E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han: E ardhmja ime nuk varet nga Hungaria

 

JETMIR HALILAJ

Në konferencën për shtyp është i përpiktë si gjithnjë. Ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë ka në fytyrë një shprehje ankthi, të cilën megjithëse përpiqet ta largojë me snobizmin karakteristik të holandezëve, e ka të vështirë. Kjo duket edhe nga toni i zërit të trajnerit të Kombëtares, Ari Han, që dje ishte paksa më i ulët se herët e tjera dhe foli me më shumë kujdes. Eviton të bëjë deklarata euforike, por nuk ngurron të thotë se rezultati i Hungarisë nuk është aspak përcaktues për të ardhmen e tij në krye të përfaqësueses shqiptare. Ai e cilëson ndeshjen e së shtunës si shumë të rëndësishme, madje shprehet i bindur se kuqezinjtë mund të fitojnë. "Hungaria është një kundërshtar jo i lehtë, por ne na duhet fitorja dhe mund ta marrim atë. Ndaj Maltës lamë dy pikë, kështu që në këtë ndeshje të gjitha përgatitjet i kemi kryer duke menduar vetëm për fitoren", është shprehur holandezi.
Rezultati ndaj Hungarisë, a do të jetë përcaktues për të ardhmen tuaj në krye të stolit kuqezi?
Unë mendoj vetëm fitoren. Mendoj se skuadra i ka mundësitë ta bëjë një gjë të tillë dhe do të përpiqemi që t'ia dalim mbanë. Kur punoj, nuk mendoj se si do t'u përgjigjem pyetjeve të tilla. Megjithatë, ju kujtoj se edhe Kuman, apo skuadra hungareze është nën presionin e federatës së tyre dhe të tifozëve. Megjithatë, mund të them se e ardhmja ime nuk varet nga rezultati i Hungarisë.
Shqipëria në dy ndeshjet në transfertë kundër Hungarisë dhe Maltës është shthurur taktikisht në pjesën e dytë. Si keni ndërmend që ta zgjidhni këtë problem?
Nuk mendoj se skuadra është shthurur taktikisht. Mendoj se pavarësisht se ekipi nuk ka bërë paraqitje shumë të mira në këto ndeshje, gjithsesi ka treguar edhe gjëra pozitive. Unë mendoj se problemi i Shqipërisë, është që nuk arrin të reagojë si duhet pasi pëson një gol. Kjo u vu re qartë edhe në ndeshjen kundër Hungarisë. Skuadra duhet të jetë më e qetë dhe më agresive njëkohësisht. Ky mendoj se është një problem që e hasëm edhe ndaj Maltës, ndonëse atje nuk pësuam gol.
Meqë përmendët Maltën, atje humbëm një shans shumë të mirë për të marrë tri pikë....
Po, është e vërtetë, atje lamë dy pikë. Zhgënjimi në Maltë nuk ka pasur lidhje me lojtarët, por me periudhën kur u zhvillua kjo ndeshje. Malta ishte në kondicion të plotë fizik në mes të sezonit, ndërsa futbollistët e Shqipërisë vinin pas fazës përgatitore të dimrit. Në pjesën e parë patëm mundësi të kalonim në avantazh dhe mund të kishim fituar, por në të dytën patëm edhe fat që nuk humbëm. Mendoj se ndoshta ishte gabim që pranuam të luanim në atë datë, pasi një pjesë e lojtarëve titullarë, sidomos ata që aktivizohen në Ukrainë, kishin disa javë që nuk luanin për shkak të ndërprerjes së kampionatit. Megjithatë, në Maltë nxorëm disa mësime dhe mendoj se ato do të na shërbejnë për ndeshjet e tjera.
Si është gjendja e skuadrës tani?
Mendoj se lojtarët gëzojnë një formë shumë më të mirë se në grumbullimin ndaj Maltës. Kjo vihet re lehtësisht në stërvitje. Shikoj një skuadër më të freskët, me ambicie dhe më egoiste, që më bën të jem shumë optimist. Sigurisht, dëshira është të fitojmë çdo ndeshje, por kjo nuk mund të jetë e mundur. Duke pasur parasysh humbjen me Hungarinë dhe barazimin me Maltën, ka ardhur momenti t'i kthehemi fitores. Fatkeqësisht kemi dy futbollistë të dëmtuar, Lilën dhe Beqajn, megjithatë them se me grupin që kemi në dispozicion, do të arrijmë një rezultat të mirë.
