Rrëfimet në pikturë të Liljanës
Prej disa ditësh po ndiqet me interes në qytetin bregdetar të Durrësit ekspozita vetjake e piktores shkodrane Liljana Çefa. Punimet e piktores 68-vjeçare janë ekspozuar në sallën kryesore të galerisë së arteve "Jozef" dhe dallohen për ngrohtësinë që transmetojnë, forcën dhe njëkohësisht delikatesën në përdorimin e ngjyrave. Në historinë e artit figurativ, Çefa veçohet si e para vajzë në Shqipëri që mbaroi Akademinë e Arteve të Bukura, duke u konsideruar si shenjë emancipimi dhe qytetarie për kohën. Piktorja e qytetit të Durrësit, Shpresa Beqiri, duke vlerësuar kontributin e Liljana Çefës në këtë drejtim, por dhe në vlerat që përcolli me përkushtimin dhe pasionin e saj për pikturën, tha se koha nuk e ka zbehur aspak shpirtin pasionant të saj. Ai shfaqet gjerësisht në punimet e saj në pikturë dhe e shndërron artisten në një "shembull të punës dhe sakrificës së njeriut të përkushtuar ndaj artit". Pas diplomimit në mesin e viteve ‘60 në Tiranë, Çefa nis punën si mësuese arti në Shkodër. Përgjatë viteve të diktaturës dhe më pas, arti i saj është vlerësuar me çmime dhe ekspozuar jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Në vitin 1989 ajo nderohet me medaljen "Naim Frashëri", ndërsa në 1997-ën, atëherë kur Shkodra ishte pushtuar nga trazirat e atij viti të tmerrshëm për shqiptarët, Çefa do të fitonte çmimin e parë në një konkurs nga revista italiane "Pediatria". Një vit më parë, në 2007-ën, nderohet me medaljen e argjendtë në ekspozitën e 37-të të Konkursit Ndërkombëtar organizuar në Belgjikë. Ajo është ndër të tjera dhe anëtare e Akademisë Evropiane të Arteve me qendër në Bruksel. Punimet e saj janë pjesë e koleksionistëve të ndryshëm, ndërsa gjenden edhe në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Galerinë e Shkodrës, në ambientet e ministrive të Arsimit dhe Mbrojtjes, në Katedralet e Tiranës dhe Shkodrës, në aeroportin kombëtar etj.
Figura e gruas dhe fëmijës është shumë e pranishme në punimet e saj. Të realizuara me dashuri ato përcjellin ndjeshmërinë e artistes edhe si grua, si nënë. Pasi ka kaluar pjesën më të mirë të jetës së saj nën diktaturë, padyshim që mesazhet e paqes janë të pranishme në punimet e Çefës. Përtej tyre, peizazhi është një tjetër gjini e lëvruar gjerësisht prej piktores shkodrane, që profesionin e saj çdo ditë synon ta përcjellë te më të vegjlit, brezi i ri i qytetit verior, djepit të kulturës dhe artit, qytetit të traditës së krijuar nga Idromeno i madh e shumë pasardhës të tjerë, mes tyre dhe Gjovalin Paci, i mirënjohur në Durrës pas ekspozitave të shumta.
Peizazhi i Çefës mbështetet në atë shqiptar, por dhe i ndikuar nga piktorë të mëdhenj klasikë. Pylli magjik, në pjesë të veçanta të tij, bjeshkët e larta dhe krenare, deti i Jugut, por dhe natyrat e qeta me lulet dhe shegët e ëmbla të Shkodrës kanë tërhequr admirues të artit të pikturës drejt ekspozitës së Çefës, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 14 të këtij muaji.