E Diel, 1 Nëntor 2026

SPIRO KSERA Në MBROJTJE Të ÇëSHTJES ÇAME

Më së fundi lufta për pushtet përfundoi. Për më tepër pas notës kaluese që organizmat ndërkombëtare u vunë zgjedhjeve parlamentare shqiptare. Mes karizmës së tij të njohur, Kryeministri shqiptar nxitoi për të kryer ritin marramendës para mediave. Me pak fjalë, koalicioni qeveritar PD + LSI… njohu pikun e fitores. Madje 28 qershori ynë u simetrua me vetë zgjedhjet e demokracive më të përparuara të Europës Perëndimore. Ndërkohë, opozita, ose më mirë të themi Partia Socialiste, luhatet mes dritëhijesh të brendshme. Vetë lideri i tyre të sjell ndërmend atë boksierin e pashpresë që vërdalloset më kot brenda ringut pas nokdaunit të pësuar. Kurse torta e madhe e pushtetit tashmë është rrufitur e tëra.

Po përse Berisha dështoi?!...

Natyrisht këtu nuk është fjala për një dështim të mirëfilltë politik. Pasi në këtë këndvështrim Kryeministri luajti në mënyrë elastike. Ai arriti t‘i menaxhojë në mënyrë të shkëlqyer aleatët e tij, si dhe ata që dëshiron t‘i ketë si të tillë. Për të vërtetuar këtë do të mjaftonte të sillnim si shembull rastin e Partisë Republikane. Ishte pikërisht Ai, që jo vetëm e nxori këtë subjekt politik nga kriza e papritur, por edhe saldoi mjeshtërisht të çarat e thella që u vunë re qartë mes drejtuesve të saj. Ndërkohë, loja e tij vazhdon. Këtë herë, në mënyrën më të çuditshme, por jo befasuese... Duke irrituar mbarë opinionin shqiptar si brenda, ashtu edhe jashtë kufijve të shtetit amë, ai katapulton në qeveri, si ministër të partisë së tij, Spiro Kserën, përfaqësuesin më ekstrem të shovinizmit grek, i cili rëndom bashkon zërin e tij me korin e fuqishëm antishqiptar për autonominë e Vorio-Epirit. Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu ofertat e njëpasnjëshme për bashkëqeverisje nga ana e z.Berisha drejtuar kreut të PBDNJ-së, si dhe përgjigjet negative të këtij të fundit, paçka se partia e minoritetit qysh në fillim të zgjedhjeve u pozicionua kundër koalicionit fitues.

Por të papriturat e koalicionit të ri qeveritar nuk mbarojnë këtu. Loja vazhdon më tej. Habia më e madhe lidhet me PDI-në, ose me partinë çame, siç njihet tashmë ajo. Çuditërisht, kjo parti, megjithëse arriti të fitojë një mandat në Parlamentin shqiptar e megjithëse kishte nënshkruar një marrëveshje për bashkëqeverisjeje me zotin Berisha (si aleate) nuk arrin të marrë asnjë portofol ministror në qeveri! Ndërkohë që kjo forcë e re politike, me profil të mirëfilltë kombëtar, qysh në krijim të saj përcillet mes një dashamirësi të theksuar jo thjesht prej komunitetit të gjerë çam në Shqipëri, por prej gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në Ballkan e më gjerë. Një ndjesi e tillë është fare e natyrshme, pasi kjo parti mori përsipër të puhisë sadopak atë plagë të hapur të kombit tonë, që edhe sot e kësaj dite rrjedh gjak e që ka emrin Çamëri. Ndjesi kjo që për fat të keq nuk iu afrua aspak prej spektrit politik shqiptar si gjatë fushatës zgjedhore e po ashtu edhe gjatë ditëve të krijimit të qeverisë së re.

