SPAK në bashkëpunim me FBI / Publikon detaje mbi sulmin ndaj krimit jashtë kufijve

Në një takim të nivelit të lartë të mbajtur në Tiranë me përfaqësues të rrjetit të Akademisë Kombëtare të FBI-së, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka bërë të qartë strategjinë e saj për goditjen e krimit të organizuar dhe gjurmimin e aseteve kriminale.
Përfaqësuesi i SPAK, Klodian Braho, ka zbuluar detaje mbi sfidat dhe mënyrat se si grupet kriminale po operojnë aktualisht duke fshehur komunikimet dhe transfertat bankare në shtete të ndryshme.
Gjatë këtij takimi, u theksua se një hetim mund të nisë në Tiranë, por rrjetet e krimit i shtrijnë tentakulat e tyre kudo nëpër botë.
Për këtë arsye, bashkëpunimi i ngushtë me ndërkombëtarët dhe sidomos me rrjetin e agjentëve të FBI-së është kthyer në një mjet jetik.
Duke e kthyer njohjen në bashkëpunim konkret, agjencitë ligjzbatuese shqiptare, përfshirë edhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), po integrohen gjithnjë e më shumë në rrjetet ndërkombëtare të sigurisë.
Tashmë është e qartë se informacionet e siguruara në Shqipëri po ndihmojnë në zbardhjen e çështjeve në shtetet evropiane dhe anasjelltas.
Me integrimin e hetuesve shqiptarë në akademitë ndërkombëtare, institucionet e drejtësisë premtojnë një goditje të ashpër ndaj të gjithë atyre që mendojnë se mund të fshehin paratë e krimit jashtë kufijve.
Ky zhvillim ngre alarmin për organizatat kriminale që kanë shfrytëzuar boshllëqet ndërkombëtare deri më sot, pasi rrjeta e drejtësisë po ngushtohet dita-ditës.
PJESË NGA FJALA E KRYEPROKURORIT TË POSAÇËM KLODIAN BRAHO
Të nderuar drejtues të rrjetit të Akademisë Kombëtare të FBI-së, të nderuar të ftuar, zonja dhe zotërinj. Në emër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ju uroj mirëseardhjen në Tiranë. Falënderoj degën evropiane të këtij rrjeti, presidentin e saj zotin Seferi dhe Policinë e Shtetit për organizimin e këtij takimi. Për SPAK-un, bashkëpunimi ndërkombëtar është pjesë thelbësore e punës sonë.
Një hetim mund të nisë në Tiranë, ndërsa komunikimet, transfertat bankare, pasuritë që kërkojmë të gjurmojmë na çojnë në disa shtete të tjera. Në këto raste përparimi i hetimit varet dhe nga kolegu që kupton kërkesën tonë, e trajton atë me përgjegjësi dhe na ndihmon të sigurojmë provën që na mungon.
Besoj se shumë prej jush e njohin mirë këtë përvojë. E dini sa rëndësi ka të njohësh institucionin të cilit i drejtohesh dhe të kesh besim te profesionistët që punojnë atje. Këtu qëndron dhe vlera e shtuar e këtij rrjeti.
Përvoja e përbashkët në Akademinë Kombëtare të FBI-së krijon marrëdhënie që vijojnë gjatë edhe pas përfundimit të trajnimit. Ky rrjet i mban ato aktive dhe ndihmon që njohja mes kolegëve të kthehet në bashkëpunim konkret.
Këtij komuniteti profesionistësh i është bashkuar tashmë dhe i diplomuari i parë nga Byroja Kombëtare e Hetimit, krahas kolegëve të shumtë nga Policia e Shtetit dhe nga institucione të tjera ligjzbatuese shqiptare.
Së shpejti programin do ta ndjekë dhe përfaqësuesi i dytë i BKH-së. Ky përfaqësim na nderon dhe na ngarkon me përgjegjësinë për ta ndarë përvojën e fituar me kolegët tanë. Në Shqipëri kemi bërë përparim në hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka patur një rol të rëndësishëm në këtë proces.
Nga hetimet tona kemi fituar njohuri mbi mënyrën si organizohen grupet kriminale, si krijojnë lidhje përtej kufijve dhe se si fshehin dhe lëvizin përfitimet e tyre.
Këto njohuri mund të ndihmojnë dhe hetimet që zhvilloni në vendet tuaja. Për SPAK-un, bashkëpunimi përfshin edhe përgjegjësinë për të kontribuar në hetimet e partnerëve, me të njëjtin seriozitet që presim për kërkesat tona.
Një informacion që sigurojmë në Shqipëri mund të ndihmojë në zbardhjen e një çështjeje në vendin tuaj, një provë që vjen prej jush mund të jetë vendimtare për një hetim që zhvillohet në Shqipëri. Pikërisht në këtë punë të ndërsjellë ndërtohet besimi dhe dëshmohet se mund të mbështetemi te njëri-tjetri.