SP zhvlereson Spanjen

Agjencia e Vlerësimit të Kreditit Standard & Poor's ka zhvlerësuar me 2 nyje në 3B minus borxhin afatgjatë të Spanjës, duke cituar thellimin e recesionit në ekonomi dhe mundësitë e kufizuara të qeverisë për të ndalur rënien. Tani bonot e Spanjës gjenden vetëm një nyje përmbi zonën spekulative dhe në treg vendimi pritet të shoqërohet nga rritja e kostos së borxhit për ekonominë e katërt të eurozonës. Megjithatë në treg ka shumë analistë që thonë se ky zhvlerësim do të detyrojë Madridin të kryejë veprimin e shumëpritur të tregjeve, atë të aplikimit për ndihmë sovrane. Për agjencinë amerikane Spanja po përjeton një recesion ekonomik të egër dhe të thellë që mund ta cojë vendin në një rritje të varfërisë sociale dhe tensioneve mes qeverisë qëndrore dhe atyre rajonale. Agjencia druhet se rajonet autonome, ku po afrohen zgjedhjet nuk janë në gjendje të marrin vendimet e duhura. Rënia e ekonomisë sipas S&P mund të arrijë në 1,8% në vitin e ardhshëm. Pavarësisht eksporteve në rritje, thuhet në raport kontributi i tyre nuk është i mjaftueshëm për të kompensuar impaktin e kërkesës së dobët në tregun e punës dhe as mund të jap kontribut në rezultatet fiskale të shtetit. Zhvlerësimi nga S&P shoqërohet me një këndvështrim negativ që nënkupton ulje të mëtejshme të notës vlerësuese për këto bono. Nota negative sipas agjencisë lidhet me shtimin e risqeve për rritjen e ekonomisë dhe për performancën e buxhetit. Këtyre dy elementëve u shtohet dhe mungesa e një drejtimi të qartë të politikave në rang paneuropian. "Në këndvështrimin tonë kapaciteti i institucioneve politike te Spanjës, si ato të brendshme dhe ato multilaterale, që merren me sfidat e rënda që paraqesin kushtet aktuale të ekonomisë dhe të financave, është në rënie”, thekson Standard&Poor’s në raportin që shoqëroi vendimin. Tashmë vlerësimi i kësaj agjencie është në të njëjtin notë që vendos edhe Moody's. Gjithsesi pas këtij vendimi të agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit të kreditit qeveria spanjolle nuk ka dhënë asnjë shpjegim dhe nuk ka bërë komente.