Pra, përse nuk mori një post ministror PDI-ja?! Aq më tepër kur përfaqësuesit e saj disa herë patën deklaruar në media se synimi i tyre kryesor nuk ishte thjesht pushteti, por instrumentalizimi i tij për një sensibilizim më të ndjeshëm e më të fuqishëm të çështjes çame deri në zgjidhjen përfundimtare. Përgjigjja vjen sërish përmes mediave dhe jo mes një bashkëkuvendimi të hapur e të sinqertë me liderët çamë. Fatkeqësisht, gjatë një konference shtypi, fill pas krijimit të qeverisë, Kryeministri Berisha lë në baltë publikisht jo vetëm PDI-në, por edhe gjithë elektoratin e saj, i cili vazhdimisht i ka qëndruar besnik atij, që në hapat e parë të demokracisë shqiptare. Ai deklaron se PDI-ja, pavarësisht se mori një mandat deputeti (harron që një tjetër iu mohua në Fier), nuk arriti të fitojë një numër të tillë votash sa fitoi Partia Republikane në tërësi, që të justifikonte portofolin e ministrit. Këtu harron marrëveshjen e nënshkruar për bashkëqeverisje. Por nuk është kjo e gjitha. Goditja e dytë vjen më pas. Mes keqardhjes së shtirur diplomatike, pra përmes idesë se nuk ka se çfarë t‘u bëjë më çamëve, ai shton se ata janë të përçarë me njëri-tjetrin (A thua se si mjek i rafinuar që është nuk kish operuar aq hollë me bisturi me republikanët dhe minoritetin grek disa ditë më parë!). Me këtë rast, demagogjia plas sheshit dhe kjo nuk ka nevojë më për as më të voglin koment.

Tani problemi shtrohet se për çfarë arsyeje, për çfarë kapitali politik, Sali Berisha e shiti PDI-në e tok me të edhe të gjitha aspiratat e komunitetit fisnik e punëtor çam? Të paktën ai duhet të ketë kurajon publike që t‘ua shpjegojë çamëve arsyen e vërtetë të saj. Pra përse kjo dyfytyrësi politike? Përse ca të nënës e ca të njerkës? Apo mos ndoshta Ai vuan ende sindromin e mesviteve ‘90, kur Athina zyrtare i tundi rëndë themelet e karrierës së tij politike si prej një tërmeti shtatëballësh? Për më tepër kur dihet mirë që komuniteti çam në Shqipëri jo vetëm që nuk i prish binarët euroatlantikë qeverisë "Berisha 2", por përkundrazi përmes kërkesës paqësore për "Rikthim në Çamëri", legjitimon në praktikë parime bazë të Europës së Bashkuar për fqinjësi të mirë, lëvizje të lirë të njerëzve, njohjen e pronës etj. Madje biznesi çam do të ndikonte pa diskutim në zhvillimin jo vetëm të Çamërisë së përtejme, por në mbarë Epirin, që fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite është zona më e prapambetur e Greqisë.

Veç habia e madhe nuk mbyllet me kaq. Si edhe vetë qeveria "Berisha 2", ajo ka shtrirje të gjerë. Pjesë me peshë tepër të madhe në koalicionin e saj është edhe Partia e Ilir Metës. Në të vërtetë, ish-kryeministri socialist, që tashmë veç postit të nënkryeministrit mban edhe atë të ministrit të Jashtëm, ka një emër të mirë në mbrojtje të çështjes çame deri në ballafaqime direkte me përfaqësuesit e shtetit grek. Por çuditërisht tashmë ai hesht. Zëri i tij nuk u dëgjua aspak në mbështetje të PDI-së. Kjo gjë nuk ndodhi as gjatë fushatës elektorale, as gjatë tratativave për krijimin e qeverisë së re. Por do ishte në nderin e tij që të ftillohet sa më shpejt dhe t‘i kushtojë vëmendjen e merituar çështjes çame në politikën e jashtme shqiptare.

Për sa i takon Partisë Republikane, së cilës hera-herës veç vohës së pushtetit i është ndjerë edhe voha kombëtare, vërtet nuk dimë se çfarë të themi. Zoti Mediu, sado që nuk e jep veten, mbetet ca si i përhumbur. Dhe nuk ka faj. Pluhuri i Gërdecit i ka zënë frymën. Ndërsa zoti Godo, pas heqjes nga detyra të së bijës, nuk ndihet fare. Hesht në mërzinë e tij. Ndërkohë që mençuria e tij duhej të ishte rishfaqur me domosdo për sa i takon çështjes kombëtare. Por çuditërisht hutija vazhdon, heshtja mbretëron. Skandaleve të bujshme, përplasjet e mëdha duhen shmangur. Atëherë, në mungesë të PDI-së në qeveri kush mbetet tjetër ta përfaqësojë çështjen çame?! Oh… gati harruam fare. Ka mbetur zoti Ksera. Ai po. Ai do ta mbrojë patjetër atë. Aq më tepër që flitet se së shpejti, së bashku me Nikolla Gejxhin, pritet të niset për në një Kongres të ri Panepirot në Janinë, ku pa diskutim krahas kërkesës për autonomi të Vorio-Epirit do ta ngrejë zërin fuqishëm edhe në mbrojtje të çështjes çame.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›