E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK jep detajet për akuzat ndaj shefes së Shërbimit Sekret dhe dy të tjerëve

SPAK jep detajet për akuzat ndaj shefes së Shërbimit Sekret dhe dy të tjerëve

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillon hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.

Pas kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar, me vendimin nr. 67, datë 21 shtator 2026, disa masa sigurimi ndaj personave nën hetim.

Për Vlora Hysenin, me detyrë drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror, është caktuar masa “arrest në shtëpi”, si dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Ajo po hetohet për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.

Ndërkohë, për Fation Kalluçin, me detyrë përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, është caktuar masa “arrest në burg”, për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.

Masa “arrest në burg” është caktuar edhe për Embro Sylejmanin, punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, i hetuar për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Sponsorizuar

Vendimet i janë dërguar Policisë së Shtetit, e cila ka ekzekutuar dy prej masave të sigurisë.

Në kuadër të të njëjtit hetim, me vendimin nr. 618, datë 20 shtator 2026, Gjykata e Posaçme ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish-funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, me vendimin nr. 619, datë 21 shtator 2026, gjykata ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave në kryqëzimin e rrugës “Durrësi në Shekuj” me rrugën “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozetit, Durrës.

Masat dhe kontrollet janë kryer në kuadër të hetimeve të SPAK për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025.

  • Neni 302/2 – “Përkrahja e autorit të krimit”: kur ndihma për t’i shpëtuar kërkimit, kapjes ose arrestimit i jepet autorit të një prej veprave penale të listuara në këtë paragraf, dënimi është burgim nga 2 deri në 7 vjet. Ndihma mund të jetë sigurimi i ushqimeve, mjeteve të jetesës, banesës, vendqëndrimit apo në mënyra të tjera. 
  • Neni 295/a/1 – “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”: dënon me gjobë ose burgim deri në 5 vjet zbulimin ndaj të tretëve të të dhënave që ligji i përcakton si sekret, ose ndihmën për zbulimin e tyre, nga një funksionar publik ose person i ngarkuar me shërbim publik, kur kjo bëhet në kundërshtim me detyrën ose duke abuzuar me funksionin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›