Kombëtarja gjatë këtij sezoni ka shënuar shumë pak gola. Cilat janë arsyet e këtij problemi dhe si mund të zgjidhet ai?
Kombëtarja shqiptare ka shënuar pak gola edhe në të kaluarën, ndaj nuk mund të flasim për krizë golash. Për një skuadër me potencialet e Shqipërisë ka mjaft rëndësi organizimi në mbrojtje. Kjo u pa qartë edhe në momentin kur u gjendëm në disavantazh në Hungari. Duhet theksuar se sulmuesit e Shqipërisë nuk luajnë në skuadra të nivelit të lartë. Është edhe një detaj tjetër që duhet përmendur: sulmuesit tanë luajnë të vetëm në sulm edhe në skuadrat e tyre. Pra, Shqipëria ka sulmues që janë mësuar me lojën e kundërsulmit, çka shikohet edhe në seancat stërvitore që kam zhvilluar. Kjo aftësi e kufizuar e tyre shprehet edhe në lojën e Kombëtares. Megjithatë, duhet të punojmë fort për t'u përmirësuar në fazën sulmuese, pasi ndeshja nuk mund të fitohet pa shënuar.
A ka faj trajneri që skuadra nuk rrezikon për ta fituar ndeshjen?
Skuadra nuk ka qenë e orientuar më shumë nga mbrojtja. Në të dyja ndeshjet, me Hungarinë dhe Maltën, udhëzimet kanë qenë të qarta që në fillim. Është tjetër gjë sesa arrihet qëllimi. Më të drejtë kanë ardhur kritikat pas dy ndeshjeve, kur në pjesën e dytë kemi luajtur më keq. Pjesa e dytë ndaj Maltës ishte e tmerrshme, e frikshme do të thosha.
Keni lënë jashtë Bogdanin, Kapllanin dhe Hykën....
Unë mund t'i jap arsyet e mosthirrjes për çdo lojtar, por nuk mendoj që është rasti për të folur për ata që nuk janë grumbulluar, por për ata që do të luajnë me Hungarinë.
Gjashtë futbollistë të Kombëtares e kanë nga një karton të verdhë dhe nëse ndëshkohen me një të tillë ndaj Hungarisë, humbasin takimin me Danimarkën. Sa ju shqetëson ky fakt?
Për këtë më vjen shumë keq, sepse mund të na ndëshkojnë për ndeshjet e ardhshme. Pastaj edhe Hungaria ka shumë lojtarë me kartonë të verdhë, që rrezikojnë për ndeshjet e ardhshme, plus dy të tjerë që nuk luajnë. Fundja, ky është futbolli, duhet ta pranojmë me rregullat e tij. Megjithatë, lojtarët tanë, që rrezikojnë për ndeshjen e ardhshme, duhet të jenë shumë të kujdesshëm, që të mos ndëshkohen me kartonë të panevojshëm. Pra, duhet të shmangin të paktën situatat e kota si vonesat e lojës, largimet e panevojshme të topit, apo kundërshtimet ndaj gjyqtarit. Ndërsa kur është i nevojshëm ndonjë faull taktik, por i ndëshkueshëm me karton, duhet t'i pranojmë.
Do të luajmë me një, apo dy sulmues?
Të gjitha skuadrat e mëdha luajnë në këtë mënyrë, pra me një sulmues. Duron e shikoj më shumë si sulmues se mesfushor. Duhet të organizohemi mirë që në mbrojtje dhe të dalim në sulm në mënyrën e duhur.
Cana do të luajë qendërmbrojtës, apo në mesfushë?
Lorik Cana është një futbollist, i cili për mua jep më të mirën në mesin e fushës, por kur aktivizohet bashkë me Lalën, nuk është se kanë zhvilluar lojë të mirë. Për këtë arsye mendoj se do të ishte më mirë që këta dy futbollistë të mos luajnë pranë njëri-tjetrit. Cana ka treguar se mund të jetë shumë i vlefshëm në qendër të mbrojtjes. Këtë e kemi parë në ndeshjen me Portugalinë. Pas ndeshjes me Hungarinë, kam pasur një bisedë me Canën, të cilit i kam shpjeguar që si ai, ashtu edhe Lala bëjnë të njëjtin rol. Ky ishte mendimi im dhe besoj se është i drejtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›