E Hënë, 2 Nëntor 2026

GAZË – Hamasi pranon propozimin e ri për armëpushim

GAZË, 18 gusht /ATSH-ANSA/- Hamasi ka pranuar propozimin e ri për armëpushim në Gazë të paraqitur nga ndërmjetësit, raportoi një burim i “Al Jazeera”

“Ne i informuam ndërmjetësit për marrëveshjen tonë mbi propozimin e paraqitur dje”, tha Hamasi.

Propozimi për armëpushim përfshin lirimin e 10 pengjeve izraelite të gjallë dhe 18 të vdekurve, shpërndarjen e ndihmës në Gazë përmes organizatave humanitare, Gjysmëhënës së Kuqe dhe Kombeve të Bashkuara, dhe një armëpushim 60-ditor.

Negociatat për t’i dhënë fund luftës do të fillojnë sapo të fillojë armëpushimi.

“Do ta shohim kthimin e pengjeve të mbetura vetëm kur Hamasi të përballet dhe të shkatërrohet.Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më të mëdha janë shanset për sukses”, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump në platformën e tij të mediave sociale.

Mbani mend, isha unë ai që negocioi dhe siguroi lirimin e qindra pengjeve dhe hyrjen e tyre në Izrael. Isha unë ai që i dha fund gjashtë luftërave në vetëm gjashtë muaj. Isha unë ai që shkatërroi objektet bërthamore të Iranit”,tha Trump.

Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF), Eyal Zamir ka miratuar planin për të pushtuar Qytetin e Gazës dhe do t’ia paraqesë nesër ministrit të Mbrojtjes.

Ai shtoi se në bisedimet me dyer të mbyllura gjatë ditëve të fundit, Zamir deklaroi se evakuimi i planifikuar i popullsisë do të zgjaste më pak se dy muaj, pas të cilit qyteti do të rrethohej dhe do të pushtohej.

“Ne do të përpiqemi të minimizojmë përdorimin e forcave rezervë”, tha shefi i IDF-së. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›