pikërisht ai, që në këmbim të mikpritjes së Sali Berishës në ceremoninë mortore, jo vetëm që do i ofronte para, por dhe do ti rrëfente vrasësin.

Pas këtij denoncimi, Skeja paditi familjen e Hekuran Dedës për shpifje.

Edhe pse familjarët e Hekuran Dedës nuk u thirrën kurrë për të dëshmuar mbi këtë ngjarje, paradoksalisht gjykata vendosi të gjobisë me një milion lekë Zabit Dedën, me argumentin se ka deklaruar të dhëna të pavërtetueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›