SOFJE – Milo: Dhoma e Biznesit Bullgaro-Shqiptar në ndihmë të bashkëpunimit mes kompanive

SOFJE, 27 janar /ATSH-BTA/ – Aktiviteti i Dhomës së Biznesit Bullgaro-Shqiptar është më shumë sesa të ndihmojë kompanitë që të punojnë së bashku, sipas ambasadores shqiptare në Bullgari, Inid Milo.
Ambasadorja Milo përshëndeti të pranishmit në hapjen zyrtare të Dhomës së Biznesit Bullgaro-Shqiptar, e cila u zhvillua sot në Sofje.
Ajo tha se dhoma do të ndihmojë investitorët nga të dyja vendet për të zhvilluar procesin e bashkëpunimit mes tyre.
”Shpresoj që Dhoma e Biznesit Bullgaro-Shqiptar të jetë jo vetëm për kompanitë, por edhe për njerëzit, sepse pas çdo biznesi ka mundësi të reja”, tha Milo.
Ivan Ançev, i cili është bashkëkryetar i Dhomës së Biznesit Bullgaro-Shqiptar, vuri në dukje se qëllimi kryesor i dhomës është zhvillimi i marrëdhënieve më të mira të biznesit ndërmjet kompanive nga të dy vendet dhe perspektiva më të mira për bashkëpunim.
”Marrëdhëniet nuk janë vetëm biznesi, ka edhe projekte kulturore dhe arsimore, edhe pse nuk ka instrumente për të matur këtë lloj bashkëpunimi”, tha ai.
Në ceremoninë zyrtare të hapjes morën pjesë Ervis Taluri, Drejtor Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë Bullgaro-Shqiptare, i cili përshëndeti pjesëmarrësit, si dhe Ardiola Alikaj, Koordinatore e Programit Ekzekutiv Master (EMBA) në Universitetin Amerikan në Bullgari (AUBG).
Dhoma synon të promovojë marrëdhëniet ekonomike dhe mundësitë midis Bullgarisë dhe Shqipërisë në fushat e tregtisë, industrisë, bujqësisë, financave, transportit, teknologjisë dhe komunikimit./ a.jor.