Suç, banorët protestë për qendrën e komunës
BURREL - Dhjetëra banorë të fshatit Suç në Mat protestuan dje në qendër të fshatit, për realizimin e kërkesave të tyre. Për rreth 3 orë përfaqësues të fshatit janë takuar dhe me prefektin e Dibrës, Xhafer Seiti, të cilit i kanë kërkuar caktimin e qendrës së komunës. Banorët pretendojnë se me vendim qeverie, qendra e komunës është në fshatin e tyre, Suç, ndërsa prefekti dhe kryekomunari u pohuan se po me vendim qeverie është 5 km më larg, në fshatin Kurdari. Pikërisht kjo përgjigje ka bërë që afro 2000 zgjedhës të fshatrave Suç e Kujtim të deklarojnë se nuk do të udhëtojnë kaq gjatë për t'u pajisur me karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Ky problem dhe mungesa e investimeve në fshatin e tyre ka bërë që banorët të kërcënojnë me braktisjen e zgjedhjeve të këtij viti. Ata shprehen se shkolla është në gjendje të mjeruar, mungojnë rrugët e ndërtimi i ujësjellësit të premtuar për ta, nuk u krye kurrë. h.p